“Mos sulmoni reformën”! Thirrja, nga ata që e minuan ‘drejtësinë e re’ me duart e tyre

294
Sigal

Reforma në drejtësi ishte padyshim një togfjalësh me pritshmëri të larta në vitet 2015-2016, i cili presupozonte të lehtësonte bindshëm rrugëtimin e vendit drejt integrimit evropian!

Sot, përkundrazi, shohim se ishte kjo reformë që e ktheu Shqipërinë në një kavje, ku siç po shihen edhe rezultatet, eksperimenti dështoi me sukses.

E morën reformën e votuar me konsensus unanim nga Parlamenti në vitin 2016, ja hoqën të gjithë aktorët një e nga një, duke e shndërruar në një drejtësi të kontrolluar tërësisht nga duart e pushtetit.

Ankoheshim për drejtësinë e vjetër, e cila me të vërtetë kishte nevojë emergjente për reformim, por nuk prisnim si produkt një ‘drejtësi të re’ që kontrollohet nga qeveria dhe s’ka asnjë mundësi, sic edhe ka treguar gjatë kësaj kohe, të godasë korrupsionin në nivelete e larta të pushtetit.

Dhe sot na thonë, mos e sulmoni refomën, se po minoni punën e bërë në gjithë këto vite?

Cilën punë të nderuar zonja e zotërinj? Kapjen totale të sistemit nga partia në pushtet? Kthimin e vendit në një eksperiment të cilin sot nuk pranon ta adoptojë asnjë vend i Rajonit si praktikë e dështuar e reformimit të drejtësisë?

Calavera dhe dështimi që nuk pranohet

Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian dhe shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), Genoveva Ruiz Calavera tha sot se: “ Reforma nuk duhet të minohet nga sulme të ndryshme!” . Referuar hetimeve ndaj gjyqtarit te pezulluar te KPA-se Luan Daci, shefja e ONM-së pohoi: “Hetimi aktual në rastin e njërit prej anëtarëve të Kolegjit të Apelimit, dhe pezullimi i mëpasshëm nga detyra, nuk duhet të jetë një justifikim për të sulmuar reformën gjyqësore, përkundrazi, duhet të shihet si prova më konkrete që sistemi ka filluar të funksionojë në mënyrë efektive.”

Sipas saj, kapja e rastit të Dacit është: “merita e vërtetë dhe vlera e shtuar e një gjyqësori që funksionon në një shoqëri demokratike të bazuar në sundimin e ligjit, çka konfirmon se qytetarët tashmë kanë strukturat e duhura në mënyrë që pretendimet për korrupsion ose sjellje të pahijshme të mund të hetohen siç duhet.”

Po a jeni në dijeni ju zonja Calavera se rasti Daci u zbulua nga denoncimi i ish-prokurores Antoneta Sevdari e cila u shkarkua nga Komisioni i Vlerësimit që drejtohej pikërisht nga ky person?

Cila na qenkërka vlera e shtuar e këtij gjyqësori që funksionon, kur zbulimin e rastit skandaloz nuk e bëri “drejtësia e re” zonja Calavera, por një prokurore me integritet, që pikërisht “drejtësia e re” e drejtuar nga z.Daci, e nxorri nga sistemi paturpësisht.

Sot shefja e ONM-së duhej ti kishtë lënë mënjanë justifikimet e turpshme dhe duhej ti kërkonte falje shqiptarëve për këtë skandal. Si shefe e ONM-së, Calavera është një nga autorët kryesorë të procesit të Vettingut dhe reformës në tërësi. Dhe në ditën kur kjo reformë kapet në flagrancë me rastin Daci, zonja Calavera zgjedh të flasë për merita të sistemit të ri dhe ndaljen e sulmeve ndaj reformës!

Pra sipas zonjë Calavera, nuk ka asnjë problem që një gjyqtar,  anëtarit i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, është zgjedhur në detyrë në mënyrë të paligjshme. Sipas zonjës Calavera, nuk përbën asnjë shqetësim që një person që është formuar si jurist vetëm  6 muaj, në Plepa, sot kryeson trupën e apelimit të vendimeve të vettingut.

Pra me pak fjalë, sipas zonjës Calavera, nuk ka asnjë problem që në trupën e drejtësisë së re, ishte deri para pak javësh një person që ishte shkarkuar në vitin 1997 për shkelje të ligjit dhe për paaftësi në detyrë!

Po ONM, që presupozohet të filtrojë çdo kandidat zonja Calavera, ku ishte në rastin e zotit Daci?

Në vend që më së paku të heshtni në këtë kapje flagrancë të demaskimit të drejtësisë, ju sot zgjidhni të flisni kryelartë për reformën dhe të akuzoni kritikuesit e saj si minues të procesit!

Sa TURP zonja Calavera!

Ne e kuptojmë se halli juaj zonja Calavera dhe i ambasadorëve është te justifikimi i parave të taksapaguesve evropianë e amerikanë, ku janë derdhur me dhjetëra milionë euro për këtë reformë që po rezulton kokë e këmbë e  dështuar në Shqipëri.

Por kjo s’do të thotë që ju të shpëtoni kokat tuaja,e për të tjerat të bëhet ç’të dojë. Kjo mënyrë do ishte e papranueshme për cilindo vend evropian. Nuk do kishte as shansin më të vogël zonja Calavera që këtë sjellë dhe mënyrë veprimi ta aplikonte te cilido prej vendeve anëtare të Bashkimit Evropian! Aq eksperimental ishte i gjithë procesi i kësaj reforme, sa fqinjët tanë kanë refuzuar kategorikisht aplikimin e tij!

Dhe në vitin 2015 Komisioni i Venecias na paralajmëroi për rrisqet e një eksperimenti të tillë, por pak kush në atë kohë ja vuri veshin: “Zgjidhje të tillë radikale (si procesi i rivlerësimit) janë të paarsyeshme në kushte normale, pasi krijojnë tensione të mëdha brenda gjyqësorit, destabilizojnë punën e gjyqtarëve, shton mosbesimin e publikut në gjyqësor, shmang vëmendjen e gjyqtarëve nga detyrat e tyre normale, dhe, si çdo masë të jashtëzakonshme, krijon rrezikun e kapjes së gjyqësorit nga ana e forcës politike që kontrollon procesin.”- thuhej në rekomandimin e Komisionit.