Me 2.2 milionë euro kanabis në cisternë: Si u kapën shqiptarët

500
Sigal

Mafia shqiptare duket se ka punuar për muaj të tërë për të përshtatur një cisternë për transportimin e drogës në Saksoni. Por hetuesit e Dresdenit ia dolën të kapin bandën

Nga Alexander BischoffTAG24

Zyrtarisht, gjysmë-rimorkiatori i përshtatur në Spanjë, duhej të transportonte lëngje të padëmshme. Por brenda cisternës së madhe gjendej një tjetër cisternë më e vogël, që nuk shihej nga jashtë. Aty ndodhej edhe malli i vërtetë, që transportohej mesa duket rregullisht nga Spanja drejt Gjermanisë – marijuana.

Kur cisterna kaloi kufirin në fund të prillit, hetuesit doganorë saksonë nuk e lanë t’u shpëtonte nga sytë. Ata panë se si ajo u zhduk në një depo në Brandenburg. Prej atje, marijuana u nda në dy makina transportuese më të vogla. Njëra u nis për Lajpcig, tjetra për në Berlin.

Operacioni u bë direkt pas mbërritjes së drogës. Në Lajpcig dhe Berlin u kontrolluan gjithsej pesë apartamente. Në Brandenburg u bastis depoja e vëzhguar më herët. Kamioni cisternë u ndalua gjatë udhëtimit të kthimit dhe u sekuestrua.

Ky aksion ishte kulmi i punës hetimore 11-mujore nga Agjencia e Hetimit Doganor në Dresden kundër një klani të mafias shqiptare, që mendohet se furnizonte me ‘bar’ Berlinin dhe Saksoninë. Në përgjithësi, zyrtarët arritën të kapin 220 kilogramë marijuanë- vlera e shitjes në rrugë: rreth 2.2 milionë euro. Përveç kësaj u sekuestruan edhe 34 mijë euro në para të gatshme dhe një makinë.

Krerët e dyshuar të bandës, tre shqiptarë (35, 35 dhe 22 vjeç) u arrestuan në Berlin. Në Lajpcig u arrestua një gjerman 27-vjeçar. Edhe shoferi i kamionit, një spanjoll 50-vjeçar dhe një turkmen 44-vjeçar ranë në burg.