Isa Reka*/ Një shekull, vatër e dijes, kulturës e qytetërimit

1041
Sigal

Është fjala për shkollën e Parrucës që çeli dyert vetëm pak muaj pas shpalljes së Pavarësisë. Qeveria e Vlorës kishte filluar shtrirjen e rrjetit arsimor në gjithë vendin. Në këtë kuadër ishte edhe shkolla që mori emrin e vendit, ku u formua. Vendi dhe koha ishin avantazhi i fillimit. Qyteti i Shkodrës, aq me tepër qendra e tij, ishte një nga privilegjet, nga ana tjetër, Qeveria e Vlorës, anëtarët e së cilës vinin me frymën e Rilindjes, intelektualë me kulturë të gjerë, të përkushtuar, idealistë të shkallës së parë. Disa nga shokët e tyre ishin flijuar në udhën e gjatë të shkronjave. Një arsye më shumë për ta patur arsimin prioritet. Luigj Gurakuqin (Ministrin e Arsimit), Ismail Qemali e quante Kryeministër. Me këtë frymë filloi edhe shkolla në lagjen Parrucë. Në një terren arsimdashës, me mësues të formuar nisi udhëtimin për të përjetuar të gjitha ngjarjet e shekullit të 20-të. Shekull që pati ngjarje intensive, interesante mes të cilave edhe dy luftërat botërore. Shkolla e Parrucës, më vonë “7 Nëntori” e sot “Ismail Qemali” i përjetoi në mënyrën me dinjitoze. Mësuesit dhe nxënësit e saj treguan patriotizëm, kur Atdheu pati nevojë, treguan vlera intelektuale, kur duheshin reforma, kulturë për të luftuar injorancën. Duhej të punonin edhe për zhdukjen e analfabetizmit, edhe të drejtonin aktivitete kulturore në qytet e fshat. Shkolla ishte edhe qendër e kulturës. Nxënës e mësues orkestrantë, këngëtarë, aktorë, regjisorë etj.. Këtë mund ta bënin vetëm mësues me kulturë të gjerë, me përkushtim, me ideale. Nxënës të shkëlqyer që shkollës nuk i munguan për asnjë moment, prindër që dhanë mbështetje falë qytetërimit të hershëm. Kështu kaluan vitet dhe u bë një shekull, ku çdo ditë ka diçka për të thënë. Sa mund të thonë vitet, dekadat, shekulli. Vështirësi, pengesa, kufizime, përndjekje, burgosje në të gjitha ndryshimet. Por, asgjë nuk e largoi shkollën nga misioni i saj historik: Transmetimi i dijeve dhe formimi i personalitetit të individit, nëpërmjet mësimdhënies e shembullit. Koha ka vulën e saj, por edhe shkolla qëndroi në lartësinë e saj. Në çdo moment kthese historike, shkolla ishte ne anën e progresit. Dhe roli vendimtar ka qene i mësuesve mendjendritur, me formim shkencor e metodik dhe vlera të larta morale e njerëzore. Këto janë dy shtyllat e suksesit në shekullin që shkoi e do të jenë edhe në shekujt që vijnë. Do të ishte mirënjohje e respekt të shënonim ngjarje e personazhe, por në këto pak rreshta është e pamundur të shënojmë arritjet e një shekulli. Ato i gjeni në librin e sapobotuar nga mësuesi i njohur Fiqiret Hoxha me titull “Vatër e Dijes Shkodrane”, promovuar në këtë 100 vjetor. Libër që nuk duhet të mungojë të paktën në bibliotekën e mësuesve. Megjithatë, po shënojmë vetëm pak shifra: Nga kjo shkollë kanë dalë 22 dëshmorë të Luftës Antifashiste dhe 78 Martirë e Pishtarë të Demokracisë. Kanë punuar 25 mësues që mbajnë titullin “Mësues i Popullit” dhe 30 me titullin “Mësues i Merituar”. Janë dhjetëra urdhra e medalje që mban shkolla e mësues të veçantë. Janë qindra intelektualë që kanë dhënë kontribute në shkallë kombëtare në fushën e shkencës, kulturës, artit, sportit etj.. Janë nxënës e ish nxënës që kanë punuar e punojnë në fusha të ndryshme brenda e jashtë vendit. Kanë bërë emër e mbrojnë ngjyrat e vendit e Kombit. Në këtë shkollë, që sot numëron 1300 nxënës dhe çdo vit nxjerr mesatarisht 20 nxënës të shkëlqyer, shume mësues e drejtues shprehin dëshirën për t’u bërë pjesë e saj.

Në pamje të parë e mendon si privilegj punën në këtë shkolle. Por, kur njeh historinë e saj, një peshë e rëndë të vjen mbi supe. Dhe kjo të ngarkon me më shumë përgjegjësi, kërkon më shumë përkushtim. Aq më shumë, kur shkolla ndodhet para reformave të thella. Si në gjithë historinë e saj, edhe sot shkolla “Ismail Qemali” është përfshirë në projektin pilot për eksperimentimin e kurrikulës së re. Ekuivalenca me kurrikulën europiane është më afër se asnjëherë në Platformën e Reformës së nisur. Dhe nxënësit tanë që mund të lëvizin për arsye të ndryshme, mund të regjistrohen në klasën respektive në shkollat e vendeve të BE-së. Për të vazhduar, në koherencë me përvojën dhe kërkesat e kohës, shkolla jonë ndodhet para një sfide në fillimin e shekullit të ri. Në të gjitha reformat arsimore, që Shqipëria realizoi për një shekull, roli i ish mësuesve e ish nxënësve të shkollës “Ismail Qemali” ka qenë i pazëvendësushëm. E quaj të pandershme, po të mos shënohen disa prej tyre: Mësues të Popullit: Abaz Golemi, Ismail Anamali, Sheuqet Muka, Feti Dizdari, Enver Dracini, prof. dr .Jup Kastrati, prof. dr. Hamit Beqja, prof. dr. Musa Kraja, prof. dr. Ramadan Sokoli, prof. dr. Ardian Marashi, prof. dr. Mahir Hoti, prof. dr. Artan Haxhi. Mësuesit e Merituar: Gani Dizdari, Mehmet Gjyli, Hajrije Kraja, Meliha Dervishi, Menduh Derguti, Islam Dizdari; Albana Xhani “Mjeshtre e Merituar e Sportit”; Petrit Sula, Masar Bekteshi, Riza Lahi etj.. Kjo traditë duhet vazhduar, edhe në respekt të paraardhësve. Ish nxënësi i shkollës sonë prof. dr. Musa Kraja thekson “Në zhvillimin e kurrikulës së përgjithshme, ose të kurrikulës bazë, këndvështrimi historik është vendimtar”. Përulje para dëshmorëve të Luftës Antifashiste dhe Martirëve të Demokracisë që dolën nga bankat e shkollës “Ismail Qemali”. Mirënjohje mësuesve që për një shekull lartësuan figurën e mësuesit! Mirënjohje nxënësve të shkëlqyer që e renditën shkollën në nivelet më të larta! Mirënjohje prindërve që e mbështetën, e nxiten shkollën drejt progresit, drejt sukseseve!

Udhëtim të mbarë!

*Nëndrejtor i shkollës