Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dhe reflektimet e tyre në pushtetin gjyqësor

909
Sigal

PUSHTETI GJYQËSOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, ARRITJE DHE SFIDA NË PROCESIN E REFORMIMIT TË TIJ

 *Ish-Kryetar i Gjykatës së Lartë

Problemet e sotme të gjyqësorit janë rrjedhojë e defekteve të sistemeve të adoptuara dhe të mospërshtatjes së tyre me realitetin tonë, apo janë rrjedhojë e zbatimit të gabuar të parimeve e të normave kushtetuese, të mosfunksionimit të përshtatshëm të institucioneve, e mangësive në profesionalizmin dhe integritetin e gjyqtarëve dhe të aktorëve të tjerë të drejtësisë. Asnjë sistem nuk është i përsosur. Për gjyqësorin modeli kushtetues i zgjedhur më duket përgjithësisht i përshtatshëm. Në qoftë se do të ndërmerret ndonjë nismë për rregullime kushtetuese, mund të bëhet ndonjë rregullim në dispozitat kushtetuese ekzistuese për gjyqësorin, por ndryshimet duhet të bëhen të studiuara mirë. Kuadri ligjor, sidomos ligjet organike dhe kodet e procedurave të miratuara para hyrjes në fuqi të Kushtetutës, kanë më tepër nevojë për përmirësime, me qëllim që t’u përshtaten parimeve e normave kushtetuese dhe standardeve europiane. Modeli kushtetues për emërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë nuk është efektiv, sepse shton ndikimet politike ndaj gjyqësorit, apo luan rol negativ mungesa e vullnetit politik për forcimin dhe konsolidimin e gjyqësorit. A duhen përkrahur idetë e shfaqura publikisht nga Zëvendëskryetari i KLD për ndryshimin e këtij modeli dhe pranimin e një modeli tjetër që e vendos edhe Gjykatën e Lartë nën autoritetin e KLD. Për mendimin tim, këto propozime janë aventureske. Gjithashtu, nismat për ndryshimin e ligjit organik të Gjykatës së Lartë duhen trajtuar me shumë kujdes e maturi. Duhet, p.sh., që shumica e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë të përzgjidhen nga radhët e gjyqtarëve të karrierës dhe të mos pranohet që një gjyqtar i shkallës së parë të kalojë drejtpërdrejt në Gjykatën e Lartë. Numri i gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë të përzgjedhur nga radhët e juristëve të shquar me kontribute shkencore të mos e kalojë p.sh. 20 apo 25 %. Domosdoshmëria e përmirësimit të kodeve të procedurave, me qëllim eliminimin e zvarritjeve të gjykimeve dhe që në Gjykatën e Lartë të gjykohen vetëm çështje të rëndësishme me interes për praktikën gjyqësore. etj., etj.. Në funksionimin e përshtatshëm, ose jo, të sistemit një rol kryesor luajnë tradita, precedentët e krijuar, përvoja e fituar gjatë zbatimit praktik të parimeve e normave, ndryshimi i mendësive, zhvillimi i kulturës juridike dhe, mbi të gjitha, integriteti i gjyqtarëve dhe i aktorëve të tjerë të drejtësisë. Për sa i përket rregullimit të pushtetit gjyqësor, jam i mendimit që Kushtetuta jonë paraqet një kuadër përgjithësisht të përcaktuar qartë e saktë të ndërtimit të sistemit dhe siguron ushtrimin e rregullt të funksioneve e të kompetencave të gjykatave të të gjitha shkallëve, duke përjashtuar ndonjë aspekt të veçantë, që, për mendimin tim, para ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, mund të rregullohej nga jurisprudenca kushtetuese ose edhe me ligj, pa i hyrë lojës së rrezikshme të ndryshimit spontan e voluntarist të Kushtetutës. Për gjyqësorin, e përsëris që modeli kushtetues i zgjedhur ka qenë i përshtatshëm dhe i përparuar. Në fund të fundit asnjë model nuk është e nuk mund të jetë i përsosur. Pyetja shtrohet se çfarë impakti kanë shkaktuar ndryshimet spontane që i u bënë Kushtetutës nga ligjvënësit më 21.04.2008, pa i u drejtuar popullit për mendim e, aq më keq, pa e informuar atë, gjë që, çuditërisht, u përshëndet edhe nga ndërkombëtarët. Fatmirësisht, ndryshimet që u bënë nuk i kanë prekur drejtpërdrejt dispozitat kushtetuese që rregullojnë organizimin, funksionet dhe juridiksionin e gjyqësorit, por tërthorazi ato kanë cenuar ndonjë raport të gjyqësorit me dy pushtetet e tjera. Në qoftë se do të ndërmerret ndonjë nismë për rregullime kushtetuese, dhe, për mendimin tim, në realitetin e ri të krijuar, është e nevojshme të ndërmerret, do të hapet rruga që të bëhet ndonjë rregullim edhe në dispozitat kushtetuese ekzistuese për gjyqësorin, por ndryshimet kësaj radhe duhet të bëhen të studiuara mirë. Le të marrin për diskutim një ndryshim kushtetues të vitit 2008, që lidhet me gjyqësorin. Presidenti i Republikës kryen edhe funksionin e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ndryshimi kushtetues që lejon zgjedhjen e tij pas raundit të tretë me shumicë të thjeshtë, krijon mundësinë që të zgjidhet President një politikan aktiv nga radhët e maxhorancës qeverisëse. Teorikisht dhe praktikisht, mbajtja njëkohësisht e postit të Kryetarit të KLD-së nga një President aktiv në politikë do të shtonte mundësinë e presioneve politike ndaj gjyqësorit dhe do të ndikonte në dobësimin e pavarësisë së këtij pushteti vulnerabil. Problemin e trajtoj në parim dhe, për sa parashtroj, nuk e kam fjalën as për maxhorancën aktuale, as për zgjedhjet e ardhshme, as për persona konkretë. Dua të theksoj vetëm faktin që ky ndryshim bie ndesh me standardin e pranuar nga Këshilli i Europës për rolin e Kryetarit të Shtetit ndaj pushtetit gjyqësor. Përveç ndonjë ndryshimi kushtetues të nevojshëm e të domosdoshëm, kuadri ligjor, në veçanti ligjet organike dhe kodet e procedurave, sidomos ato të miratuara para hyrjes në fuqi të Kushtetutës, kanë më tepër nevojë për përmirësime, me qëllim që t’u përshtaten parimeve e normave kushtetuese dhe standardeve europiane, por këto ndryshime nuk mund të jenë produktive në qoftë se kryhen spontanisht e udhëhiqen nga subjektivizmi, siç kemi parë të ndodhë rëndom. Po e vazhdoj referimin tim nisur nga funksioni që kam ushtruar për 9 vjet. Rëndom kam dëgjuar edhe ndonjë opinion negativ për sa i përket efektivitetit të modelit kushtetues ekzistues lidhur me vendin dhe rolin e Gjykatës së Lartë në krye të pushtetit gjyqësor. Pothuajse gjatë gjithë kohës, krahas Kryetarit, në përbërje të KLD ka marrë pjesë edhe një gjyqtar tjetër i Gjykatës së Lartë. Një rol të veçantë ka luajtur dhe luan, krahas Gjykatës Kushtetuese, edhe Gjykata e Lartë për vendosjen brenda standardeve kushtetuese e ligjore të veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Drejtësisë për sa i përket procesit disiplinor ndaj gjyqtarëve të shkallës së parë e të apeleve. Kjo realizohet nëpërmjet gjykimit në Kolegjet e Bashkuara të rasteve të shkarkimit nga detyra të gjyqtarëve. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, sipas modelit tonë kushtetues, nuk ushtron asnjë lloj influence ndaj Gjykatës së Lartë dhe nuk ka asnjë lloj ndërvarësie institucionale me të, sepse gjyqtarët e Gjykatës së Lartë nuk i nënshtrohen procesit të emërimit dhe të disiplinimit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Megjithatë, pjesëmarrja e Kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe e gjyqtarëve të tjerë të kësaj gjykate në KLD dhe në përbërjen e institucioneve të tjera, që i përkasin gjyqësorit, dhe roli i rëndësishëm që luajnë ata në veprimtarinë e këtyre institucioneve, për shkak të autoritetit që kanë, i shërben qëllimit që gjyqësori të kompaktësohet e të forcohet si pushtet më vete dhe të përmbushë si duhet misionin që i ka ngarkuar Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.