Moisiu: Reforma në drejtësi, sfidë për shtetin e së drejtës

468
Sigal

PERCEPTIMI I PUBLIKUT MBI NIVELIN E KORRUPSIONIT NË SISTEMIN E DREJTËSISË

Një ditë përpara se sa Ministria e Drejtësisë të zhvillonte më 31 Tetor Konferencën për Reformën në Drejtësi, “Forumi Civil 2010” organizoi në mjediset e “Tirana Internacional” tryezën me temë “Perceptimi i Publikut mbi Nivelin e Korrupsionit në Sistemin Gjyqësor”. Në këtë aktivitet, përveç anëtarëve të këtij Forumi, merrnin pjesë edhe akademikë, deputetë, zv/ministri i Drejtësisë, personalitete të njohura të fushës, si ish anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë etj.. Ishte hera e parë që në një debat të tillë politik mbi reformën, merrnin pjesë dhe dhanë mendimet e tyre, përfaqësues parlamentar të mazhorancës në Kuvend dhe të opozitës, e cila aktualisht ndodhet në bojkotim parlamentar.

Në Fjalën e Hyrjes që mbajti themeluesi i Forumit Civil 2010, Zoti Alfred Moisiu, President i Republikës në vitet 2002-2007 u theksua se, nevoja për reformë në drejtësi është emergjente dhe përbën një sfidë për shtetin e së drejtës. Ai u tregua kritik me vonesat e deritanishme për kalimin nga retorikat për reformë në akte konkrete ligjore dhe administrative, si dhe evidentoi përgjegjës, mungesën e një vullneti të vërtetë politik. Presidenti sugjeroi një reformë të thellë dhe gjithëpërfshirëse, si dhe një proces transparent dhe profesional, që tejkalon interesat politike të palëve dhe i shërben forcimit real të institucioneve të drejtësisë funksionale. Tezat e tij u mbështetën edhe nga rezultatet e paraqitura me këtë rast të sondazhit të kryer nga Lëvizja ‘Mjaft’ dhe të atij të shpallura këto ditë nga “Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike”, të cilat bashkëpunuan për shtjellimin e kësaj teme me Forumin Civil 2010.

Diskutimet dhe sugjerimet e bëra në këtë kuadër u përqendruan, kryesisht te katër drejtime, sipas të cilave:

• konsensusi për reformën në drejtësi duhet të arrihet sa më shpejt në funksion të nevojës së kësaj reforme;

• të bëhet e mundur që deri në fund të muajit Nëntor të këtij viti të projektohet një platformë komplekse, deri edhe me një draft konkret për disa amendimeve kushtetuese të mundshme, çka do të hapte rrugën për të kryer një reformë të thellë dhe plotësisht të qëndrueshme;

• të synohet që filli përshkues i saj t’i përgjigjet tërësisht dhe realisht formulës së gjithëpërfshirës;

• të punohet që reforma t’i përshtatet kushteve të vendit, duke respektuar në çdo rast edhe ekspertizën e organizmave ndërkombëtare, veçanërisht të Komisionit të Venecias.

Forumi Civil 2010 i bën thirrje gjithë faktorit politik shqiptar, që për të arritur dhe përmbushur me sukses objektivat në këto drejtime, të shmangë divergjencat ndërpartiake dhe të dëshmojë vullnet real për reforma. Ai apeloi që çdo parti parlamentare të shprehë publikisht pikëpamjet e veta për aspektet konkrete të reformës në drejtësi, dhe më tej, të bëhet pjesë e procesit politik dhe legjislativ të realizimit të saj. Forumi theksoi se reforma do të mund të shoqërohet me ndërhyrje në kushtetutën e Shqipërisë, ndaj në këtë proces me rëndësi afatgjatë, do të duhet më shumë përfshirje dhe transparencë edhe ndaj grupeve të interesit, grupeve qytetare dhe vetë mendimeve profesionale që vijnë nga ekspertët e drejtësisë dhe trupat gjyqësore. Ai vlerësoi se vetëm një proces i tillë, përfshirës e profesional, parlamentar dhe i bazuar në parimet e njohura kushtetuese e ndërkombëtare, do të mund të prodhojë një reformë me ndikim pozitiv afatgjatë për vendin dhe perspektivën e tij integruese, ku shtetësia e së drejtës dhe sundimi i saj edhe nëpërmjet një sistemi modern të drejtësisë rrit prestigjin dhe fuqizon kapacitetet e Shqipërisë si hapësirë e paqes, lirisë dhe stabilitetit, si aspiruese dhe absorbuese e vlerave të përbashkëta të Bashkimit Evropian. Këtë pret populli, këtë e ka premtuar politika, këtë kanë nevojë institucionet dhe këtë kërkojnë vendet partnere dhe miqtë e Shqipërisë!