Banka e Shqipërisë: Njerëzit marrin kredi për ‘bukën e gojës’

421
Sigal

Nga vrojtimi mbi Gjendjen Financiare dhe Huamarrjen e Familjeve, të kryer nga Banka e Shqipërisë për 6-mujorin e dytë të 2019-s, rezulton se numri i familjeve që deklarojnë se kanë një ose më shumë hua për të paguar në momentin e intervistimit, pavarësisht llojit, burimit apo vlerës së kësaj huaje, ka rezultuar në 257 familje ose rreth 24% e të përgjigjurve. Kjo peshë ka mbetur e pandryshuar krahasuar me 6-mujorin e kaluar dhe ka shënuar një rënie të lehtë (me 1.8 pp) krahasuar me një vit më parë, duke vijuar të mbetet nën mesataren historike të vrojtimit prej rreth 28%.

Qëllimet e huamarrjes. Qëllimet kryesore të huamarrjes mbeten: ‘për konsum’ në 34% të rasteve të huamarrjes, ‘për blerje/riparim i një prone’ në 30% të rasteve dhe për ‘zhvillim biznesi’ në 12% të rasteve. Pesha e rasteve të huamarrjes për ‘blerje/riparim prone’ ka rezultuar në rritje me 2 pp gjatë gjashtëmujorit të vrojtuar dhe në rritje me 4 pp krahasuar me një vit më parë. Nga ana tjetër, huamarrja për ‘konsum’ ka shënuar një rritje të lehtë (me 1 pp) në terma 6-mujorë, por ka shënuar rënie (me 4 pp) në terma vjetorë. Huamarrja për ‘zhvillim biznesi’ ka rezultuar në rënie gjatë të dyja periudhave.