Kreu i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani nga takimi që u zhvillua sot në Kryesinë e Kuvendit me Kryeparlamentaren Elisa Spiropali dhe institucionet e pavarura, u shpreh se Kuvendi duhet që të ketë një raport tjetër me këto institucione dhe jo formal.
“Kuvendi duhet të ketë një tjetër lloj raporti me institucionet e pavarura dhe jo formal si ka qenë deri më tani. E mendojmë shumë më të gjallë marrëdhënien midis institucioneve tona sepse të tilla janë dinamikat e vendit dhe procesi politik i integrimit në BE kërkon më tepër angazhim. Reforma në drejtësi përveç se krijoi një artitekturë shumë të mirë në këndvështrim tim personal të organeve të drejtësisë mendoj se krijoj edhe një bazament shumë të fortë jo thjesht të raporteve të institucioneve të drejtësisë me kuvendin, por edhe me politikën dhe me shoqërinë. Marrëdhënia e ILD me Kuvendin ka qenë funksionale dhe ne kemi nevojë të flasim me njëri- tjetrin mbi vlerat ku duhet që të bazohemi për të ngritur cilësinë e dhënies së drejtësisë nga organet e drejtësisë”, tha ai.
Fjala e plotë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë
Faleminderit kryetare!
Të nderuar ambasadorë!
E dëgjova me shumë vëmendje fjalën tuaj kryetare dhe të them të drejtën, më vjen mirë që e para keni marrë inciativën për të bërë këtë organizim dhe e dyta për mesazhin që dhatë në fjalë, sepse ndaj të njëjtin mendim me ju, që Kuvendi duhet të ketë një tjetër lloj raporti me institucionet e pavarura. Jo formal, si ai që kemi pasur deri tani në kuptimin e propozimeve, ndryshimeve ligjore që mendojmë se duhen bërë nga institucionet tona, apo për miratimin e buxhetimit të institucioneve tona, të cilat e kanë pjesë të normalitetit të punës, në fund të fundit.
E mendoj shumë më të gjallë marrëdhënien mes institucioneve tona, sepse të tilla janë dinamikat e vendit, procesi politik i integrimit të Shqipërisë Bashkimin Evropian kërkon më tepër angazhim, më tepër koordinim. E në këtë kuptim prandaj e shoh më të gjallë. Për të folur, për të biseduar, jo thjesht për shqetësimet që ndajmë, por për vlerat, të cilat i bashkojnë institucionet tona, për vlerat mbi të cilat duhet ndërtuar edhe e ardhmja e shqipërisë. Ndoshta kjo duket pak utopike, pak i avashtë si mjet, si instrument, por mendoj që është mjeti më solid për të siguruar një të ardhme më demokratike dhe të bazuar në ndarjen e pushteteve për institucionet, në dekadat që vijnë.
Reforma në drejtësi përveçse krijoi një arkitekturë shumë të mirë në këndvështrimin tim personal të organeve të drejtësisë, mendoj që krijoi dhe një bazament shumë të fortë, jo thjesht për raportet e institucioneve të drejtësisë me Kuvendin dhe me politikën dhe shoqërinë, por për të gjitha institucionet e tjera, të bazuar në një filozofi të fortë të ndarjes së pushteteve. Kjo është e bukur ndoshta për ta dëgjuar, por shumë
e vështirë për ta zbatuar, sepse kërkon atë që zonja Tabaku tha, respektim, që ndoshta nuk e lexojmë të shkruar shprehimisht nëpër libra, nëpër ligje, por që është një mentalitet politik, të cilin ne kemi nevojë ta konsolidojmë në raport me njëri-tjetrin. Dhe këtë e them, jo për shkak të ndonjë eksperience negative që kam pasur personalisht në raprort me kuvendin, por e ngre në mënyrë parimore, përjashto vitin e fundit me thënë të drejtën, por ky është një episod. Marrëdhënia e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë me kuvendin ka qenë funksionale. Inspektorit të Lartë të Drejtësisë i janë plotësuar nevojat qoftë për buxhetim, qoftë për strukturim e kështu me radhë. Po e ngre në nivel krejt parimor, që ne kemi nevojë të flasim me njëri-tjetrin për vlerat, në të cilat ne duhet të bazohemi, për të rritur cilësinë e dhënies së drejtësisë në organet e drejtësisë, por edhe nivelin e mentalitetit të kulturës politike apo diskutimet ndërmjet njëri-tjetrit, kjo është shumë e rëndësishme. Ky është mesazhi që doja të jepja dhe shpresoj ta vazhdojmë këtë mënyrë komunikimi edhe në të ardhmen.
Ju faleminderit!