Mashtrimet me taksën e Rrugës së Kombit

682
Gënjeshtrat dhe mashtrimet me taksën e Rrugës së Kombit
Intervista/ Enton Abilekaj, drejtor ekzekutiv në “Fax News”, analizon sjelljen e qeverisë përballë protestës së nisur në Kukës. Bilanci i parave të mbledhura nga taksat, kosto e kontratës koncesionare dhe milionat që i mungojnë buxhetit
Si e vlerësoni marrëdhënien mes qeverisë dhe biznesit në kuadër edhe të skemës së shumëpërfolur të Partneritetit Publik-Privat?
“Nuk ka më programe qeverisjeje, nuk ka më procedura ligjore të qeverisjes, por ka disa oferta të pa kërkuara, kontrata të gatshme, që oligarkët ia çojnë qeverisë dhe qeveria në bazë të tyre merr vendimet, se çfarë do të bëjë në të ardhmen. Pra, jemi një vend që po qeverisemi nga disa biznesmenë me në krye Edi Ramën. Tani ka ardhur pika ku njerëzit nuk mund të paguajnë më për këtë klikë ekonomike dhe politike dhe që merr vendime antipolitike e antipopullore, të cilat nuk të çojnë asgjëkund. Aktual është bërë ai term, i cili po përdoret që kur Edi Rama është vendosur kryetar bashkie, ai term që mund të përdoret madje nga ne të gjithë, e thënë PPP dhe e lidhur me zhvillimin ekonomik të vendit, duke pasur parasysh faktin që një zonë e caktuar do i shërbejë një oligarku. Kjo terminologji e tranzicionit, e oligarkisë tashmë, po shndërrohet në një terminologji që do të hyjë në fjalorin tonë politik si një terminologji dominuese e që kërkon të na shesë sapunin për djathë, ndërkohë që ajo që po bën Rama sot në Rrugën e Kombit në rastin konkret është zhvillim edhe pse në drejtim negativ. Ai që në ditën e parë, të hënën e filloi javën duke dalë vetë në një konferencë shtypi, pastaj nxori ministrin Gjiknuri dhe më pas ka nxjerrë Arben Ahmetajn e Dhomën e Ekonomisë në një farsë të turpshme për opozitën”. 

Megjithatë thuhet nga qeveria se të ardhurat nga taksa e qarkullimit nuk mjaftojnë për mirëmbajtjen e rrugëve. Cili është mendimi juaj?
“Në bazë të shifrave rezulton se është një skemë mashtrimi. Le të ndalemi e të merremi me atë që tha Ahmetaj, ‘…opozita na akuzon kot që ku e çojmë ne këtë taksë…’. E vërteta nuk është në asnjë nga faktet që renditi ai, prandaj po ndalemi më imtësisht:

E para, ajo që mblidhet nga taksa e qarkullimit nuk është 120 milionë dollarë, dhe nuk matet me dollarë, se këta e matin vetëm me dollarë dhe euro tani e jo me lekë. Ajo është një taksë që arrin 210 milionë euro. Në 2017 janë konsumuar 670 milionë litra karburant, taksa e qarkullimit është 320 lekë, kemi të bëjmë me një shifër rreth 210 milionë euro. Kjo shifër 210 milionë euro është më e madhe se çfarë ka investuar totalisht në katër vjet e gjysmë qeveria “Rama” për mirëmbajtjen e rrugëve. Ajo që mbetet, në qoftë se do shpenzohej 120 milionë dollarë ose le të themi edhe rreth 110-105 milionë euro tek borxhi, siç pretendon Ahmetaj, 100 milionë euro do të mjaftonte për mirëmbajtjen e të gjithë rrugëve të Shqipërisë dhe ky është një mashtrim total. Por për ta konsoliduar këtë mashtrim, Arben Ahmetaj filloi të thoshte e të fuste në lojë edhe fondin për pensionet, 450 milionë euro, një gjë që është totalisht e papranueshme ta thotë një ministër Financash. Kjo tregon se këta nuk e dinë për çfarë i marrin taksat, dhe ku shkojnë taksat. Kjo tregon që ne kemi një qeveri që nuk e di se çfarë po bën me paratë që po u mbledh shqiptarëve dhe ky është skandali. Të thuash që fondi i pensioneve krijohet nga taksat, është sikur të thuash që gjithë para këto para që paguajmë ne, kontributet tona në Fondin e Sigurimeve Shoqërore shkojnë dëm, deri sa nuk shkojnë për pensionet. Nuk e di askush se ku shkojnë, sepse kontributet llogariten pikërisht për fondin e pensioneve. Vepra e vetme që bëri qeveria që u vlerësua edhe nga Banka Botërore, rritja e moshës së pensionit, u mbështet nga të gjithë, edhe ekspertët e mbështetën si reformë. Ishte reformë shumë e mirë, ende sot ajo reformë tregon një kurbë përmirësimi të dukshëm të pensioneve, e cila nuk mbahet nga kontributet jashtë detyrimeve për pensionet në sigurimet shoqërore, të cilat ne i paguajmë. Edhe taksa progresive që këta sollën, pra qeveria “Rama” solli në 2013-n, ishte pikërisht një nga mjetet që do të financonte këtë fond pensionesh. Kemi të bëjmë me një mashtrim total, i cili na sjell në situatën që jemi sot, na sjell në këtë situatë mashtrimi për rrugën që flasim, për Rrugën e Kombit që janë rreth 100 milionë euro, siç thotë Ahmetaj dhe Rama për përfundimin e rrugës dhe mirëmbajtjen e përmirësimin e zonave. Mjaftonte taksa e qarkullimit për ta bërë këtë rrugë për 1 vit, mjaftonte 1/2 e taksës së qarkullimit për ta bërë këtë rrugë për 2 vjet, 1/4 e taksës së qarkullimit për ta bërë këtë rrugë në 4 vjet, sepse koncesionari tjetër pas tyre nuk do ta përmirësojë këtë rrugë, nuk do ta vlerësonte këtë rrugë më shumë se 45 milionë euro, dhe të ardhurat që parashikohet të marrë koncesionari nga rruga në çdo vit janë më shumë se 12 milionë euro. Pra koncesionari do të marrë rreth 50 milionë euro vetëm nga të ardhurat direkt nga tarifimi i makinave, do të marrë 7.9 milionë euro nga qeveria çdo vit, pavarësisht rezultateve të tij dhe do të investojë më shumë se 55 milionë euro, dmth në 4 vjet do të fitojë rreth 20 milionë euro koncesionari, 5 milionë euro në vit dhuratë nga qeveria pa asnjë arsye, pa asnjë projekt, sepse duhet ta marrë ky ose ai mik!!!! Mbi të gjitha, kemi të bëjmë gjithnjë, nëse e pranojmë logjikën e Ahmetajt, nëse përdorim taksën për borxhin, ky borxh nuk është një borxh i pafundmë që do të paguhet në këto 30 vjet. Nëse ky borxh do ishte për 30 vjet, atëherë ne duhet të pranojmë që vetëm për rrugët ne paskemi mbi 3.6 miliardë euro borxh ose dollarë. Po e marrim të mirëqenë faktin se borxhi është me dollarë, i bie që ne të kemi vetëm për rrugët një buxhet shteti borxh, mirëpo kjo nuk është e vërtetë. Borxhi edhe i Rrugës së Kombit është shumë më pak, totalisht nuk kalon as 100 milionët e ky borxh mund të shlyhet në 4 vjet. Ne sot kemi një kontratë 10-vjeçare me një koncesionar, pse nuk bëhet kjo kontratë 4-vjeçare për shkak se kemi një situatë emergjente që ka lënë borxhi i Sali Berishës me Partinë Demokratike këtu në Tiranë që nuk është e përhershme. Por i bie që për taksën e qarkullimit, vetëm që të ndahen rrugët në përpjesëtim të drejtë me përdoruesin. Pra, çdo njeri që udhëton më shumë do të paguajë më shumë se ai që udhëton pak dhe prandaj është vënë taksa te karburanti nga qeveria “Berisha”, me propozim të ministrit të Financave, Ridvan Bode. Gjithë kjo propagandë është në dëm të së vërtetës dhe nuk mund të shtensionojë situatën, por do të tensionojë atë më shumë, sepse në vend që të kemi transparencë, kemi një lumë gënjeshtrash me të cilat mundohen që t’i marrin njerëzit për budallenj. 

Megjithatë qeveria pranoi se çaloi edhe marrëdhënie me publikun dhe sqarimi i njerëzve?
“Arsyeja tjetër, pse mendoj që kjo është një lumë gënjeshtrash është, sepse këta nuk i referohen fare detyrimit që kanë ndaj marrëdhënies së tyre me publikun, por i referohen marrëdhënies së tyre me Partinë Demokratike. Pra ata vazhdojnë të merren me Rrugën e Kombit, ata vazhdojnë të merren me qeverinë “Berisha” që shpenzoi 1.3 miliardë euro dhe ende nuk e ka mbaruar rrugën. Akuza që mund që edhe të qëndrojnë, por nuk është ky raporti i kësaj qeverie me PD-në. PD-ja e ka raportin me votuesit dhe për atë sjellje apo gabime e mori përgjigjen në 2013-n. Shqipëria pas 2013-s problemet e fitoreve apo humbjeve i ka mes publikut dhe qeverisjes “Rama”, pra nuk ka lidhje Partia Demokratike me këtë gjë. Partia Demokratike, nëse ka bërë Rrugën e Kombit dhe, në qoftë se ka borxhe të mëdha ndaj shtetit duhet të meret drejtësia me këtë. As Edi Rama, as Arben Ahmetaj e as Damian Gjiknuri”.

Kryeqyteti përjetoi një shtet-rrethim, ku rreth 1000 forca policie ishin në gatishmëri për masat e sigurisë së të arrestuarve në Kukës?
“Situata nuk mund të menaxhohet me 1000 forca policie që rrethojnë Tiranën dhe kalimin në rrugët kryesore të Tiranës. Ajo që tha Rama të dielën pas fjalimit të nxehur të së shtunës në të cilin nuk tha asgjë, se kjo çështje është tip propagande, pra mbetet çështja tek e vërteta dhe gënjeshtra që qeveria nuk ka arritur të bindë, nuk ka bërë sqarimet e duhura me qytetarët për taksën e Rrugës së Kombit. Pas kësaj direktive të dhënë nga shefi, ka filluar kjo propaganda për të filluar nga mashtrimi mbi të vërtetën dhe jo për të thënë të vërtetën, sepse: 

– Në qoftë se këta do të thoshin të vërtetën qytetarëve, do t’u shpjegonin se ku shkon taksa e qarkullimit; 
– në qoftë se do të mblidheshin të gjitha taksat buxheti i shtetit do të siguronte 4 miliardë euro në vit. Qeveria mbledh 4 miliardë dmth 35 deri në 40% të të gjithë GDP-së. Pra kemi një nivel taksash shumë të madh edhe për vendet e Evropës veriore, kryesisht ato skandinave, të cilët kanë përqindje të lartë të taksave. Kjo justifikohen me shërbimet që iu ofron shteti. Shërbimi i arsimit falas, shërbimi i shëndetësisë falas etj. Pra ne kemi taksa të larta dhe tarifa të larta. Ne nuk kemi taksa të larta që zëvendësojnë tarifat. Ne kemi taksa të larta dhe përjashtojmë 20 mijë njerëz nga ndihma sociale pa asnjë argument, ndërkohë që ata nuk as janë regjistruar. Por edhe në qoftë se do të regjistroheshin 20 mijë familje, po të llogarisim prej 2 kryefamiljarësh në tregun e punës, do të duhej të trajnoheshin për t’u futur në tregun e punës, sepse nuk ka struktura për ta bërë këtë. Ka pasur plot raste ku kanë tentuar të regjistrohen për t’u kualifikuar në tregun e punës dhe nuk kanë arritur ta bëjnë këtë, sepse nuk ka struktura për ta bërë këtë edhe kjo është një propagandë. Kemi të bëjmë me një kontratë të pastër nga një biznesmen i Kukësit që na tregonte se si kjo kontratë koncesionare e përkthyer nga një kontratë paralele që, mesa duket tregon turpin e madh të kësaj mazhorance, turpin e madh që bën koncesion me Rrugën e Kombit dhe verbërinë, babëzinë që kanë këta për të marrë nga paratë e njerëzve për t’i futur në xhepat e ortakëve të tyre dhe në xhepat e tyre. Çfarë mund të themi ne për kontratat e Rrugës së Kombit?! Kontrata shkon në 5 euro për automjetet, 22 euro për kamionët. Të ardhurat llogariten të paktën 10 milionë euro në vit për koncesionarin. Me 5 milionë euro në vit në një zonë të varfër si Kukësi, në qoftë se kjo do të menaxhohej nga shteti, të ardhurat do të përdoreshin për të ndihmuar familjet në nevojë që janë shumë. Jetojmë në një qytet që kemi bërë me qindra reportazhe, me qindra kronika nëpër televizionet shqiptare. Fëmijët e Kukësit që sa arrijnë moshën 15-vjeçare, shikojnë mundësinë e emigrimit. Është mbushur Anglia me qytetarë të Kukësit, me shqiptarë të Kukësit, të cilët trafikohen në mënyrat më të rrezikshme. Një pjesë e tyre humbasin rrugës, nuk arrijnë dot të shkojnë aty. Mënyrat e trafikimit nëpër frigoriferë, anije, cisterna janë të denja për filmat horror. Këto të ardhura duhet të menaxhoheshin dhe nuk do të shkonin në xhepat e koncesionarit, por në xhepat e shtetit e do të menaxhoheshin për një zonë të varfër, e cila nuk përfiton asgjë nga burimet që ka aty në zonën e vet, të cilat përdoren nga shoqëria, por nuk përfitohen nga vendasit. Kështu që në praktikën botërore, në praktikën perëndimore, edhe tarifimi dhe taksat janë të gjitha të menaxhuara nga privati, sigurisht nga privati, por në pronësi të shtetit. Pra pronësi shtetërore më shumë se 50%, dmth 51% e sipër e ka shteti, pavarësisht se menaxhimin e bën privati dhe të ardhurat përdoren pikërisht për këtë, për të mirëmbajtur rrugën dhe një pjesë e tyre çfarë tepron përdoren për ndihmë sociale për të kontribuar në shtetin social. Nuk përdoren tarifat vetëm për rrugën në ndihmë të një koncesionari dhe të mos ndodhë pastaj që taksa, e cila duhej përdorur për mirëmbajtjen e rrugës, të shkojë për qëllime të tjera që ende nuk mund t’i sqarojë qeveria se ku i çon. Gjoja përdoren të gjitha në ndihmë të humanizmit dhe të shtetit social. Kjo qeveri që pretendon që është e majtë dhe se vlerat dhe parimet e saj janë humanizmi dhe solidariteti në asnjë nga këto kontrata nuk del asgjëkund se është e tillë, përkundrazi. Nuk reflekton në asnjë nga taksat që vë dhe as në tarifat që vë dhe as nga kontratat që bën”. 

Si e vlerësoni angazhimin e madh policor?
“Ne çfarë kemi sot? Një shtet policor, i cili ka nxjerrë skafandrat, ka nxjerrë rreth 1000 policë për të ruajtur një kontratë me dy prej oligarkëve të preferuar të kryeministrit. Del vetë kryeministri të bëjë PR e kontratës që ka bërë me oligarkët. Del ministri i Financave, del ministri i Energjetikës dhe Transporteve. E gjithë qeveria sot ka vetëm një punë, e gjithë Partia Socialiste, grupi parlamentar i Partisë Socialiste sot nuk po merret me qeverisjen e vendit, po merret me mbrojtjen e një kontrate korruptive me një ortak të preferuar të kryeministrit. Pra këtu ka arritur Shqipëria! Këta njerëz të mjerë të pambrojtur, kuksianët dhe gjithë shqiptarët duhet të paguajnë edhe qindarkat e fundit në shërbim të kësaj kontrate dhe të gjenden të vetëm përballë varfërisë, përballë faktit që nuk mund të paguajnë më. Nuk kanë më asnjë lek për t’u dhënë më këtyre biznesmenëve për nevojat e tyre minimale. Ata nuk kanë më para as për fëmijët e tyre dhe u kërkohen para shtesë. Situata të tilla ka vetëm këtu, nuk njihen në Evropë. E vetmja ngjashmëri që mund të gjejmë është me Luigjin XVI që rriste taksat për luksin e miliarderëve dhe shkaktoi Revolucionin Borgjez Francez. Ky njeri ngjan me Luigjin XVI, kjo mënyrë qeverisjeje ngjan me të Luigjit XVI. Urojmë të mos ketë fundin si të Luigjit XVI, sepse zemërimi i njerëzve po shkon në nivele të skajshme. Sosja e durimit në fund fare e çon edhe në një rebelim, revolucion, akte të dhunshme, që mund ta kthejnë mbrapa edhe situatën politike dhe stabilitetin e vendit. Kështu që qeveria duhet të reflektojë, jo për shkak të humanizmit, jo për shkak të vlerave të majta që duhet të përfaqësojë. Të paktën të reflektojë për shkak të frikës që duhet të ketë nga mesazhi që iu dha nga protestat në Rrugën e Kombit dhe nga mesazhi që po jepet nga kjo protestë disaditore që është zhvendosur në Tiranë, që u zhvillua për 3 ditë tek drejtoria e Policisë dhe që është zhvendosur tek Gjykata e Tiranës”. 

Kush e ngjall frymën e protestës apo rrezikojmë të tërhiqemi nga fryma e protestës?
“Mendoj që është e vështirë të ketë një tjetër protestë në Shqipëri. Edi Rama atë që tha në Parlament e ka të provuar për ngritjen e popullit është ajo që ka bërë në 4 vjet, nga protesta për armët kimike. Kjo ishte protesta e parë e rëndësishme, një zjarr që nuk e dimë a do të shuhet apo do të vazhdojë. Protesta është shumë e vështirë për t’u mbajtur, aq më tepër kur kemi një shoqëri civile të korruptuar ose të denigruar, pra shoqëria civile është mes shkopit dhe karotës, një pjesë që pranojnë karotën korruptohen largohen nga reaksioni civil, dhe një pjesë tjetër e cila nuk pranon të korruptohet, atëherë denigrohet, arrestohet, përçahet. Një pjesë e tyre detyrohet të largohen dhe nga Shqipëria, si disa protagonistë të shoqërisë civile. Pra shoqëria civile nuk ka as mjete, nuk ka as media, mediat në përgjithësi kontrollohen nga miqtë e qeverisë dhe nga qeveria, dhe kjo është edhe ironia kur flet Edi Rama për një mungesë bindjeje dhe ngritjeje të qytetarëve, për mungesën e sqarimit të qytetarëve për çështjen e taksës së Rrugës së Kombit në një terren mediatik që e kontrollon totalisht vetë. Është një arritje shumë e madhe që u mbajt shpirti i protestës, janë ata të arrestuarit që e mbajtën frymën. Shpresojmë të ketë një frymë proteste dhe shpresojmë që opozita të dijë të marrë në dorë organizimin, drejtimin e pakënaqësisë së shoqërisë civile, jo të kapitalizmit. Të bashkohet me ta duke u distancuar konkretisht nga kjo kastë oligarkësh dhe duke bërë premtime konkrete, duke marrë angazhime konkrete për t’u shkrirë dhe për t’u përfaqësuar me ata njerëzit e pakënaqur që janë sot në protestë”. 
Propozimi, Ent Publik për Menaxhimin e Rrugëve
“Konfindustria” njoftoi se do t’i kërkojë zyrtarisht vendimmarrjes politike, që sa më shpejt të fillojë punën për krijimin e Strategjisë dhe Entit Publik për Menaxhimin e Përdorimit të Rrugëve, mbështetur në përvojën ndërkombëtare. “Strategjia dhe Enti Menaxhues Rrugor këshillohet të ndërtohen në përputhje me interesat afatgjata dhe të përbashkëta të Shqipërisë e Kosovës dhe me proceset integruese rajonale dhe evropiane. Kërkesa e mësipërme është domosdoshmëri kur është shpallur vendimi politik për vendosjen e sistemit të tarifimit të drejtpërdrejtë nga përdoruesit të sistemit rrugor, që u bë fakt me Rrugën e Kombit, si dhe ndikimit të ndjeshëm, që një masë e tillë do të ketë në zhvillimin ekonomik afatgjatë të Shqipërisë dhe Kosovës dhe mirëqënien e qytetarëve”, theksoi organizata e biznesit. “Konfindustria” vlerësoi, se ndërtimi i Entit Publik të Menaxhimit të Rrugëve kthehet edhe më shumë në domosdoshmëri, nëse vlerësohen pasojat e rënda të ardhura nga keqmenaxhimi i zbatimit të kontratës koncesionare në Rrugën e Kombit, pranuar publikisht edhe nga krerët më të lartë të qeverisë së Shqipërisë.
Ndikimi negativ i taksës në turizmin e Shqipërisë
Qindra hotele në vend, sidomos në bregdetin e Adriatikut, Durrës, Shëngjin dhe Velipojë u ndërtuan për shkak të nxitjes që patën nga turistët e Kosovës. Oda Ekonomike e Kosovës llogarit se shpenzimet për turizëm në Shqipëri, në një vit fiskal, kalojnë 400 milionë euro. Mirëpo edhe pa vënien e taksës, shqiptarët nga Kosova kanë nisur të braktisin pushimet në Shqipëri, për shkak se ndihen të diskriminuar në shërbime dhe në çmime. Në vitin 2017 e vizituan vendin rreth 1.2 milionë shtetas nga Kosova, ose 19% më pak se në vitin 2016. Me vënien e taksës, numri i vizitorëve për në Shqipëri pritet të ulet në mënyrë drastike, kryesisht për shkak të efektit psikologjik, theksojnë operatorët e turizmit. Vizitorët nga Kosova zunë 33% të numrit total të të huajve që erdhën në Shqipëri më 2017, në raport me 50% të peshës së tyre ndaj totalit të vizitorëve më 2016. Për pushimet verore vërehet se është rritur kërkesa nga ana e shtetasve të Kosovës për shërbime më cilësore, ndërsa oferta ka mbetur e pandryshuar për shumë vite në bregdetin shqiptar.
Sigal