Skandali/ I kërkuari nga drejtësia për trafik droge, fitues i 1.5 milionë eurove nga tenderët e bashkive

640
                                                                      
Sigal

Një shqiptar i dënuar për trafik droge në Itali, edhe pse i kërkuar nga drejtësia italiane, ka mundur që nëpërmjet blerjes së aksioneve të një kompanie private të fitojë rreth 2 milionë euro nga prokurimet publike, ku 1.5 milionë i ka përfituar nga tenderët e shpallur në 8 bashki, ndërkohë që aksionet e tij në këtë kompani nuk janë sekuestruar nga autoritetet shqiptare, ndonëse pasuritë e tjetra të tij kanë rënë në rrjetën e ligjit Antimafia.

Kompania Leka 2007, me seli në Lezhë, është një kompani e krijuar që në vitin 2007, por në janar të vitit 2016, kësaj kompanie i është shtuar ortaku Parlind Selaj, i cili ka blerë 50 për qind të aksioneve të saj.

Ekstrakt nga QKR për Kompaninë Leka 2007 dhe kontrata për shitjen e aksioneve

Por në të njëjtën kohë, Selaj rezultonte i dënuar dhe në kërkim në Itali për trafik droge. Për këtë arsye, në vitin 2018, konkretisht në fillim të muajit shkurt, prokuroria sekuestroi pasuritë e këtij personi dhe dy vëllezërve të tij Valentin dhe Aleks Selaj. Sipas prokurorisë, tre vëllezërit dyshohen se e kanë vendosur pasurinë me trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe shfrytëzim prostitucioni, ndërsa janë vendosur në sekuestro preventive 15 pasuri të paluajtshme. Vëllezërit Selaj, paratë e fituara nga trafiku i drogës dhe prostitucionit i kishin investuar duke ndërtuar biznese në Lezhë. Një ndër pasuritë e sekuestruara është edhe Hotel Adria në Lezhë, por kompania ‘Leka 2007’, e cila ka qarkulluar shumë para me kontrata publike, nuk u bë objekt i sekuestrimit. Nga të dhënat e OpenData rezulton se për pesë vite 2015-2019, kjo kompani ka marrë nga buxheti i shtetit rreth 254.5 milionë lekë të reja, ose afërsisht 2 milionë euro.

Pagesat e Thesarit për “Leka 2007” në vitet 2015-2019

Duke qenë nën hetim nga prokuroria për pasurinë e vendosur nga trafiku i drogës, me disa manovra në fund të muajit shkurt 2018, bashkëshortja e Parlind Selajt, pas arrestimit të tij, ia dhuroi aksionet aksionerit tjetër të kësaj kompanie, duke e shmangur atë nga sekuestrimi i mundshëm i prokurorisë, edhe pse një nga aksionerët rezultonte me precedentë penalë.

Faksimile të kontratës së dhurimit të aksioneve

Për këtë kontratë dhurimi, por dhe për faktin që kjo kompani nuk është sekuestruar si biznes i një të dënuari për drogë, burimet nga prokuroria, të cilat nuk donin të identifikoheshin, deklaruan për Portën Vendore se “kjo çështje është në proces hetimor”.

Sipas të dhënave nga Prokuroria e Përgjithshme, Parlind Selaj, banues në Shëngjin është arrestuar që në vitin 2008 nga policia e Trentos në Itali si pjesëtar i një grupi kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike nga Holanda drejt Italisë, në kuadër të operacionit “Apuleio” dhe në vitin 2010 është dënuar me 4.6 vite burg. Pas dënimit, ai kishte mundur të vinte në Shqipëri dhe në vitin 2016 i është bashkuar kompanisë “Leka 2007”.

Kompania, 1.5 milionë euro nga tenderët e bashkive

Nga të dhënat e verifikuara nga Porta Vendore rezulton se pikërisht me blerjen e aksioneve nga ana e Parlind Selajt, kompania “Leka 2007” kishte filluar të lulëzonte në aktivitetin e saj, duke përfituar tenderë nëpër bashki, sidomos në ato të veriut, ku e kishte shtrirë më shumë aktivitetin e saj. Deri në vitin 2016, para se asaj t’i bashkohej i dënuari në Itali për trafik droge, kjo kompani kishte arritur të fitonte vetëm një tender publik me vlerë 518 mijë lekë të reja. Por, pas shitjes së gjysmës së aksioneve te Selaj, sipas të dhënave të siguruara nga Porta Vendore, kompania ka arritur të fitojë e vetme 44 tenderë me vlerë totale 162.5 milionë lekë të reja pa TVSH (1.5 milionë euro) të shpallur nga 8 bashki në Shqipërinë e Veriut, ndërkohë që në bashkëpunim me kompani të tjera ka fituar 6 tenderë me vlerë rreth 31 milionë lekë të reja. Ndërsa rreth 500 mijë euro të tjera, kjo kompani rezulton se i ka fituar me institucione të tjera vendore. Pra, sipas të dhënave të mbledhura nga openprocurement.al, kompania ku aksioner ishte një i dënuar për trafik droge ka arritur të marrë mbi 1.5 milionë euro nga tenderët publikë të shpallur nga bashkitë.

Madje, nga 44 tenderë të fituar vetëm nga kompania “Leka 2007” rezulton se 19 prej tyre, ose 43% e tyre, janë fituar me mungesë gare (negocim të drejtpërdrejtë), ose mungesë konkurrence (janë skualifikuar të gjithë konkurrentët e tjerë, veç fituesit).

19 tenderët e fituar në bashki pa konkurrencë nga “Leka 2007”
Bashkia Tenderi Vlera
 Shkodër Sherbimi i pastrimit te Njesive Administrative Velipoje, Dajc 9 188 764
 Lezhë Furnizim me artikuj ushqimore per kopshte, konvikte dhe cerdhe te bashkise Lezhe 15 476 608
 Lezhë Blerje artikuj ushqimor 905 000
 Shkodër Loti i IV-te“Shërbimi i pastrimit te Njesive Administrative Velipoje, Dajc“ 8 770 029
 Kurbin Blerje kontenierësh, Bashkia Kurbin. 1 250 000
 Kurbin Blerje zjarrfikese, Bashkia Kurbin 8 166 667
 Lezhë Blerje artikuj ushqimor 225 000
 Shkodër Loti i VI-te“Shërbimi i pastrimit te Njesive Administrative Velipoje, Dajc“. 974 400
 Lezhë Furnizim me artikuj ushqimore për Konviktin e Shkolles të Mesme, Çerdhe e Kopshte. 5 384 830
 Shkodër Blerje mjet transporti 1 830 000
 Kurbin Blerje kontenieresh, Bashkia Kurbin. 1 500 000
 Has Blerje Kamion Teknologjik për mbetjet, Kontejnerë 1100 litra , Aksesorë Kontejnerësh 2 500 000
 Mat Blerje kontenjere pastrimi 886 500
 Lezhë Grumbullimi, transporti, i mbetjeve urbane, selektimi i mbetjeve të riciklueshme, depozitimi i mbetjeve të pariciklueshme ne landfill në Zonën Balldre, Kallmet, Dajç, Blinisht dhe Ungrej (Zona e III-të) e bashkisë Lezhë 50 563 304
 Malësi e Madhe Blerje Kontenier 2 500 000
 Lezhë Blerje e dy mjeteve 3 333 333
 Dibër Blerje kontenierë mbetjesh urbane për nevojat e Bashkisë Dibër 5 428 500
 Krujë Blerje Kontenjere për mbetjet urbane 1.1 m3 dhe kontenjerë të vegjël 0.66 m3 për territorin e Bashkisë Krujë 2 496 000
 Kurbin Blerje kontenierësh, Bashkia Kurbin 2 083 334

Zjarrfikësja me dyfishin e çmimit

Një prej këtyre tenderëve, ku vihet re se janë skualifikuar të gjithë konkurrentët veç fituesit “Leka 2007”, është ai për blerjen e një mjeti zjarrfikës për Bashkinë e Kurbinit. Konkretisht, më datë 28.01.2019, Bashkia Kurbin ka realizuar prokurimin publik me objekt “Blerje mjeti zjarrfikës”, me fond limit, 8.1 milionë lekë të reja, ku fitues është shpallur subjekti Leka-2007 SHPK. Në këtë procedurë të hapur rezulton se kanë konkurruar dhe pesë operatorë të tjerë ekonomikë, por 4 prej tyre janë tërhequr dhe i pesti është skualifikuar. Duke verifikuar tenderët për blerje mjetesh zjarrfikëse nga ana e bashkive që nga viti 2015 deri në vitin 2019 rezulton se ky tender kap vlerën më të lartë për blerjen e një mjeti të tillë nga ana e një bashkie, kjo dhe sipas tabelës së publikuar më herët nga Porta Vendore për investimet në shërbimin zjarrfikës. E pyetur për këtë çështje, Bashkia Kurbin deklaron se kjo ka ardhur për shkak të specifikimeve teknike. “Autoriteti Kontraktor Bashkia Kurbin fondin limit e ka përllogaritur bazuar në specifikimet teknike të domosdoshme që duhet të ketë një mjet zjarrfikës për të qenë efiçient në punë, si dhe bazuar në bazë të llojit të mjetit zjarrfikës dhe gjendjes teknike të tij”, deklaroi Bashkia Kurbin në një prononcim për Portën Vendore.

Megjithatë, sipas verifikimit të bërë rezulton se pothuajse me të njëjtat specifikime teknike, bashki të tjera kanë arritur të blejnë një mjet të tillë zjarrfikës me gjysmën e këtij çmimi. Konkretisht, një prej tyre është Bashkia Vorë, e cila me një fond prej rreth 7 milionë lekësh të reja ka blerë një zjarrfikëse, një automjet bot uji dhe pajisje të tjera. Nga verifikimi i specifikimeve teknike, për të cilat Bashkia Kurbin deklaron se kanë sjellë çmimin e lartë për blerjen e mjetit zjarrfikës, rezulton se ndryshon vetëm viti i prodhimit, pasi zjarrfikësja e Kurbinit është kërkuar me vit prodhimi 2004-2017, ndërsa ajo e Vorës me vit prodhimi 2000-2017. Nuk dihet se nëse pikërisht kjo diferencë vitesh ka sjellë dyfishim të çmimit për zjarrfikësen e blerë nga Bashkia Kurbin.

Megjithatë, në tenderin e Bashkisë Kurbin nuk vihet re vetëm ky fakt, por dhe fakti se 4 konkurrentë janë tërhequr para garës pa dhënë shpjegime, ndërsa i pesti është skualifikuar nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertës, duke u kualifikuar vetëm “Leka 2007”. Pikërisht për këtë arsye, Porta Vendore pyeti Bashkinë Kurbin nëse ka pasur ndonjë hetim administrativ mbi këtë rast, duke pasur parasysh dhe faktin se vlera fituese është pothuajse e njëjtë me fondin limit. “Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Bashkinë Kurbin, ka bërë vlerësimin e procedurës së prokurimit bazuar në ligjin Nr.9643, datë 20.11.2006 ‘Për Prokurimin Publik’ si dhe të çdo akti ligjor dhe nënligjor në fuqi. Sqarojmë se duke qenë se procedura është bërë e rregullt nuk ka pasur ndonjë hetim administrativGjithashtu sqarojmë se procedura e prokurimit është realizuar në sistemin e prokurimit elektronik, dhe në këtë procedurë kanë marrë pjesë 6 (gjashtë) operatorë ekonomikë, ku katër operatorë ekonomikë janë tërhequr nga procedura, duke bërë kërkesë për tërheqje në sistemin e prokurimit elektronik, pra theksoj se janë skualifikuar, pasi kanë bërë vetë kërkesë për tërheqje nga procedura e prokurimit, si dhe 1 (një) operator ekonomik është skualifikuar pasi nuk ka plotësuar dokumentacionin e kërkuar nga Autoriteti Kontraktor. Gjithashtu sqarojmë se për këtë procedurë prokurimi nuk ka pasur ankesa nga asnjë operator ekonomik”, deklaroi Bashkia Kurbin.

Tenderët me një konkurrent

Po ashtu, Porta Vendore tentoi të kontaktojë dhe me kompanitë që janë tërhequr para garës për blerjen e zjarrfikëses së Kurbinit, por asnjë prej tyre nuk foli mbi këtë çështje. Tenderët që zhvillohen me një konkurrent të vetëm përbëjnë një shqetësim të ngritur prej disa vitesh, tashmë është dhe në fokusin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Vetëm pak ditë më parë, KLSH deklaroi se në garat e hapura për projekte të ndryshme mungon pothuajse totalisht konkurrenca, që në fakt nuk ndalohet nga ligji për prokurimet publike. Në bazë të auditimit të KLSH për vitin 2019, rezulton se në 33% të tenderëve publikë me fitues ka marrë pjesë vetëm një garues, ose janë skualifikuar të gjithë konkurrentët e tjerë. Nisur nga kjo, KLSH ka rekomanduar ndryshim ligjor në lidhje me vlefshmërinë e procedurave të prokurimit me jo më pak se dy operatorë ekonomikë pjesëmarrës që plotësojnë kriteret e kualifikimit, me qëllim rritjen e konkurrencës së pjesëmarrjes dhe efektivitetit të përdorimit të fondeve publike.

Shmangia e verifikimit për të dënuarit

Megjithatë, zhvillimi i tenderëve me një konkurrent të vetëm, nuk është i vetmi shqetësim për prokurimet publike. Në ligjin përkatës rezulton se është parashikuar se personat e dënuar për disa vepra penale të rënda përjashtohen nga tenderët publikë. Konkretisht në nenin 45 të Ligjit për Prokurimet Publike janë përcaktuar kriteret e përjashtimit të kandidatëve ose ofertueseve. “Autoriteti kontraktor përjashton nga pjesëmarrja në procedurat e prokurimit çdo kandidat ose ofertues, kur ka të dhëna se janë ose kanë qenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për; pjesëmarrje në organizatë kriminale; korrupsion; mashtrim dhe pastrim parash. Autoriteti kontraktor mund t’u kërkojë ofertuesve të paraqesin dokumentet e përmendura në pikën 3 të këtij neni dhe kur ka dyshime, mund t’u drejtohet organeve kompetente për të marrë ndonjë informacion të nevojshëm për integritetin dhe gjendjen personale të ofertuesve në fjalë. Kur kërkohet informacion për ofertuesin rezident në një shtet të huaj, atëherë autoriteti kontraktor mund të kërkojë bashkëpunimin e autoriteteve kompetente”, deklarohet në pikën 1 të nenit 45 të ligjit për Prokurimet Publike. Kjo procedurë i lihet në dorë deklaruesit, që në rastin konkret ka qenë i dënuar në Itali dhe jo në Shqipëri, duke përfituar në këtë mënyrë abuzivisht nga tenderët publikë. Por ajo që vihet re është fakti se pavarësisht se ai ka qenë i dënuar gjatë kohës që ka fituar tenderë, pas momentit të zbulimit të tij, kompania që ai përfaqësonte nuk është penalizuar.

Leka 2007, fitues me aksioner të arrestuar

Po ashtu, zbulimi i dënimit në Itali, në momentin që prokuroria i ka sekuestruar pasurinë, sërish nuk e ka penguar që të fitojë tenderë publikë. Sipas informacioneve të siguruara nga Porta Vendore, Parlind Selaj, aksioner i “Leka 2007” është zbuluar nga prokuroria shqiptare se ka qenë i dënuar në Itali për grup kriminal në janar të vitit 2018. Më 6 shkurt 2018 është organizuar dhe operacioni për sekuestrimin e pasurisë, ndërkohë që më 28 shkurt, ai i ka dhuruar aksionet ortakut tjetër (sipas kontratës më lart të firmosur nga bashkëshortja e tij). Por nga 6 shkurti deri më 28 shkurt, ai ka arritur të fitojë një tender tjetër, pra edhe pse ishte zbuluar se ishte dënuar në Itali, siç e parashikon dhe Ligji për Prokurimet Publike. Konkretisht, ai ka fituar një tender në Bashkinë e Shkodrës. Bëhet fjalë për një tender, i hapur më 7 shkurt dhe që është mbajtur më 19 shkurt 2018, me vlerë rreth 1.8 milionë lekë të reja për blerjen e një automjeti, i cili është realizuar me një konkurrent të vetëm. Megjithatë, të gjitha këto fakte, qoftë para zbulimit, qoftë pas zbulimit nuk e kanë penguar një person të dënuar që të përfitojë para publike.