Mbyllet zyra e PD-së në Berat, kishte zaptuar ambientet e Drejtorisë Arsimore

518
Sigal

Bashkia: Për 8 vjet nuk është paguar asnjë detyrim. Reagon kryetari, Arenc Berati: “Do t’i drejtohemi ambasadave”

Ambientet e selisë blu në qytetin e Beratit janë bllokuar ditën e djeshme që në orët e para të mëngjesit  nga Policia Bashkiake, pasi sipas burimeve nga institucioni i bashkisë ndodhen në mjediset që i përkasin Drejtorisë Arsimore. Bllokimi i ambienteve të selisë blu është bërë mëngjesin e djeshëm, ku përkatësisht sallës së konferencave i është vënë dryni duke u bllokuar me shirit. Sapo kanë mësuar në lidhje me këtë bllokimin kanë reaguar menjëherë drejtues të selisë blu me anë të një deklarate për shtyp. Sipas burimeve nga kjo seli asnjë njoftim nuk ka ardhur nga ana e bashkisë në lidhje me këtë zhvillim të fundit. Ka qenë vetë kryetari i kësaj dege, Arenc Berati, i cili ka deklaruar se nuk është hera e parë që ndërmerren të tilla veprime nga ana e Bashkisë së Beratit. Sipas tij, bllokimi i djeshëm të kujton vitet 1997-1998 kur ndërmerreshin të tilla veprime ndaj opozitës. Arenc Berati shtoi në këtë komunikim me median se do t’i drejtohet ambasadave dhe institucioneve të tjera të drejtësisë për këtë çështje.

Reagimi i Bashkisë së Beratit dhënë për “Telegraf”

Burime nga bashkia për rastin në fjalë bëjnë të ditur për gazetën “Telegraf”, se ambienti, ku ndodheshin zyrat e Partisë Demokratike, Salla e Konferencave dhe lokali janë brenda ambienteve të Drejtorisë Arsimore dhe si të tilla ato janë në reduksionin e bashkisë. Po këto burime bëjnë të ditur se të gjitha ambientet që janë në juridiksionin e bashkisë (të zaptuara nga ish-qeveritarët), do t’i kthehen përsëri bashkisë, e cila do t’i përdori për nevojat e bashkisë. Ato janë zaptuar 8 vjet më parë me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet. Drejtuesit e bashkisë shprehen se këto ambiente që disponon sot Partia Demokratike nuk kanë asnjë lloj kontrate me bashkinë. Por dhe nga verifikimet e dokumentacioneve bëhet e ditur se nuk janë paguar në asnjë vend detyrimet përkatëse. Tashmë Partia Demokratike do të mbetet pa ambiente përkatëse për të kryer aktivitetin e saj politikë në një kohë që kjo parti së afërmi ka dhe zgjedhjet për kryetar të Partisë Demokratike të degës Berat. Këtë fat e ka patur dhe Partia Socialiste që sot është në pushtet. Kjo jo se i ka nxjerr në rrugë bashkia, por se ka dalë pronari i godinës.