Tryeza e drejtësisë: politika të miratojë ligjin e Gjykatës së Lartë

527
Sigal

Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka kërkuar nga politika të miratojë tre ligjet e kërkuara nga KE-ja dhe konkretisht ligjin për Gjykatën e Lartë. Sipas tij miratimi i këtij ligji do të bënte të mundur rritjen e transparencës dhe të paanshmërisë së sistemit gjyqësor. “Këtë javë skadon edhe afati që Bashkimi Europian ka dhënë për miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë i cili është hartuar me konsulencën e EURALIUS, i kërkuar nga opozita dhe i konsultuar me palët e interesit. Është një ligj që e bën Gjykatën e Lartë të pavarur dhe të paanshme pasi depoliziton të gjithë emërimet në Gjykatën e Lartë, nuk krijon kredo politike për asnjë parti por forcon sistemin gjyqësor. Klasa politike duhet të miratojë këtë ligj që e bën sistemin gjyqësor më të pavarur, më të paanshëm dhe i shërben gjithë sistemit të drejtësisë” tha Halimi. Gjithashtu ministri i Drejtësisë kërkoi bashkëpunimin e të gjithë aktorëve për të bërë të mundur realizimin e reformës në drejtësi. “Reforma është një proces i gjatë dhe kërkon bashkëpunimin e të gjithë aktorëve por ajo që është me rëndësi është jo vetëm rritja e efiçencës, por mbi të gjitha evidentimi i gjyqtarëve të aftë nga të paaftët. Prandaj dhe duhet të bashkëpunojmë në këtë proces” shtoi Halimi. Halimi më tej përshëndeti tryezën e pak ditëve më parë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. “Reforma do të ishte kryer më parë sikur KLD të kishte reaguar më parë”.