Kolonja me 10 mijë banorë të larguar, në ndihmë të të vetmuarve

522
Sigal

Korça nis drejt Tiranës 21 tamponë të dyshuara për coronavirus

Nga Vepror Hasani

Paraditen e sotme Korça nisi drejt Institutit të Shëndetit Publik në Tiranë 21 tamponë të dyshuar për virusin corona, nga të cilat 11 i përkasin Pogradecit, 7 Korçës, (dyshohet edhe për disa emigrantë), 2 Devollit dhe 1 Kolonjës. Ndërkohë nga burime të sigurta mësohet se në Pikën e Kalimit Kufitare të Kapshticës gjatë 24 orëve të fundit mbërritën emigrantë të tjerë, të cilët u akomoduan te hoteli “Kristal”; numri gjithsej i tyre shkoi në 50, aq sa është dhe kapaciteti i hotelit  Gjithashtu pritet ardhja e emigrantëve të tjerë, për këtë arsye është siguruar një hotel tjetër, që t’u vihet në ndihmë emigrantëve, por me kushtin që shpenzimet të paguhen nga vetë ata. Ndërkohë në Kolonjë vijon shpërndarja e ndihmave për personat e vetmuar.

Në Kolonjë

Bashkia e Kolonjës është një rreth me rreth 10 banorë të larguar në vende të tjera të botës.  Jo vetëm në qytetin e Ersekës por edhe në atë të Leskovikut numri i të rinjve, i djemve dhe vajzave, është paksuar mjaft. E njëjta gjë vërehet edhe në fshat. Numri i personave të vetmuar, kryesisht i të moshuarëve, është rritur dukshëm. Në këto ditë të vështira të rrezikut nga virusi corona, të vetmuarit ndihen edhe më shumë të vetmuar. Ata qëndrojnë mbyllur në shtëpitë e tyre, edhe vizitat te njëri-tjetri i kanë rralluar. Kjo gjë ndodh edhe në fshat ku rreziku nga virusi është më i ulët.  Aktualisht ata kanë nevojë për ndihmë më shumë se kurrë ndonjëherë tjetër. E kanë të nevojshme që dikush t’u shërbejë. Fatmirësisht deri më tani në Bashkinë e Kolonjës nuk ka patur viktima të virusit corona.

 

Bashkia në shërbim të pleqve

Për të gjitha arsyet e mësipërme, referuar urdhërave të lëshuar nga qeveria shqiptare, Bashkia e Kolonjës është vënë në shërbim të familjeve me ndihmë ekonomike dhe pleqve të vetmuar, duke treguar kujdes të veçantë për ta. Sipas burimeve pranë Bashkisë Kolonjë, në këtë bashki numërohen 292 familje me ndihmë ekonomike dhe  6% të fondit të kushtëzuar për bllok-ndihmën ekonomike, dhe 474 familje të moshës së tretë, pensionistë dhe të vetmuar me fëmijët të emigruar jashtë vendit. Grupet e punës, të ngritura për këtë qëllim janë në dispozicion të tyre, megjithse aktiviteti i tyre nuk është i lehtë, pasi Bashkia e Kolonjës  edhe pse e vogël për nga numri i popullsisë, ka një territor mjaft të gjerë prej 864.06 km2. Veç kësaj, shumë fshatra janë larg nga qendra (qyteti i Ersekës) dhe në terrene malore, si: Gostivishti, Lëngësi, Gjonçi, Pobicka, Cercka, Çlirimi, Qesaraka, Kaltanji, Qyteza, Selenica e Pishës, Luarasi, Lëncka, Kurtesi, Orgocka, Qinam-Radovicka, Radovicka, Psar i Zi, Butka etj. Megjithatë gjithkush prej familjeve ka një person që u vjen në shërbim për çdo nevojë që kanë. Vetë Kryetari i Bashkisë Erion Isai u ka kërkuar grupeve të punës të jenë të devotshëm në kryerjen e detyrës që kanë marrë përsipër.

Përgjysmimi i Kolonjës

Aktualisht popullsia e Bashkisë Kolonjë është e përgjysmuar. Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia numëron 11.070 banorë, ndërsa sipas Rregjistrit Civil kjo bashki ka një popullsi prej 19.919 banorësh, pra rreth 10 mijë banorë më pak. Diferenca e madhe ndërmjet këtyre shifrave shpjegohet me lëvizjen migratore. Dhe braktisja i ka ndodhur këtij vendi, i cili mbi sipërfaqen e kodrave shkëmbore, pranë rrugëkalimeve të tij, ruhen ende edhe sot rrënojat e mureve rrethuese të 30 kalave të kohëve të ndryshme, që vende të tjera të botës do t’i kishin zili. Për ti dhënë përparim gjithë zonës e më gjerë.