Ndryshon ligji, deri në dhjetë vite burg kush rreh gruan në prani të fëmijëve

347
Sigal

Ndryshimet në Kodin Penal nuk do të jenë vetëm për periudhën përgjatë pandemisë, por do të ketë ndryshime edhe për dhunën në familje dhe pasuritë e sekuestruara nga OFL.

Në fillim ishte lajmëruar për ndryshimet në Kodin Penal për masat që do të merren për qytetarët që thyejnë karantinën, që do të fillonin nga gjoba dhe deri te 15 vite burgim.

Por ndryshim ka edhe për dhunën në familje, pasi është dyfishuar dënimi për personat që rrahin gruan apo ish gruan në sy të fëmijëve.

Një tjetër ndryshim prek edhe kanosjen serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, të personit që është bashkëshort, ish bashkëshort, bashkëjetues apo ish bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi ose lidhje apo ish lidhje intime me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko emocional dhe ekonomik dënohet me burgim nga dy deri në pesë vite.

Ndërsa plagosja e kryer me dashje të personit që është bashkëshort, ish bashkëshort, bashkëjetues apo ish bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi ose lidhje apo ish lidhje intime me autorin e veprës penale, që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme për punë më tepër se nëntë ditë, dënohet me burgim deri në pesë vite.

Këto akte dhune sipas ndryshimeve të propozuara nëse kryhen në mënyrë të përsëritur apo në prani të fëmijëve dënohen më 10 vite burg, duke dyfishuar në këtë mënyrë dënimet nga ato që janë aktualisht nga 3 në maksimumi pesë vite.

Edhe personat që përdorin pasuritë e sekuestruara nga OFL do të ketë dënim me 7 vite burg.