Pushtuesit dhe dhunuesit, legalizuesit dhe abuzuesit në Vlorë…

561
Sigal

Kush i ndërtoi çibanët?

Kush i pushtoi institucionet shëndetësore dhe arsimore?

Kush i lejoi ngritjen dhe pushtimin e pallateve me mure rrethuese, nga telat me gjemba?

Kush i lejoi dhe i mbron abuzuesit?

Gjithë pallatet të kthehen në identitet!

Të hiqen nga sistemi kamatat për dritat dhe gjobat si abuzime dhe zullume të CEZ- apelojnë vlonjatët

Fjala e kryeministrit Rama ditët e fundit në Vlorë:

“Vlora gati për transformime të mëdha. INUK do të shkulë çibanët”, në rrugë dhe në lagjet e qytetit, ishte lajmi i shumëpritur dhe ngriti më këmbë qytetarinë vlonjate, në mbështetje të Qeverisë si një domosdoshmëri e vonuar, duke shenjtëruar votën e tyre… Reagimi dhe arsyetimi i qytetarëve vlonjat dhe jo vetëm shtrohet për zgjidhje:

Një fukara pa bukë për darkë, e pa asgjë në bark, nuk paguan dot dritën elektrike, vdes pa dritë, në errësirë: dënohet më 5 vite burg. Po një “zyrtar”, hipoteke, institucion që të shet shtëpinë- Shqipërinë, “muskulorët” që zaptojnë institucionet, pushtojnë e rrethojnë me mure apartamentet në gjithë lagjet e qytetit, dhunojnë, poshtërojnë e terrorizojnë qytetarët dhe qytetërimin, sa nuk mund të marrësh edhe shaminë apo çorapen, po të bjerë brenda telave, nuk mund të lash as ballkonin z. Kryeministër, duhet të dënohet; sa duhet të dënohet; pse nuk dënohen; dhe kur do të dënohen?

 *Pjesa e shoqërisë shqiptare, dhe ajo vlonjate që aspiron europianizimin e vendit, synon të shkurtojë rrugën për në Europë duke shembur “muret e trurit, për të mos ngritur e rrënuar muret e gurit”, të politikë- rrumpallës:

Marrëzia e të marrëve, po dhunon lirinë e qytetarëve!

Europa hoqi vizat, po marrëzia ngriti gardhet dhe drizat- përgjatë rrumpallë-politikë, tranzicionit…

Me kalvarin e gjatë në qafë shqiptarët dhe vlonjatët kanë gati 20 e ca vite që institucionet shëndetësore dhe ato arsimore, mbeten të zaptuara dhe të pushtuara nga harbutëri-lukunia. I kanë parë dhe “paralajmëruar” me haber dhe defter, sa e sa herë edhe policitë ndërtimore (shkatërrimore) dhe me shkelje të syrit. Qytetarë vlonjatë kanë ngritur zërin në shkretëtirën e 24 viteve për këto hata të ndodhura edhe në Vlorë: Për zaptime e pushtime, abuzime dhe përvetësime të rrugëve, të detit, e të ajrit, të rrethuar nga muret dhe brenda telave me “gjemba” të ngritur nën ballkonet e tyre, të mbytur nga gazrat e qofteve, të nxjerr tubin e gazrave brenda në shkallët e pallatit nga pronarët “muskulozë”.

Përballë kësaj hataje, ende edhe sot, vazhdojnë të ngrenë shqetësimin duke pyetur:

“Kush i zaptoi hapësirat te “Ismail Qemali”? Kush i zuri frymën dhe i mban të pushtuar “Avni Rustemin e Petro Markon”? Kush i pushtoi hapësirat në “Tre Racat”, dhe “Kali i Trojës” në sheshin e “Skelës”? Kush i ngriti çibanët dhe legalizoi padrejtësisht? Kush i mbron pushtuesit dhe zaptues-dhunuesit e institucioneve arsimore dhe shëndetësore në lagjet “24 Maji”? Kush e mban të pushtuar apo kush e ka privatizuar Kopshtin e Fëmijëve në Lagjen “24 Maji”, te Pallati 1215, qysh nga viti 1997?

Madje, institucionet e zaptuara evidentohen dhe publikohen edhe nëpër faqe shtypi dhe ekrane televizionesh nëpër shkresa institucionesh, njëri hidh e tjetri prit:

1. KONSULTOR DHE INJEKSIONE “ISA BOLETINI”

2. KONSULTOR “QERIBA DERRI”

3. KONSULTOR DHE INJEKSIONI “OSMAN HAXHIU” + “8 NËNTORI”

4. INJEKSIONE “24 MAJI”

5. KONSULTOR “11 JANARI”

Qytetarë vlonjatë dhe më parë kanë ngritur zërin e tyre, të ndodhur nën terrorin e mureve dhe gardheve, të rrethuara dhe të mbyllur në pallatet e tyre. Të rrethuara nga “pronarë pushtues dhunuesit” në këto hapësira të zaptuara, apo dhe të legalizuara në rrugë abuzive! A mund të pushtohen dhe privatizohen institucionet shtetërore?

Shqipëria, e themeluar si shtet i pavarur qysh prej 28 Nëntorit 1912 në Vlorën e Pavarësisë, e çliruar më 29 Nëntor 1944 nga partizanët e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, epopeja më e lavdishme e popullit shqiptar, po mbetet e pushtuar, e dhunuar e poshtëruar dhe terrorizuar për mëse një çerek shekulli nga tranzicion-politikë-shthurja, e ndërtimeve dhe e zaptimeve pa leje, abuzimeve me pushtetin…

Qytetarët vlonjatë i kërkojnë qeverisë “Rama” për t’i nxjerrë nga rrethimet, gardhet dhe mureve të ngritura në pallatet e banimeve, në gjithë lagjet, qytetin gjithë ata qytetarë që vuajnë lakun në qafë nga muret rrethuese të pallateve.

Vendi ynë theksoi kryeministri Rama ka pasuri të rralla, i dyti në Europë…

Por ka Pasuri mbi tokë e nëntokë, por ka varfëri në Kokë.

Dhe… diferencën e bën dija dhe jo pasuria!

Harbutëria frerë këputur nga polikë-shthurja, ka vite që po dhunon dhe terrorizon edhe vlonjatët, si gjithë shqiptarët… Dhe qytetaria ende e dhunuar nga barbaria, dija e dhunuar nga padija…

Europa lind në shpirtin tim. Europa nis tek pragu i shtëpisë time. Europa është te gjitoni im, yti, te nëpunësi i administratës me shpirt dhe mëndje të hapur, tek kalimtari në rrugë që vjen era njeri dhe jo te babëzi-barbaria! E kërkojmë te nxënësi i sjellshëm në rrugë, te njerëzit që prodhojnë mirësi, paqe, mirëkuptim dhe kuptim për jetën tënde të mos cenosh jetën e tjetrit. Nuk mund të pasurohesh, duke cenuar të drejtën e tjetrit! Nuk mund të ngrohesh as në diellin e të gjithëve, te dritarja e në shkallën e tjetrit! Nuk mund të çirresh dhe të ulërish, duke prishur qetësinë e tjetrit në udhë!

Këtë formim dhe transformim po presin edhe vlonjatët në përgjithësi, këtë votuan edhe vlonjatët dhe gjithë shqiptarët, të cilët e shpresojnë dhe e shohin në Qeverinë e Rilindjes- te Kryeministri Rama. Këtë e synojnë dhe e kërkojnë edhe bashkëkombasit tanë kudo ndodhen në Kosovë, në Maqedoni, Presheve, në Mali Zi, në Diasporë, Greqi, Itali… kudo ndodhen, po presin krah hapur dhe shpresë ndezur të ndodhë: Ndalim-rrënimi dhe funksionimi i shtetit shqiptar në këtë tunel të gjatë për çerek shekulli të politikë-shthurjes dhe lukunisë frerë-këputur, që po dhunon vlerat njerëzore dhe qytetare me antivlerat, ligjin me antiligjin, arsyen me aventurën, dijen me padijen!