Mos ndërtoni shkolla dhe palestra jashtë standardeve

678
Sigal

Nga Viron Bezhani

Në kushtet kur Covid-19 ka gjunjëzuar botën, duke ndërprerë shumë aktivitete ekonomike e sociale,  në vendin tonë janë prishur disa shkolla për tu rindërtuar.Viron Bezhani President i KOKSH i ka drejtuar një letër kryeministrit Rama në lidhje me  ndërtimin e palestrave sipas standarteve europiane. Në letër, Bezhani shprehet se informacioni ku Rama deklaroi se palestrat do të jenë moderne në sipërfaqen 400 metra katror është i gabuar, pasi një palestër moderne shkolle duhet të kalojë 500 metra katrorë dhe të jetë afër 600 metra katrorë. Presidenti i KOKSH nuk lë pa përmendur edhe Qendrën Olimpike, por që përfundoi si një shtojcë e Bashkisë së Tiranës.

I nderuar z.Kryeministër shkolla moderne me palestra moderne dhe brenda standarteve jo jashtë standarteve

Dëgjuam në lajme, gjatë një deklarate tuajën, ku u shprehët se do të hapen disa shkolla të reja. Kuptohet se kjo është një ndihmë shumë e madhe për rininë shqiptare, pasi ajo do të studiojë në shkolla me standarte europiane. Të them të drejtën u gëzova akoma më shumë kur dëgjova nga ju që çdo shkollë do të ketë palestër për edukimin fizik. Gjithsesi, u habita në një detaj dhe mendoj se do keni një informacion të gabuar, pasi deklaruat se këto palestra do të jenë moderne në sipërfaqen 400 metra katror?!

Z.Kryeministër, ju jeni marrë vetë me basketboll dhe e dini shumë mirë (nëse ju kujtohet ende) se përmasat e fushës së basketbollit janë: 28m x15m si dhe distancat 2m dhe 2.5m. Pra, një palestër moderne shkolle duhet të kalojë 500 metra katrorë dhe të jetë afër 600 metra katrorë.

Është e vërtetë që ne kemi pasur, apo i kemi ende palestrat me 300 dhe 400 metra katrorë, por këto i përkasin periudhës së monizmit dhe jo atyre moderne të vitit 2020, që deklaruat ju. Ne na duhen palestra që të jenë multifunksionale, me standarte për disa sporte si basketbolli, volejbolli, hendbolli, futbolli i sallës etj.

Z.Kryeministër, besoj se ky do të jetë një informacion i gabuar që mund të keni marrë nga njerëz jo-kompetentë dhe jo vendimi i saktë për ndërtimin e këtyre shkollave. Mos harroni se keni një projekt-vendim që ju ka ardhur në datën 12.4.2017, nr.319, për miratimin e standarteve të projektimit të shkollave. Do ju luteshim ta merrnit në konsideratë këtë projekt-vendim, ku janë cilësuar edhe standartet e palestrave të shkollave dhe jo vendimin që ju deklaruat në televizor.

Nëse ju nuk e merni parasysh këtë projekt-vendim të 3 viteve më parë, që ju ka paraqitur asokohe ministrja Shahini, mendoj se këto palestra të reja që ju thoni, jo vetëm që nuk mund t’i përkasin modernes por është një ofendim që i bëhet sportit shqiptar, duke mos marrë fare parasysh mendimin e specialistëve. Kjo do të konfirmojë edhe një herë tjetër se sporti jo vetëm që nuk po gëzon respektin e asnjë qeverie ndër vite, por po nëpërkëmbet në mënyrën më të keqe. Shihni fondin që sporti merr nga qeveria, i cili është sa për të mbajtur frymën gjallë.

U nis dhe u ndërtua me bujë një Qendër Olimpike, por që përfundoi si një shtojcë e Bashkisë së Tiranës. Aty 2 apo 3 Federata qëndrojnë së bashku në një zyrë, me një palestër vetëm për aktivitetet kombëtare e ndërkombëtare. A e dini se në atë sallë lojërash, kur duhet të stërviten apo luajnë ekipet tona kombëtare, ato duhet të paguajnë 8 milionë lekë? Quhet Qendër Olimpike, por Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar jo vetëm zyrë që nuk ka, por nuk ka as një vend për të biseduar me Federatat sportive. Mjafton të kthejmë kokën nga Kosova fqinje dhe do të kuptojmë se sa larg realitetit jemi me sportin shqiptar.

Z.Kryeministër ju lutem merni masa sa nuk kanë filluar ndërtimet dhe mos e ofendoni edhe më tej sportin shqiptar në këtë mënyrë, pasi ai sport që ju ka bërë edhe juve dikur një basketbollist, nuk e meriton këtë gjendje.

Me konsideratë

Viron Bezhani

President i KOKSH