Koronavirusi/ Taksistët të bllokuar në Lezhë, presin ndihmë nga qeveria

422
Sigal

Taksistët një prej shëbimeve të prekura prej ndalimit të qarkullimit, mbeten me shpresë të ndihmës nga qeveria ose lehtësimit të lëvizjes, ndërsa ekonomitë e tyre familjare po vuajnë nga bllokimi.

Në 26-vite punë kjo është hera e parë që Bektash Keta me profesion taksist e ka ndaluar kaq gjatë makinën. Prej 15 ditësh taksisti 52-vjeçar nga Shëngjini nuk e ka lëvizur automjetin për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19. Ai tregon se kjo situatë ia ka vështirësuar jetesën, pasi në familjen e tij prej 5 anëtarësh vetëm ai punon.

“Unë kam 26-vite që punoj si taksist dhe kjo është hera e parë që nuk punoj për një kohë të gjatë. Ka 15 ditë që nuk e kam lëvizur makinën nga vendi”, tha Keta.

Ai tregon se nuk ka munudr të sigurojë leje për të lëvizur dhe me gjithë kërkesat i është dashur ta mbajë fikur taksinë pasi rrezikon gjobë apo bllokim patente.  “Nuk e di se deri  kur do të vazhdohet kështu, por kjo gjendje po na penalizon shumë”, tha burri që tregon se pa të ardhurat e tij familja do të ishte shpejt në vështirësi.

Bektash Keta thotë se kërkesat e qytetareve për të lëvizur, nuk kanë munguar edhe gjatë kësaj kohe, por policia nuk ju jep leje për të lëvizur.

“Të them drejtën shumë njerëz m’i bien telefonit edhe gjatë kësaj periudhe për t’ju  shërbyer. Por nuk mund të lëvizi sepse nuk na lejon policia. Aplikoj për leje për të lëvizur online, por askush nuk të kthen përgjigje”, tha ai.

Taksisti kërkoi që të lejohej të kryente lëvizje të shkurtra brenda qarkut. “Edhe qytetarët kanë nevojë për shërbimin taksi dhe ne na ndihmon shumë në ekonominë familjare”, thotë Keta.

Në situatë të ngjashme janë 50 taksist të licensuar në Bashkinë e Lezhës. Masat shtërnguese të qeverisë për mbrojtjen nga “Coronavirusi i ri”, po i penalizojnë ata. Arion Gjini 35-vjeç thotë se 2 muaj me parë ka blerë automjetin dhe është pajisur me licensën e taksisti me shpresën se do të siguronte sadopak të ardhura për të mbajtur familjen. Ai nuk e kishte menduar asnjëherë se do të ndodhte kjo situatë.

“Dy muaj më parë e kam blerë makinën, madje kam shkuar e kam marrë vetë në Gjermani. Më ka shkuar 13 mijë euro bashkë me dokumentacionin përkatës. I kam marrë lekët borxh me shpresen që do të punoj dhe t’i likujdoj sa më parë. Por ka 3 javë që jemi bllokuar për shkak të virusit. Nuk na lejojnë të lëvizim dhe s’na jep kush autorizim, pavarësisht se kam bërë kërkesa disa herë pranë policisë”, thotë Gjini.

Ai tregon se kjo është e vetmja e ardhur për familjen e tij dhe se situata ia ka vështirësuar jetesën. “Nuk e di deri kur do të vazhdohet kështu, por di të them se kjo është një diçka mjaft negative për mua dhe shumë persona të tjerë që punojnë si taksista në Lezhë”, thotë Gjini.

Përballë kësaj situate taksistët kërkojnë mbështetje nga shteti, për aq kohë sa do të qendrojnë pa punë.

“Derisa unë jam taksapagues i këtij shteti , duhet që qeveria të na mbështesë. Shpresoj që do të na paguajnë gjatë kësaj periudhe që jemi të papunë. E kemi shumë të domosdoshme dicka të tillë sepse kemi familje për të mbajtur” thotë Bektash Keta. Qeveria ka premtuar të paguaj një rrogë për ata që janë të vetëpunësuar, por Arion Gjini nuk ka aspak besim që shteti do t’i mbështese financiarisht gjatë periudhes që janë papunë.

“Unë s’do i paguaj sigurimet as taksat përsa kohë jam papunë. Nuk kam ku t’i marr paratë”, tha Gjini, ndërsa shtoi se nuk kishte besim që shteti do i ndihmojë.

Përballë kësaj situate përsonat e vetpunësuar siç janë dhe taksistët shpresojnë që kjo gjendje të kalojë sa më shpejt dhe t’i rikthehen normalitetit dhe punës së përditshme.