Masakroi me thikën e kaçkavallit fqinjin në Korçë/ Përgjimi në qeli zbërthen planin e Devis Hotit, si ‘ra brenda me këmbët e tij’ para hetuesve

521
Sigal

“…tek dyqani i Mulit është në rrugë një person i gjakosur i paidentifikuar dhe mund të ketë vdekur…”. Kjo ka qenë telefona që çoi në këmbë policinë e Korçës, ku një banor i fshatit Mborje raportoi për një vrasje.

Krimi horror i regjistruar dy ditë më parë, ku Flamur Duçi u gjet i masakruar me dhjetëra goditje thike e më pas u dogj pjesërisht, për momentin ka një autor dhe për policinë dhe prokurorinë e Korçës, ai është Devis Hoti.

Hoti rezulton një person me precedent penal, pasi disa vite më parë është dënuar nga gjykata e Korçës, me disa vite burg për akuzën e “Plagosjes së rëndë me dashje”.

Vrasjen Devis Hoti, dyshohet se e ka kryer me thikën që vetë viktima Flamuri, e mbante në dyqanin e tij, për të prerë djathin dhe kaçkavallin.

Gjatë këtyre dy ditëve hetime ende nuk është zbardhur motivi i këtij krimi, por ka dyshime të forta se ka ndodhur për një tentativë grabitje.

Viktima dhe autori janë përleshur me njëri-tjetrin, kjo pasi gjatë këqyrjes së dyqanit të Flamurit, janë konstatuar njolla gjaku.

Ndër të tjera dhe thika në banakun e bulmetit mungonte. Prokurorët dhe oficerët e Korçës ngrenë dyshime të forta se Devis Hoti, i cili njëherësh është dhe komshi me viktimën, ka shumë gjasa që të ketë hyrë në dyqanin e Andrea Duçit, me qëllim grabitjen.

Ka dyshime të forta se Flamuri ka shfaqur rezistencë me thikën që mbante në banak, dhe mes dy personave ka pasur një përleshje të fortë fizike.

“Shqiptarja.com” hedh dritë mbi këtë vrasje horror, ku autori i këtij krimi, “bie vetë” me këmbët e tij në burg, pasi zbulohet se ka shenja dhune në trup, gërvishtje e hematoma.

Gjatë procesit të marrjes në pyetje të këtij personi, policia ka konstatuar se në dorën e majtë të Hotit dhe në pjesën e si dhe në deklarimet para oficerëve, Hoti jep dy alibi.

Në rrëfimin e parë, Hoti pretendon se këto dëmtime në trup, i ka marrë pasi ishte gërvishtur pranë një muri në fshatin Mborje dhe sipas tij kur ka ndodhur një gjë e tillë, kur ai ka qenë në prani të një shoku.

Ky person është shoqëruar në polici dhe ka deklaruar se: “Para 7-8 ditësh në fshatin Mborje në prani të tij dhe një personi tjetër, Devisi i ka rënë me grusht murit të dyqanit të Flamur Duçit, dhe si pasojë e kësaj goditje ju dëmtua vetëm njëri gisht”. Në këtë dëshmi shoku i autorit përjashton dëmtimet e tjera të konstatuara në trupin e Devisit.

Por plagët në dorë dhe hematomat në pjesën e kokës e qafës, kanë bërë që Devis Hoti të pyetet sërish ku këtë herë të dytë, ai ka pretenduar se dëmtimet i ka marrë gjatë një momenti rrëzimi, kur ka qenë në datën 18 dhjetor në mal me xhaxhain e tij.
Dy dëshmi me dy qëndrime të ndryshme.

Menjëherë është shoqëruar në polici, xhaxhai i tij, i cili fillimisht është mbyllur brenda në një dhomë me nipin e tij, Devisin.

Nga një përgjim ambiental të zhvilluar mes tij dhe xhaxhait në policinë e Korçës, rezulton se Devisi, mëson xhaxhanë e tij se çfarë qëndrimi duhet të mbajë në polici, me qëllim mashtrimit e grupit të hetimit.

Në këtë përgjim ambiental del qartë se nipi, orienton xhaxhain që të deklarojë se dorën e ka vrarë pardje.

Siç del edhe nga përgjimi, më tej Devis Hoti, i sugjeron xhaxhait të tij që t’i thotë punonjësve të policisë që “ju kam gënjyer se kisha frikë, pasi isha në mal e për këtë kam bërë 3 muaj burgim, dhe tani jam budallepsur nuk jam në terezi”.

Nga përgjimi del qartë se nipi dhe xhaxhai nuk janë korrekt në dëshminë e tyre të dhënë në polici, duke ngritur alibi në deklarimet e tyre, alibi të cilat nipi i ka paramenduar në dhomën e shoqërimit ku dhe është përgjuar.

Por dëshmitë që kanë rrëzuar poshtë versionet e Devis Hotit, janë ato të dy prindërve të. Nëna e tij ka deklaruar se nuk ka dijeni për dëmtimet e djalit të saj.

Ajo nuk i ka vënë re këto dëmtime dhe djali i saj nuk i është ankuar për këto plagë, që mund t’i kishte marrë gjatë rrëzimit në mal. Ndërsa babai i tij ka pohuar se dëmtimet në dorën e djathtë ai ja ka vënë re djalit të tij në orën 10:00, ditën e ngjarjes.

Gjatë komunikimi që kanë bërë së bashku,Devisi i ka pohuar babait se dorën e kishte vrarë në mal.

Nisur nga këto prova dhe qëndrimi i dyshimtë i personit të dyshuar për masakrimin me Flamur Duçit, prokurori i Korçës Julian Kristo ka urdhëruar arrestimin e Devis Hotit, për akuzën e “Vrasjes me dashje”.

Ndaj tij është kërkuar masa e sigurisë arrest në burg dhe pritet qenë ditët në vijim, gjykata të zhvillojë seancën për lënien ose jo në burg të të arrestuarit Hoti.