Mjeku imunolog Genc Sulçebe flet për krijimin e vaksinave kundër Covid-19

343
Sigal

Mjeku imunolog Genc Sulçebe sugjeron që të gjithë qytetarët duhet të mbajnë maska për t’u mbrojtur nga koronavirusi.

I ftuar në “Opinion”, ai thotë se tashme duhet ta kthejmë në kulturë mbajtjen e maskave si mënyrë për të penguar virusin, ndërsa i quan “trima të marrë ose të pakulturë” ata që refuzojnë.

“Tani fatkeqësisht dhe ne duhet ta mësojmë këtë kulturë, duhet të gjithë të mbajmë maskë. Ata që nuk mbajnë maskë duhet t’i quajmë trima të marrë ose të pakulturë, sepse maska është i vetmi vendmbrojtës i rrugëve të frymëmarrjes që të fusim këtë virus në organizmin tonë dhe të pengojmë që ky virus të shkojnë tek të tjerët nëse e kemi marrë”.

Ndërsa në botë janë të paktën 70 kompani që po punojnë për zhvillimin e një vaksine, mjeku Sulçebe se vetëm 5 ose 7 prej tyre do të arrijnë në sukses.

“Punohet në SHBA, Kinë, Britani, por testimi në njerëz ka filluar vetëm në Kinë dhe në SHBA”, tha mjeku duke u shprehur që testimi i një vaksine tek njerëzit duhet të kalojë në 4 faza.

“Së pari testohet nëse ka efekte të dëmshme. Në fazën e dytë shihet se si reagon sistemi imunitar dhe nëse reagon me sukses, kalon në dy grupe: një grup që quhet placebo dhe një grup që merr vakasinën e vërtetë. Faza e katërt është me popullatën e gjerë. Testohet në një grup të madh prej 10 mijë vetësh. Këto faza zgjasin të paktën 3 muaj, por duke patur parasysh emergjencën faza e parë dhe e dytë mund të zhvillohen paralelisht. Në rast se këto dalin me sukses mund të kalohet direkt në provën e një grupi të madh individësh”, u shpreh mjeku.

Dr. Sulçebe tha se mbrojtja e vaksinës është më shumë se 80% dhe në rastin e koronavirusit mendohet se suksesi i vaksinës do të jetë i mundshëm sepse krijohen antitrupa.