Muka dështoi në Albpetrol, emërohet këshilltare e Ballukut

590
Sigal

Eriola Muka dështoi në drejtimin e “Albpetrol”, tashmë këshilltare e ministres Balluku

Eriola Muka, ish-drejtoresha e “Albpetrol”, e cila u largua së fundmi nga detyra për shkak të dështimeve spektakolare në drejtimin e kompanisë së naftës, tashmë do të këshillojë Ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, pavarësisht se ndaj saj janë të hapura dy hetime penale për “Shpërdorim detyre” dhe “ndërhyrje në rrjetet kompjuterike”. Belinda Balluku dhe Eriola Muka kanë bashkëpunuar vite më parë në Bashkinë e Tiranës, kur ajo drejtohej nga Edi Rama. Balluku u emërua Ministrie e Infrastrukturës në fund të vitit 2018, ndërkohë që disa muaj më pas, Eriola Mukës iu besua drejtimi i “Albpetrol”, kompani nën varësinë e Ministrisë së drejtuar nga Balluku. Eriola Muka është akuzuar publikisht nga ish-deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, për emërime nepotike në kompaninë e naftës dhe e ka shoqëruar denoncimin e tij publik me lista zyrtare emërore, të cilat, sipas tij, janë emërime të kryera nga Eriola Muka në kushtet e nepotizmit dhe konfliktit të interesave. Në vijim, Muka dyshohet se është personi përgjegjës për dështimin dy herë rresht të ankandit më të madh të shitjes së naftës, të organizuar nga kompania “Albpetrol”. Në Shkurt dhe Prill 2020, “Albpetrol” dështoi dy herë të finalizonte ankandin për shitjen e rreth 118 mijë ton naftë nga rezervat e saj. Tashmë, pas këtyre dështimeve profesionale dhe menaxheriale, Eriola Muka pritet të këshillojë ministren Balluku.