Fatbardha Alimeta: “Në qendër trajtohen 15 fëmijë, kemi nevojë për rikonstruksionin e godinës”

723
Sigal

Flet Fatbardha Alimeta, drejtore e Qendrës Ditore e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuar, Librazhd

Në një intervistë për gazetën “Telegraf” drejtorja e Qendrës Ditore për zhvillim dhe integrimin e fëmijëve me aftësi të kufizuar, Fatbardha Alimeta, tregon se aty trajtohen çdo ditë 15 fëmijë dhe se kjo qendër ofron edukim, fizioterapi, logopedi etj… Meqenëse ka pak kohë që është emëruar në këtë qendër, Alimeta nuk lë pa përmendur edhe problemet më emergjente, duke cilësuar se qendra ka nevojë urgjente për rikonstruksioni e gjithë godinës, pasi kjo ndërtesë është shumë e vjetër.

Zonja Alimeta, cila është gjendja aktuale e Qendrës Ditore e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuar?

Qendra është krijuar që në vitin 2002 në mbështetje të partneritetit “Save chillder” në bashkëpunim me Bashkinë e Librazhdit dhe “Medpak”. Falë këtij bashkëpunimi kjo qendër funksionon edhe sot. Që nga viti 2009 është në menaxhimin e Bashkisë së Librazhdit. Nga momenti që unë e mora në drejtim këtë qendër e kam gjetur vetëm me dy punëtore, por falë mbështetjes së bashkisë që mua më dhanë këtë  qendër e ktheva në një qendër me një staf të kompletuar, që përbëhet nga katër veta. Bashkia e Librazhdit jep një buxhet të caktuar për këtë qendër, ku mbulohen të gjitha shpenzimet si energjia, uji etj.. Nga koha që unë e drejtoj këtë qendër jam munduar që ta bëj të njohur brenda dhe jashtë vendit, ku këtë qendër e kanë vizituar dhe personalitete shumë të njohur si, ambasadorë, politikanë etj.. Jam munduar me njohjet e mia që kam që të bëj pak investime si pajisje me mjete mësimore, bazë materiale që qendrës i nevojiten si dhe sigurimi e karrocave për fëmijët e qendrës.

Cilat janë problemet më imediate të kësaj qendre?

Me gjithë përpjekjet për projektet bashkëpunuese që kemi bërë të mundur deri tani mbetet e paralizuar  dhe shqetësimi kryesorë është restaurimi i godinës. Megjithëse është bërë projekti dhe është dorëzuar në shumë donator të huaj dhe vendas, mbetemi ende në pritje për ta konkretizuar.

Sa fëmijë trajtohen në këtë qendër?

Në këtë qendër trajtohen 15 fëmijë që janë nga Bashkia e Librazhdit, por vinë dhe nga komunat për rreth, pasi kjo është e vetmja qendër për këta kategori njerëzish.

Çfarë ofron kjo qendër?

Kjo qendër hapet në orën 8:00 deri në orën 16:00. Kjo qendër ofron edukim, fizioterapi, logopedi si dhe këshillim psiko-social si dhe trajnime për nënat e këtyre fëmijëve me problem.

Po ushqim a përdoret në këtë qendër?

Po, fëmijët hanë vetëm drekën në këtë qendër. Ushqimi është cilësor dhe i përshtatshëm sipas nevojave të tyre. Ushqimi paguhet nga vetë prindërit.

Dhe së fundmi si funksionon kjo qendër?

Qendra funksionon në bazë të një rregulloreje të miratuar nga Bashkia e Librazhdit, e cila është e zbatueshme nga të gjithë në mënyrë korrekte, ku i gjithë stafi punon për realizimin e plotë të standardeve. Nga kontrollet që ne kemi bërë rezulton se qendra ka një zbatim të mirë të ligjit të Konventës së të drejtave të fëmijëve dhe nuk kemi konstatuar asnjë rast abuzimi me këta fëmijë. Por kemi punuar që këta fëmijë të mos jenë të ndryshëm, por të barabartë në mes të barabartëve. Ky është dhe misioni i kësaj qendre.