Legalizimet, Lame: Falas për ndërtimet e vitit 2009-2014

579
Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame tha të premten paradite gjatë një konference për shtyp se “Proçesi i legalizimeve do të jetë falas për këdo që ka ndërtuar nga janari i vitit 2009 deri në korrik të vitit 2014″. Ftoj qytetarët të vijnë të bëjnë deklarimet, përkatëse, u shpreh Lame, ndërsa dha disa detaje në lidhje me proçesin e legalizimeve, duke nenvizuar se, “legalizim falas do të ketë edhe për 21 mijë familje ish-pronarësh që nuk i zotëronin pronat e tyre”. 
“Duke ju uruar të gjithëve Gëzuar Bajramin, dëshiroj të jap një lajm të gëzueshëm për rreth 50.000 familje shqiptare.Sot hyn në fuqi Ligji i ri 62/2015, që përfshin në procesin e legalizimeve rreth 50.000 objekte, që ishin ndërtuar në periudhën Janar 2009-Qershor 2014. Theksoj se, të gjithë këta qytetarë, përfshihen në procesin e legalizimeve njësoj si të gjithë qytetarët e tjerë, pra edhe për ta i gjithë procesi i legalizimit është falas. Shumica e këtyre qytetarëve, pavarësisht ndalimit ligjor, e kanë bërë vetëdeklarimin që gjatë viteve 2013 dhe 2014, por ishin aktualisht të bllokuara, për shkak të dispozitës së Kodit Penal që nuk i lejonte të përfshiheshin në procesin e legalizimeve. 
Këta qytetarë nuk do ta kenë të nevojshme të kryejnë procesin e vetëdeklarimit, pasi është i vlefshëm ai që kanë bërë. Për ata qytetarë që nuk e kanë bërë, janë të ftuar të paraqiten pranë sporteleve tona për t’u përfshirë në proces. Një grup tjetër shumë i rendësishëm që përfiton nga ndryshimet e fundit ligjore, janë edhe ish-pronarët. Janë rreth 22.000 ish-pronarë që ju është zënë toka nga ndërtimet pa leje, por që sipas dispozitave të deritanishme, as pronën e tyre nuk e gëzonin (sepse ju ishte zënë) dhe as nuk mund të kompesoheshin financiarisht (sepse objektet nuk legalizoheshin).E gjithë kjo masë qytetarësh, së shpejti do të marrë përfitimin e plotë financiar të tokës së zënë.
Sot jemi në mes të muajit Korrik, periudha kur tradicionalisht kthehen në atdhe për pushime shumë prej emigrantëve tanë. Ne po marrim masa për të siguruar sportele të veçanta pranë Drejtorive tona, për këtë masë të madhe qytetarësh shqiptarë që, gjatë qëndrimit në Shqipëri, të mund të kryejnë në mënyrë preferenciale procedurat e legalizimit të shtëpive të tyre. Jam i bindur që në këtë gjë do të gjejmë edhe mirëkuptimin e qytetarëve të tjerë, për të ndihmuar bashkatdhetarët tanë. Konstatojmë me kënaqësi se Institucioni i ALUIZNI-t ja doli që, përmes shndërrimit rrënjësor të brendshëm dhe punës së bërë në këto dy vjet, të kthehet në një institucion të besueshëm për qytetarët. Ekipet tona kanë hyrë në 112.000 shtëpi shqiptare, për të kryer procedurat e legalizimit, duke biseduar me durim me qytetarët. 51.500 ankesa janë trajtuar nga ana e drejtorive tona, me problematika e ankesa nga më të gjithëllojshmet”, u shpreh Lame.
Sigal