Prej 5 vitesh, drejtuesit e Parkut nuk derdhin detyrimin financiar në arkën e komunës
Taksat lokale janë bërë shkak për konfliktin institucional ndërmjet komunës Dermenas dhe parkut arkeologjik të Apolonisë. Përgjegjësi i sektorit të Tatim- Taksave në këtë njësi vendore, Kadri Fasko, është shprehur për gazetën “Telegraf”, se drejtuesit e parkut të Apolonisë prej 5 vitesh i janë shmangur pagesës së tarifave të taksave vendore të miratuara nga Këshilli i Komunës edhe pse është njoftuar zyrtarisht Drejtoria e Parkut të Apolonisë dhe Ministria e Kulturës, ka thënë kryeinspektori i Taksave në Komunën e Dermenas. Arroganca a drejtuesve të këtij parku, sipas tij ka bërë, që konflikti të rrisë përmasat deri në ndërmarrjen e iniciativës nga vetë njësia vendore, për t’i vjelë vetë tarifat e dy taksave, për të cilat ka vendosur Këshilli i Komunës nëpërmjet një forme tjetër, asaj të vendosjes së traut të postbllokut në hyrje të territorit të parkut të Apolonisë, për parkimin e të gjitha automjeteve të vizitorëve vendas dhe të huaj, sipas llojit të automjetit, edhe pse ky veprim do rrisë koston për vizitorët, shkak për të cilën do të bëhen drejtuesit e parkut
Reagimi
Kjo është një histori e trishtueshme që ka filluar 5 vite më parë, ka thënë drejtori i parkut Marin Haxhimihali. Parku i Apolonisë ashtu si edhe 9 parqe të tjerë të vendit, varen nga pushteti qendror dhe nuk janë subjekt dhe të tatueshme nga pushteti lokal, pasi nuk varen prej tij. “Ne nuk njohim asnjë borxh qe nuk është i ligjshëm”, ka thënë z. Haxhimihali. Fatkeqësisht, nga Komuna Dermenas kërkohet një taksë paralele nga pushteti vendor edhe pse nuk ofrohen shërbime, madje për ironi të fatit komuna në fjalë nuk ka as brigadë pastrimi dhe as punë me kohë të pjesshme. Nëse kjo logjikë absurde, do të vazhdoj më tej dhe nuk i jepet fund nga instancat shtetërore në nivel qendror dhe lokal, atëherë ky rast do të bëhet precedent i rrezikshëm për të gjithë shqiptarët, të cilët sipas kësaj logjike duhet t’ i paguajnë nga dy herë taksat për të njëjtin shërbim. Jemi ankuar edhe në Prefekturën e Qarkut Fier, ka thënë drejtori i Parkut të Apolonisë, për të parë ligjshmërinë e vendimit të Këshillit të Komunës Dermenas. Ky veprim dëmton zhvillimin e turizmit kulturor, sipas të cilit edhe përpara dy vitesh Komuna e Dermenasit, ndoqi të njëjtën strategji. Më pas numri një i këtij parku, ka ulur tonet duke bashkëpunuar me Komunën Dermenas për zbatimin e projekteve që synojnë zhvillimin e turizmit kulturor në kuadër të strategjisë së qeverisë, por jo me këto forma. Ndërkohë që, ultimatumi drejtuesve të pushtetit lokal në Komunën Dermenas, ka qenë i prerë, se nëse Parku i Apolonisë, nuk paguan borxhin financiar për shmangie nga pagesa e taksave vendore, brenda javës së parë të muajit korrik, atëherë do të vendoset trau për vjeljen e taksave te sipër përmendura nga inspektorët e komunës, pasi borxhi ka penguar zbatimin e shumë projekteve të planifikuara për t’ u financuar nga buxheti lokal, në funksion të përmirësimit të jetës së banorëve te kësaj komune, ka thënë i vendosur krye tatimori i Komunës Dermenas, zoti Kadri Fasko .