Lumi Buna zhduket nga hartat e hipotekës së Shkodrës, poshtë urës rezulton një shesh

396
Sigal

 

Mund të duket e pabesueshme apo edhe qesharake, por që nga viti 2001 poshtë urës së vjetër të Bunës rezulton që të jetë shesh pa lumin Buna. Prej 21 vitesh lumi Buna është zhdukur në hartat e hipotekës së Shkodrës dhe poshtë urës së vjetër rezulton një shesh.

Shkak është bërë dëmtimi i dërrasave të urës së vjetër të Bunës dhe nevoja për të ndërhyrë për riparimin e saj nga drejtoria rajonale e kulturës në Shkodër, e cila ka aplikuar në hipotekë për pronësinë si dokument i nevojshëm, por është e pamundur që të ndryshohet dokumenti i pronësisë nga hipoteka, sepse nevojitet një Vendim i Këshillit të Ministrave dhe deri atëherë, ura e vjetër e Bunës do vijojë që në dokumente të jetë një shesh pa lumin Buna poshtë saj që rrjedh aty prej mijëra vitesh.

Po ashtu pa dokumentin e pronësisë të ndryshuar, drejtoria rajonale e kulturës e ka të pamundur që të bëjë riparimin e urës së vjetër të Bunës për zëvendësimin e dërrasave të kalbura të cilët në gjithë gjatësinë e kësaj ure kanë pësuar çarje duke u kthyer në një rrezik për këmbësorët. Dërrasat e kësaj ure janë kthyer në një shqetësim për kalimtarët, të cilët ndjehen të rrezikuar se mund të bien brenda.