Xhevat MUSTAFA:  “Rritje marramendase e pensioneve!”                                       

479
Sigal

                                      Për të qeshur e për të qarë

 Lum, ne, shumica e qytetarëve pensionistë të “Shqipërisë së rilindur”! Në një “ditë të shënuar”, që mund të quhet festa e politikës dhe qeverisjeve kombëtare shqiptare, më 1 prill, na janë “rritur”(rimbursuar) me rreth 2.7% pensionet! Edhe këtë herë, si çdo vit, “duke harruar” se sa na janë rritur çmimet, faturat e energjisë elektrike, ujit, ilaçeve, spitaleve, gjykatave, hipotekave, ushtritë e të papunëve, të të falimentuarve, të lypsarëve, emigrantëve…,pra, kostoja e jetesës në përgjithësi! Më shqip, duke “harruar” se edhe gjatë vitit 2020 na u rritën lart e më lart, sa kullat e reja në mes të Tiranës, Durrësit, Vlorës…papunësia, varfëria, huamarrja, borxhet,  sëmundshmëria, vdekshmëria…Rritja apo rimbursimi i pensioneve  për vitin 2021, vetëm 25 ditë para zgjedhjeve për pushtetin qëndror më 25 prill, është “marramendase” për shumicën e pensioneve, nga 12.000- 25.000 lekë si dhe për shumën e mbështetjes sociale mujore në rreth 6.500-.7.500 lekë për familjet tejskajshmërisht të varfëra. Duke u shprehur me shifra konkrete rritja është afërsisht baraz me 300-600 lekë në muaj. Në artikuj ushqimorë e të tjerë rritja është saktësisht ose afërsisht sa 1 kg gjizë, reçel, groshë, me 3-4  kg qepë të thata, patate, presh, me 3-4 kg portokalle ose mollë, me 2-3 kutia rreth 200 gramëshe hurma arabie; me I kg kumbulla ose fiq të thata; me 1 kg sardele ose peshk qefull, me 1 kg djathë të lirë, 400-500 lekë kg, me 0.75- 1 kg gjalp të patretur; me 1 kg mish apo sallam derri, rreth 700 lekë, me 0.25 kg mjaltë, arra të thata, bajame të qëruara, lajthi…tek Pazari i Ri…në Tiranë! Ose 1-2 paketa cigare, 4-5 shishe birra Tirana, Korça, Peja…; 1-2 shishe gjysmë litërshe raki Përmeti apo Berati…Ose sa vlera në lekë e një gjysëm aboneje të përgjithshme udhëtimi  me autobuzë nëpër linjat e brendshme të Tiranës…Ose, ose sa për 1-2 palë brekë, kanatjere, fanella…Për  ta lidhur me pandeminë më se 1 vjeçare rritja e pensioneve më 1 prill 2021 është edhe sa shuma e  lekëve që na duhet të shpenzojmë për 10-20 maska për mbrojtje nga coronavirusi kinez gjatë një muaji, duke  i larë çdo ditë, edhe pse sipas Komitetit Shtetëror të Ekspertëve, domethënë sipas Najada Çomos, Silva Binos, Pëllumb Piperos…ato janë një përdorimëshe…Me këto çmime të të gjithë artikujve të sipërpërmendur na takon “të mburremi” se ia kemi kaluar me 25- 50 %  edhe…Gjermanisë, me paga e pensione rreth 5- 10 herë më të larta!

Në shenjë mirënjohjeje për këtë “rritje të re marramendase të pensioneve” na takon që të thërasim deri sa të ngjiremi e të na dëgjojë e gjithë bota: të na rrojë sa malet e Nartës, Divjakës, Gjirit të Lalëzit, Qerretit të Kavajës, Kasharit, Hamallajt, Fushë- Krujës, Tales, Shëngjinit, Velipojës…Edi Rama dhe qeveria e tij, që prej 8 vjetësh është shkrirë për këtë popull si…akullore apo si qiri, si askund jo vetëm në këtë  botë, por në gjithësi!