Merkel njoftoi mos çeljen e negociatave, reagon Meta: Bundestagu e ka kusht hetimin e dosjeve të Shijakut dhe Dibrës

298
Sigal

Pas deklaratës së kanceraler Angela Merkel, se është skeptike për hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë këtë vit, ka reaguar edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Në një lidhje live për ‘Syri’ Kreu i Shtetit u shpreh se kushtet të cilat janë primare nga Bundestagu Gjerman për çeljen e negociatave, si hetimi i krimit zgjedhor, nuk janë plotësuar qëllimisht nga qeveria.

Sipas Metës kjo deklaratë e sotme e kancelares Merkel është një gjuhë e zbutur diplomatike, por thekson se qëndrimi i Gjermanisë ka qenë i qartë prej kohësh.

“Nuk vë baste për mos çelje negociatash të Shqipërisë me BE. Unë ju kam thënë prej vitesh që nuk ka çelje të negociatave dhe e kam treguar qartë se farë duhet bërë dhe ato që unë i kam treguar qartë në nivel ndërkombëtar ka pasur një institucion që i ka treguar po kaq qartë që është Bundestagu.

Kjo deklaratë e kancelares Merkel është një gjuhë e zbutur diplomatike, por mendoj se qëndrimet kanë qenë të qarta.

Bundestagu ka tre katër vjet që e ka kusht hetimin e krimit zgjedhor, dy dosjet e Shijakut edhe të Dibrës, por jo vetëm.

Ne nuk kemi dashur ti plotësojmë kushtet. Kushtet kanë qenë aty dhe qeveria i ka shkelur në mënyrë të qëllimshme”, tha Meta.