KLSH: Të anulohet koncesioni i Laboratorëve

217
Sigal

Ja kompanitë që ‘grabitën’ 130 miliardë lekë nga laboratorët. Minstrat Beqja dhe Manastirliu refuzuan të marrin në konsideratë shkeljet e identifikuara nga Konsulenti Ndërkombëtar.

 

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se koncesioni zotërohet në 75 përqind të saj nga biznesmeni Janis Karathanos. Kontrolli absolut mbi kontratën koncesionare është në kundërshtim me përcaktimet ligjore mbi procedurat e Partneritetit Publik-Privat, shprehen audituesit shtetërorë në raport.

Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaron se Ministria e Shëndetësisë duhej të kishte eliminuar që në fazën e parë bashkimin e kompanive të mbledhura në shoqërinë “Laboratory Networks”. Por, meqenëse kontrata tashmë është nënshkruar, KLSH i rekomandon Ministrisë së Shëndetësisë që të bashkëpunojë me Avokaturën e Shtetit dhe të informojë Ministrinë e Financave për problematikat, si edhe të nisë procedurën e zgjidhjes e saj.

Në shkurt 2017, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar në atë kohë nga Ilir Beqja, mbylli procedurën e koncesionit/partneritetit publik privat “Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjë”.

Grupi i punës për koncesionin evidentoi si fitues bashkimin e operatorëve të udhëhequr nga “Labopharma” e Janis Karathanos, pavarësisht kundërshtimeve të Konsulentit Ndërkombëtar. Pjesë e fituesve ishte edhe “AB Laboratory Solution”, e regjistruar në zonën “offshore” të Amsterdamit në Holandë, dhe që ishte nën kontrollin e djalit të tij, Konstandinos Karathanos.

Ministria e Shëndetësisë shpalli zyrtarisht fituesin e koncesionit të laboratorëve në prill 2017, pak ditë pasi Ogerta Manastirliu ishte emëruar në krye të institucionit. Siç konstaton Kontrolli i Lartë i Shtetit, të dy ministrat kanë refuzuar të marrin në konsideratë shkeljet e identifikuara nga Konsulenti Ndërkombëtar, i cili ishte thirrur nga qeveria shqiptare për të asistuar në të gjithë procesin e draftimit dhe shqyrtimit të ofertave për koncesionin 80 milionë dollarë të laboratorëve. Ndërkohë, që një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit për koncesionin e ofrimit të shërbimeve laboratorike spitalore ka gjetur problematika të shumta në kontratën që parashikon ofrimin e shërbimit laboratorik për një periudhë 10-vjeçare, me një kosto totale prej rreth 106 milionë euro, sipas projektbuxhetit 2020, por që po rezultojnë në rritje që në vitin e parë të aktivitetit dhe për të cilin nesër Telegraf do të publikoi të plotë këtë auditim që është bërë në kohën kur Shqipëria ishte e mbërthyer nga ethet e koronavirusit.