Klonjarët arratisen në malet e Gramozit, mbledhin aguliçe

472
Sigal

Qeveria nuk na shpalli zonë e gjelbër, izolimi na lodhi

Nga Vepror Hasani

Pas shpalljes nga qeveria të zonave të gjelbra ata që mbetën më të trishtuar duket se ishin banorët e qytetit të Ersekës, pasi në këtë qytet deri më tani nuk ka patur asnjë rast me coronavirus dhe asnjë tampon të dërguar për analiza në Institutin e Shëndetit Publik në Tiranë. Në këtë qytet të vogël gjithçka shndrit: rrugët, rrugicat, trotuaret, sheshet, zonat e gjelbra, oborret e shtëpive, vendet ku tregtohet, banesat, institucionet publike e çdo gjë tjetër që të zë syri, pa folur për spitalin që është krenaria e qytetit, por edhe pse ky rreth ka qenë shembullor në respektimin e rregullave dhe normave të përcaktuara për parandalimin e pandemisë së virusit corona, dy kryeqendrat e tij, Erseka dhe Leskoviku nuk u shpallën zona të gjelbra, pra për pleqtë kolonjarë e leskoviqarë dhe drejtuesit e mjeteve nuk do të ketë lëvizje pa autorizim. Për këtë arsye, banorë të Ersekës pohuan se kanë mbetur të zgjënjyer sepse ky nuk është rasti i vetëm, pasi për 30 vjet vetëm na është premtuar ndërsa nga ato që thuhen bëhen shumë pak. Aktualisht ndihemi të lodhur, pasi ky qytet  nuk ka mundësi punësimi, izolimi po na shndërrohet në ankth. Ndaj këto ditë nisi dhe “arratia” e banorëve të Kolonjës drejt maleve të Gramozit për mbledhjen e bimëve medicinale, kryesisht agulice për të cilën thuhet se këtë vit do të shitet me 4 mijë lekë kg. Mëngjesin e së hënës drejt maleve u nisën edhe njerëz të tjerë. Arratinë e pritshme të Kolonjarëve e parajalmëruam ditë më parë.

Erseka, dikur “Kolonja Europiane”

Ndaj kur u fol për shpalljen e zonave të gjelbra shpresuam shumë se edhe Erseka do të ishte një prej qyteteve që e meritonte plotësisht, por çuditërisht nuk u bë pjesë e listës, pohojnë banorët e Ersekës. Krahina jonë, shpjegojnë ata, njihet për traditat e saj të mrekullueshme, madje studiuesi Bardhyl Prifti, shkruan: “Të parët e kolonjarëve dhe leskoviqarëve e kanë ngritur folenë e tyre në një vend të tillë, sepse kanë dashur të jetojnë në liri, paqe, larg zhurmës mbytëse të qyteteve të mëdha, kanë kërkuar qetësi, urtësi, e ajër të pastër… Në dokumentet historike Kolonja përmendet si emër në shekullin e XI, në vitet 1091 dhe 1108 dhe cilësohet me emërtimin “Kolonja Europiane”, vetë Kolonja duhet të ketë qenë një qytet i rëndësishëm i Perandorisë Bizantine i krahasuar me Beratin e Durrësin përderisa ajo përmendet si qendër e ortodoksisë, e cilësuar si Peshkopatë.” Ky ka qenë shkëlqimi i dikurshëm i Kolonjës, por sot mundësitë e saj për punësim janë të pakta. Sipas banorëve të Ersekës, qyteti mbijeton në saj të banorëve të fshatrave, të cilët zbresin në qytet për punët e tyre në bashki, në spital, në farmaci, në banka, në sigurimet shoqërore etj, ku gjatë ditës lënë të holla në kafene, bare, resorante, markete, treg rrobaqepsi etj, ashtu sikurse vijnë ditën e pazarit, njëherë në javë, pothuajse gjithë banorët e fshatrave. Është pikërisht kjo ditë që Ersekës i jep gjallëri dhe i sjell të ardhura, por megjithatë pa mbledhjen e bimëve mjekësore në malet e Gramozit, qyteti i Ersekës mbetet i mangët në sigurimin e të ardhurave.

Ishim më mirë në vitin 1905

Në këto ditë të vështira të pandemisë së virusit corona, kolonjarëve u pëlqen t’i referohen bashkëqytetarit të tyre, studiuesit Bardhyl Prifti, i cili ndër të tjera shkruan:  “Në vitin 1905, Kolonja kishte 105 dyqante, hane, mullinj bloje me një mesatare pothuajse dy njësi në çdo fshat”. Qyteti siguronte të ardhura të mjaftueshme, kurse sot nuk jetojmë dot pa mbledhur lule maleve të Kolonjës dhe të Leskovikut.  Gjithashtu, sipas banorëve në fjalë, aktualisht pakot ushqimore nuk e zgjidhin dot problemin e përditshëm të ushqimit, sepse tashmë kërkesat nuk vijnë vetëm nga familjet në nevojë, por edhe nga një pjesë e familjeve të qytetit që aktualisht kanë shpenzuar edhe kursimet e fundit. Nëse do të vazhdohet edhe më gjatë me izolim, ditët në vijim  për këtë qytet do të bëhen edhe më të vështira; as bimët medicinale nuk do jenë të mjaftueshme për të siguruar shpenzimet e një viti të një familjeje në qytetin e Esekës.