“Me Berishën, heqja e imunitetit, një vrimë në ujë kundër korrupsionit”

527
Sigal

INTERVISTA/Deputeti i PS-së, Besnik Baraj: “PS-ja nuk është për arnime, por për ndryshime thelbësore në luftën kundër korrupsionit”

Deputeti socialist Besnik Baraj është nga ata, të paktë deputetë, i cili nuk është konformist me askënd, për hir të përfitimit të privilegjeve vetjake.  Ai është i besueshëm, kur për bindjet e tij politike, që shpreh në intervistën për  “Telegraf” për arritjen e pavarësisë të institucioneve të Gjyqësorit, të organeve të Akuzës, zoti Bare, pohon, që do t’i mbrojë edhe kur të jetë në pushtet. Në intervistën për “Telegraf”, deputeti Baraj pranon gabimet e ndryshimeve të Kushtetutës më 2008,  që sollën disbalancimin e pushteteve, ndaj,  thotë që propozimet e tanishme të PS-së, janë reflektim dhe lë hapësira, që me ardhjen në pushtet, PS-ja do të risjellë këto kërkesa që sot nuk u morën parasysh.  Deputeti Baraj pranon që “Ristanë” bën forca e pushtetit mbi gjyqtarë, të cilët deformojnë gjykimet dhe proceset. Burimi i të keqes në Shqipëri,  thotë zoti Baraj, është keqpërdorimi i pushtetit, ndaj me Berishën, heqja e imunitetit, është një vrimë në ujë, kundër korrupsionit. Duhet vullnet së pari, nga ai që ka pushtetin.

– Zoti Baraj, Kryetari i KQZ-së, sërish do të zgjidhet nga shumica parlamentare, kështu që, a nuk është i njëjti rrezik, që një Ristan ikën dhe një “Ristan” i ri vjen? Çfarë progresi arriti, kësisoj, PS-ja në rikompozimin e KQZ-së?

KQZ  do të ketë 3 nga opozita dhe 3 nga maxhoranca. Kryetari do të zgjidhet pas një konkurrimi publik e seancë dëgjimore në Kuvend dhe përmes një procedure që kërkon dhe mbështetjen e opozitës dhe ku në fund na lind e drejta të skualifikojmë dy nga 4 personat që kanë marrë më shumë mbështetje në Komisionin e Ligjeve. Sigurisht, këtu kemi ndryshim nga forma e parë e emërimit të kreut të këtij komisioni. Nga ana tjetër, largimi i Ristanit, ndryshe nga çfarë thoshte Berisha dhe vetë Ristani, se do të vazhdonte në atë funksion, përbën një hap pozitiv qoftë dhe nga pikëpamja psikologjike. Ristani sot ka imunitetin “Berishian”. Nesër nuk do ta ketë, por qoftë dhe moralisht ai shihet si falsifikatori dhe shërbyesi më i bindur i menaxhuesit të zgjedhjeve të deformuara në 20 vite tranzicioni. Unë mendoj se, Berisha duhet të krenohet për kapacitetin e tij të paprecedent si falsifikator e manipulues i zgjedhjeve gjatë 20 viteve. Ai nuk ka asnjë të ngjashëm në Europën Lindore. Të jesh i spikatur në realizimin e pozitiv të demokracisë apo çfarë do procesi është padyshim një vlerë, kërkon aftësi individuale, inteligjencë, moral, përkushtim etj.. Gjithashtu, të jesh i spikatur në realizimin negativ të demokracisë është një vlerë, por me kahe të kundërt me të parin. Të gjitha tiparet e mësipërme përsëri duhet t’i kesh, inteligjencë, përkushtim etj., por ndryshon njëri tipar, duhet të jesh amoral, duhet të jesh demagog që të zezën ta shesësh për të bardhë dhe anasjelltas. Berishës i duhet njohur kjo vlerë, askush në politikën Shqiptare se ka këtë cilësi, të paktën deri më sot.

– Heqja e imunitetit, si duhet trajtuar?

-Ju thashë pak më sipër, imuniteti është alibia e radhës që Berisha u servir shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, gjoja për të vazhduar betejën antikorrupsion, ku ai ka dështuar thellësisht. Ai nuk kontrollon dot oborrin e tij dhe rrethin e tij familjar ose ca më keq e nxit dhe i krijon mundësi atyre të plaçkisin këtë vend të varfër. Nga ana tjetër me tërë kapacitetin e tij demagogjik përpiqet ta zhvendosë  vëmendjen në një rrafsh tjetër, atë të imuniteteve. Berisha është inteligjent dhe për shumë vite shihesh e besohesh si i ndershëm. Sot shumica e shqiptarëve tashmë e njohin edhe në prapaskenat e tij. Shkoni në tërë Shqipërinë, në bregdet në vende turistike etj., dhe, njerëz të thjeshtë do t’ju thonë se kjo pronë është e asaj, kjo e atij. Të gjithë pjesë e oborrit të Berishës. Si e thoni dhe ju në pyetjen tuaj,  s’ka vullnet politik për ta luftuar atë pasi politika shtetërore është e zhytur deri në grykë në korrupsion dhe ca më pak të kërkojë të fuqizojë instrumente, sikurse janë gjykatat,  për t’i futur në burg ata, pushtetarët.

– A mund të bëhen ndryshime në Kushtetutë për heqjen e imunitetit, kur akoma nuk janë bërë reformat në Gjyqësor?

– Mendoj se propozimet e bëra nga PS janë profesionale, të konsultuara dhe në thelb përbëjnë një premisë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. PS është për ndryshime adekuate në kushtetutë për këtë problem dhe jo për arnime. Gjithashtu, ajo është e hapur dhe për përmirësime të mëtejshme deri në marrjen e vendimit.

– A duhet që lidershipi i partisë të ketë monopol listat e kandidatëve për deputet?

– Përzgjedhja e kandidatëve në PS bëhet mbi bazë kriteresh dhe çdo qark jep kontributet përkatëse në vlerësimin e tyre, të cilat konsiderohen nga kryesia dhe kryetari, ku dhe marrin formën përfundimtare. Pyetja juaj është disi idealiste, por e pamundur të realizohet në praktikë. Në çdo vend demokratik është partia ajo që i bën propozimet e ajo është e interesuar të maksimizojë votat duke ofruar kandidatë sa më të mirë, përndryshe penalizohet.

–  Kritika e Braçes,: “Lëshimi i bërë nga opozita për të hequr votimin e fshehtë, është një inkonshiencë”, shpreh vetëm mendimin e tij?

– Nuk e kam të qartë pse është bërë ky lëshim, ndoshta është thjesht taktikë, por mbështes mendimin e Braçes se duhet të ketë votim të fshehtë. Ndre Mjeda e pat propozuar votimin e fshehtë që në krijimin e Parlamentit shqiptar në fillimet e shtetit shqiptar.

– Derisa PS-ja arriti në një draft të përbashkët, përse e kërkon miratimin e tij në shtator?

– Ne nuk jemi për arnime por për ndryshime thelbësore që krijojnë premisën e duhur për luftën kundër korrupsionit. Do kohën e nevojshme ky proces.

– Ps-ja, në pushtet, a do të bëjë ndryshimet në Kushtetutë për votën e cilësuar për Gjyqësorin e Kryeprokurorin?

– Unë jam pro këtyre ndryshimeve, edhe kur të vijmë në pushtet.

 6 gushti, imuniteti dhe faktori ndërkombëtar

– Berisha me propagandën e amplifikuar të tij është përpjekur të krijojë një alibi të re, atë që shkaku i korrupsionit në Shqipëri na qenka imuniteti i deputetëve apo gjyqtarëve. Në fakt, me imunitet në Shqipëri ka vetëm një kategori njerëzish, ata që janë në pushtet dhe të lidhur me pushtetin, ata që i shërbejnë atij. Më thoni ju lutem, çfarë e ka penguar Berishën të dërgojë para drejtësisë ish deputetë të PS-së, që i ka cilësuar si krerë e bashkëpunëtorë të mafias, mamuthë të korrupsionit etj.. Sot ata janë pa imunitet. Unë mendoj se heqja e imunitetit do të jetë një vrimë tjetër në ujë në luftën kundër korrupsionit. Më thoni ju lutem, a nuk e ka maxhorancën në parlament Berisha për t’i hequr mandatin çdo deputeti? Nga ana tjetër, unë mendoj se gjyqtarët, bile duhet të kenë një imunitet edhe më të fortë se deputetët, në mënyrë që ata të jenë të ruajtur nga sulmet e pushtetit, kushdo qoftë ai i PD-së apo PS-së. Ata me pak imunitet dhe janë vulnerabël ndaj presioneve, imagjinoni të jenë të zbuluar komplet si do të degjenerojnë. Me fjalë të tjera, burimi i të keqe në Shqipëri është keqpërdorimi i pushtetit nga ana e PD-së, apo kujtdo force që e ka atë. Gjyqtarët, Ristanët detyrohen nga forca e pushtetit të deformojnë gjykimet dhe proceset. Duhet luftuar shkaku dhe jo pasoja. Lidhur me faktorin ndërkombëtar shpesh më duket i painformuar, s’mund të them naiv, e në rastin më të keq konformist me atë që është në pushtet.

– Ju faleminderit!