Atentati në Durrës, zbardhet dosja e Prokurorisë: Si u ekzekutuan vëllezërit Haxhia

469
Sigal

Zbardhet dosja e Prokurorisë lidhur me hetimet për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia, ngjarje e ndodhur pasditen e 27 prillit në Durrës në zonën e njohur si tregu i automjeteve.

Në dosjen hetimore që mban firmën e prokurorit Gëzim Veizi, thuhet se trupat e pajetë të dy vëllezërve, Besmir dhe Viktor Haxhia janë gjetur në makinën me të cilën ata udhëtonin, tip “Golf VI” me targa AA716ZZ.

“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, mbi asfalt në afërsi pranë mjetit është gjetur një sasi prej 55 gëzhoja arme model 56”, thuhet në dosje, ku theksohet ndër të tjera se mjeti ka marrë dëmtime të shumta.

“Në këqyrjen e kufomave, ka rezultuar se në trupin e tyre konstatohen dëmtime të shkaktuara nga arma e zjarrit në pjesën e trupit dhe kokës”, thuhet në dosjen e Prokurorisë, bazuar në provat e mbledhura në vendin e ngjarjes.

Dosja e Prokurorisë thekson më tej se automjeti i viktimave është ndjekur nga pas nga makina “Toyota” e autorëve. Në momentin e parakalimit, të drejtim të makinës “Golf VI”, është qëlluar me armë zjarri kallashnikov. Policia gjeti ditën e djeshme tre armë kallashnikov dhe automjetin e përdorur në atentat.

Lidhur me vrasjen që tronditi opinionin publik policia tha se ka arrestuar dy persona si autorë të dyshuar në vrasje, Altin Ndocin si edhe 22-vjeçarin Klevis Alla, ndaj të cilëve gjykata dha sot masën e arrestit me burg.

Shkak për vrasjen e Besmir dhe Viktor Haxhia dyshohet të ketë qenë prishja e pazareve të drogës. Një nga viktimat, Besmir Haxhia në vitin 2018 është deportuar nga Franca ku ka qenë person i dyshuar për përfshirje në trafik droge.