Sokol Hazizaj: Asgjësimi i Kushtetutës nga Rilindja po çon Shqipërinë  drejt diktaturës

196

-Analizë nga Sokol Hazizaj, konstitucionalist:

Interesat politike të mazhorancës rilindase kanë sjellë shkatërrimin tërësor të raportit të Kushtetutës me ligjet. Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese dhe masakrimit që po i bëhet Kushtetutës nga kontingjenti i deputetëve të listës po minohet Shteti i së Drejtës. Stili ligjbërës i rilindësve nuk ka lidhje me interesat sociale por kanë të bëjnë me interesat klienteliste të ministrave. Momenti parazgjedhor, ligj organik për Presidentin, dhe rishikimi i kompetencave të kryeministrit.

 -Duket se qeverisja e kryeministrit Rama është totalisht klienteliste, vendimet e shprehura nëpërmjet akteve ligjore në nënligjore kanë karakter arbitrar, larg fakteve, rrethanave ekonomike e sociale, në shpërfillje totale të realitetit

Interesat politike të mazhorancës rilindase kanë sjellë shkatërrimin tërësor të raportit të Kushtetutës me ligjet

 

Sokol Hazizaj, konstitucionalist në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf” shprehet se përbërja e këtij parlamenti, moment parazgjedhor, në të cilën ndodhet vendi, e bëjnë të pamundur miratimin e një ligji organik për Presidentin e Republikës. Madje, konstitucionalisti Hazizaj shprehet se fillimisht duhet nisur nismën ligjore për ndryshimin e Ligjit nr.9000, datë 31.01.2003, veçanërisht për të parashikuar në mënyrë të detajuar rolin e kryeministrit dhe ndalimet për të qenë i tillë, ndërsa thotë se Shqipëria ka nevojë për formatimin e një ligji organik për rolin e Presidentit të Republikës me marrëdhëniet me kryeministrin, rolin e tij nën cilësinë e administratorit të Presidencës, raportin me përfaqësitë diplomatike, etj. Konstitucionalisti Hazizaj argumenton se mazhoranca rilindase ndikoi për të keq në ndarjen e ndryshimeve ligjore nga realiteti, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me interesat  sociale, por me realizimin klientelist të projekteve individuale të ministrave dhe klientëve të tyre. Konstitucionalisti Hazizaj jep alarmin se mungesa e Gjykatës Kushtetuese e çon Shqipërinë drejt diktaturës.

 Koha, përbërja e këtij Parlamenti, momenti parazgjedhor në të cilin ndodhet vendi, e bëjnë të pamundur hartimin dhe miratimin e një ligji organik për Presidentin e Republikës, sipas parashikimeve të nenit 81 të Kushtetutës së Shqipërisë, që parashikon procesin ligjvënës

 

-Zoti Hazizaj, a është momenti i duhur, që të bëhet projektligj për kompetencat e Presidentit të Republikës, kur mungon Gjykata Kushtetuese, kur parlamenti nuk ka përfaqësim të të gjithë elektoratit, kur duhen vetëm 6 muaj nga data e zgjedhjeve parlamentare?

– Përgjigja e kësaj pyetje është komplekse, duke filluar nga çfarë përfaqëson Kuvendi i Shqipërisë sot, përbërja dhe standardi i tij, kushtetushmëria, përvoja e deritanishmë e ligjbërjes në këtë institucion sa kushtetues dhe jo i tillë. Ndaj, me të drejtë do të pohoja se, nisur nga sqarimi i tipareve të sipërcituara të Kuvendit të Shqipërisë, duhet pranuar se në këtë parlament formatohen jo vetëm ligje për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, por po të dëshirojë, ky Kuvend formaton ligje dhe për atë të Maqedonisë dhe më tej. Në këtë kuptim, nga njëra anë përpos domosdoshmërisë së formatimit korrekt të një ligji, i cili në të vërtet do të konturonte dhe ezauronte disa momente të rëndësishme të mënyrës së organizimit të institucionit të Presidentit të Republikës, që ka nevojë, nga ana tjetër koha, përbërja, momenti parazgjedhor në të cilin ndodhet vendi, e bëjnë të pamundur hartimin dhe miratimin e një ligji organik, sipas parashikimeve të nenit 81 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që parashikon procesin ligjvënës. Ndaj në këtë moment destruktiv ku dhe kur ndodhemi, roli i Gjykatës Kushtetuese, organ të cilin nuk e kemi funksional, do të ishte i domosdoshëm. Pse jo, kjo e fundit do të përbënte shkak që kjo mazhorancë e papërgjegjshme nuk duhej të ndërmerrte nisma ligjore që kërkonin detyrimin e parashikimit të nenit 81 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, pra nisma të cilët kërkojnë 3 të 5 e Kuvendit të Shqipërisë. Në këtë kuptim, ritheksoj se domosdoshmërisht, nuk e di nëpërmjet cilave prej mjeteve ligjore të deritanishme, se të tilla nuk ka, duhet ndaluar sëmundja e nisur në mandatin e dytë të kësaj mazhorance destruktive.

Duhet nismë ligjore për ndryshimin e Ligjit nr.9000, datë 31.01.2003 “për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, veçanërisht për të parashikuar në mënyrë të detajuar rolin e kryeministrit dhe ndalimet për të qenë i tillë

– Me çfarë kanë pohuar edhe ligjbërësit socialistë, madje edhe Vasilika Hysi, kryetarja e grupit të Kuvendit që përgatit këtë projektligj për Presidentin e Republikës, ky ligj do të përcaktojë kompetencat Kushtetuese të Presidentit të Republikës për rolin e tij në betimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, etj. Cili është mendimi juaj?

– Përfaqësuesit tanë në Kuvend janë për të qeshur dhe për të qarë. Po kush prej juristëve në këtë vend nuk e di se si disiplinohen me ligj organet kushtetuese?!. Po kush prej juristëve në këtë vend nuk e di që të gjitha nismat ligjore të ndërmarra prej saj dhe kolegëve të saj, për shkaqe kushtetuese janë kthyer nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë?!, po cilët prej juristëve apo kuvendarëve tanë nuk e di se kthimet  e ligjeve nga Presidenti Republikës jo kushtetushmërisht kanë kaluar pa u lexuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Po kush nga juristët në këtë vend e ka mohuar formatimin e një akti ligjor për disiplinimin ligjor të organit të Presidentit, pse jo paralelisht dhe nismën ligjore për ndryshimin e Ligjit nr.9000, datë 31.01.2003 “për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, veçanërisht për të parashikuar në mënyrë të detajuar rolin e kryeministrit dhe ndalimet për të qenë i tillë. Pamundësia e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, aspiratat e deritanishme e mazhorancës aktuale ka sjellë shkatërrimin tërësor të raportit të Kushtetutës me ligjet. Ky moment bëri të mundur që disa syresh të iniconin dhe historinë qesharake të betimit të Gjyqatrit të Gjykatës Kushtetuese pranë noterit. Ndonëse sa i përket betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe fillimit të ushtrimit të funksionit të tyre, kjo është një çështje mbyllur pas rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Mund të qëndrojë në sirtaret e ndonjë juristi apo noteri të çmendur, që duke shfrytëzuar ndershmërinë e një individi, e detyruan atë të kryente një veprim të shëmtuar.

Ja cilat kompetenca kushtetuese të Presidentit duhet të rishikohen në Kushtetutë

– A ka boshllëk kushtetues dhe ligjor në kompetencat e Presidentit të Republikës, të përcaktuara nga Kushtetuta e Shqipërisë?

Për fat kapitulli i katërt i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që bën fjalë për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, zgjedhjen, mënyrën e zgjedhjes dhe kompetencat, është një ndër kapitujt që ka ndryshuar vetëm një herë, në vitin 1998, me Ligjin nr. 9904, datë 21.04.2008, për pasojë të një emocioni keqdashës midis pozitës dhe opozitës së asaj kohe, midis Berishës dhe Ramës. Mjafton të sjell në kujtesë, duke cituar se koha në vitin 2008 solli ndryshimet kushtetuese nën preteksin e ndryshimit të sistemit zgjedhor dhe nxitoi zgjedhjen e presidentit të kohës nga mazhoranca e asaj kohe pasojë e dakortësisë së personazheve të sipërcituar. Duhet të pohoj se në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ka nevojë për formatimin e një ligji organik jo sa i përket kompetencave të Presidentit të Republikës, sepse ato nuk kanë rastësisht karakter kushtetues, por lidhur me rolin e tij si kreu i shtetit, marrëdhëniet me ekzekutivin, rolin e tij në cilësinë e administratorit të organit që përfaqëson, raportin me përfaqësitë diplomatike, raportet me partitë politike, etj, etj. Por kjo nuk do të thotë që kjo mazhorancë mund ta kryejë këtë detyrë kur dihet se për më tepër se një vit kur “erosi lidershipit të dy organeve” është tronditur, ku nëpunësi i qeverisjes së ëndrave kërkon që për tekat e tij të mbysë këtë rolin e presidencës vetëm për shkak të personit që ka rolin e përkohshëm të të qenurit President Republike. Hartimi i ligjeve të tilla jo në kohën dhe hapësirën e duhur, ku në mënyrë direkte prishin apo cënojnë uniformitetin e funksioneve të shtetit, i cili nuk mund të veprojë i përcarë të paktën sa i përket marrëdhënieve më kushtetutën, bëjnë të pamundur zgjidhjen e problemit.

Në zbatim të Kushtetutës ka nevojë për formatimin e një ligji organik për kompetencat e Presidentit të Republikës, lidhur me rolin e tij si kreu i shtetit, marrëdhëniet me ekzekutivin, rolin e tij në cilësinë e administratorit të organit që përfaqëson, raportin me përfaqësitë diplomatike, raportet me partitë politike, etj

– Zoti Hazizaj, kjo mazhorancë, duke përfituar ngaqë ka kartonat e shumicës absolute në Kuvend, këto vite të fundit ka ndêrmarrë shumë herë nisma ligjore që kanë prekur Kushtetutën në mënyrë të njëanshme, pa konsensusin e Opozitës reale. A është cenuar Kushtetuta e Shqipërisë, derisa Kushtetuta është Frymë?

– Për të qetësuar vehten dhe të tjerët gjithshtu, citoj se mazhoranca e sotme e filloi punën po me të njëjtin stil ku e la e kaluara. Pra nuk solli ndonjë risi në formatimin e akteve ligjore, për më tepër rëndoi peshën e ndryshimeve ligjore duke i çuar ato deri në ndarje të vërtet nga realiteti. Madje po të shihni me vëmendje aktet ligjore u ngarkuan me terminologji larg të qenit shqiptare, duke bërë përkthim të shëmtuar të akteve që janë kopjuar po kaq keq. Pa lodhur lexuesin, bëj me dije se në këto shtatë vite janë formatuar ligje, të cilat ndonëse kanë hyrë në fuqi, jo vetëm që nuk njihen nga shtetasit shqiptar, por nuk janë shoqëruar me akte nënligjore dhe për më tepër nuk janë krijuar dhe organet e duhura në zbatim të tyre. Stili ligjbërjes së rilindasve në pjesën më të madhe të tyre nuk ka asnjë lidhje me interesat sociale, por lidhen ngushtësisht me realizimin klientelist të projekteve individuale të ministrave apo klientëve të tyre.

Mazhoranca  rilindase  rëndoi peshën e ndryshimeve ligjore, duke i çuar ato deri në ndarje të vërtetë nga realiteti. Aktet ligjore u ngarkuan me terminologji larg të qenit shqiptare, duke bërë përkthim të shëmtuar të akteve që janë kopjuar po kaq keq

 

-A i jepet e drejta kushtetuese çdo mazhorance parlamentare, që ka shumicën absolute në Kuvend, të prekë Kushtetutën e Shqipërisë, pa konsesus të opozitës, pa miratimin e Sovranit?

– Mazhoranca e sotme nuk është e tillë, as brenda socialistëve rilindja nuk përbën mazhorancë përvec emrit, ndaj nuk mund të thuhet apo quhet e tillë. Mjafton të shihni aktet ligjore që prej vitit 2016, në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese, konstatohet se legjislacioni nuk referohet apo bazohet në arsye ose gjykim normal të realitetit, por në vullnet apo diskrecion personal të kryeministrit pa marrë parasysh rregullat ose standardet, mbi të cilat duhet të konstruktohet ngrehina ligjore. Duket se qeverisja e kryeministrit Rama është totalisht klienteliste, vendimet e shprehura nëpërmjet akteve ligjore në nënligjore kanë karakter arbitrar, larg fakteve, rrethanave ekonomike e sociale, në shpërfillje totale të realitetit. Nuk e di sa e vërtet është, por në se kryministri në tejkalim të ushtrimit të detyrave të tij ka vendosur të mos firmos në Vendimet e Këshillit të Ministrave haptazi jo kuishtetuese gjatë mandatit të dytë, por ja ka lënë këtë “favor’ zëvendësit të tij, duket që rojtari tij ka mësuar ngapak nga e drejta penale shqiptare?!.

 

Stili ligjbërjes së rilindasve në pjesën më të madhe të tyre nuk ka asnjë lidhje me interesat sociale, por lidhen ngushtësisht me realizimin klientelist të projekteve individuale të ministrave apo klientëve të tyre

– Çfarë ligji duhet sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë që të pengojë çfarëdo mazhorancë që njëanshmërisht prek Kushtetutën e Shqipërisë për çështje themelore të Demokracisë pa konsensusin e plotë të opozitës, pa miratimin e Sovranit?

– Ligji Kushtetues është një ndalim i madh në mbrojtje të lirisë në të gjitha kuptimet. Pyetja juaj është e drejtë kur kërkoni një garanci në kuptim të kufizimit të arbitraritetit nga mazhorancat fluide të krijuara rishtazi. Por demokracia si sistem nuk ka identifikuar tjetër solucion zgjidhjeje përvec ngrehinës së ligjit kushtetutës. Më pas varet se sa humane dhe sociale janë përfaqësimet, dhe mënyra se si vijnë ato në qeverisje. Kur qeverisja nuk vjen për pasojë të zgjedhjeve të ndershme dhe kushtetuese, pra vota vjen si shprehje vullnetit të lirë dhe të pacënuar, pra jo nga vjedhja, qeverisja quhet dhe është e mirë dhe pa probleme të karakterit konfliktual. E kundërta, pra abuzimi me votën, sjell natyrë tjetër qeverisje. Ushtrimi pushtetit duke sikur është produkt i shumicës, por është arrogant, arbitrar, pra thjesht sjellja duket haptazi e natyrës diktatoriale. Shihni pamjen e qeverisjes sotme, sjelljen e saj, zërin, mënyrën se si vishet, vendet ku banojnë, pushojnë. Konstatohet fare lehtë se arbitrariteti ka mbritur në kulm, ku dhe prodhuesit e modës i marrin të keqen pamjes, arredimit dhe pushimit të qeverisjes së sotme.

-Zoti Hazizaj, tashmë kush e zvarrit plotësimin e Gjykatës Kushtetuese, sa ajo të paktën të bëhet funksionale? Cili djall është akoma në djepin e Gjykatës Kushtetuese?

– Duhet të sqaroj se ne nuk e kemi patur kurrë djepin bosh, por djallin e kemi patur rreth tij, i cili për pasojë të arrogancës dhe deformimit të votës nuk la vend pa boshatisur të djepit. Djajtë nuk përfaqësojnë qytetarin që ropatet në djepin e gjykatave, të cilat janë duke shkuar drejt inekzistencës. Në mënyrë figurative ne kemi patur të tre fëmijët në djep, Presidentin, Kuvendin dhe Gjykatën e Lartë, të cilat shumë mirë mund të vishnin djepin me perden e Gjykatës Kushtetuese. Dhe sot djepi nuk është bosh, sepse kemi Presidentin e Republikës, Kuvendin e Shqipërisë, kemi dhe organin e ri nga reforma në drejtësi, KED-n. Por djalli me temjanët e tij kishte bërë llogarinë që ish anëtari i Gjykatës së Lartë të shkonte në Gjykatën Kushtetuese kryetar, dhe ai i Gjykatës Kushtetuese të shkonte në Gjykatën e Lartë, siç shkoi, duke shkatërruar dhe ndonjë element racional të Refomës në Drejtësi. Sot ne ndodhemi në një betejë shumë të ashpër, fundi i së cilës do jetë i gjatë dhe i mundimshëm për qytetarin shqiptar, sepse dhe nëse Gjykata Kushtetuese do të krijohet një ditë, e cila do të jetë e largët, numri i çështjeve të grumbulluara është kaq i madh sa shqyrtimi i disa prej tyre që lidhen me demokracinë e votës dhe qeverisjes do të lënë pasoja të parikuperushme. Vini re sa qesharake duket kur shkatërruesit e djepit dhe reformës mbi të i drejtohen qytetarëve për domosdoshmërinë e ngritjes së Gjykatës Kushtetuese. Mungesa e saj nuk i ka sjellë dëm vetëm të drejtës, por demokracisë në thelb. Në këtë kuptim mazhoranca e ardhshme, kushdo qoftë ajo, do të mbart një detyrë shumë të vështirë nesër, sepse diskriminimi social ka kapur majën e dëshpërimit. Duhet të mendojë për stimulimin e kategorive sociale të të përndjekurve, sepse nuk kanë ngelur vetëm ish të përndjekurit, por sot të tillë janë dhe SOCIALISTËT.

Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese është shumë e lehtë të shkosh drejt diktaturës. Kjo e fundit është afruar te gjysma, ku dhe kur kontigjenti njerëzor ka riardhur në drejtim, tani mjafton vetëm thellimi i censurës mbi lirinë nëpërmjet ligjit

A mund të zhvillohen zgjedhjet parlamentare pa Gjykatë Kushtetuese? Të mos harrojmë që në Gjykatën Kushtetuese ka edhe ankimim për kushtetueshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019.

– Duhet të sqaroj se Gjykata Kushtetuese për shkak të objektit dhe funksionit të saj është sa me karakter përmbajtësor të kufizuar ligjor brenda kushtetutës, por dhe me karakter politik. Në këtë kuptim, ndonëse ligjërisht apo përmbajtësisht nuk është e domosdoshme qasja apo ekzistenca e saj me proceset zgjedhore, por mosekzistenca e saj përbën kusht social, përmirësimin e ligjit zgjedhor, për evolucionin politik. Në thelb ne jemi shtet i së Drejtës, dhe sa kohë mungon rojtari, e drejta mund të rrjedh në mënyrë të çartur dhe pa drejtim, ose nga ana e më të fortit, arbitrarit. Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese është shumë e lehtë të shkosh drejt diktaturës. Kjo e fundit është afruar te gjysma, ku dhe kur kontigjenti njerëzor ka riardhur në drejtim, tani mjafton vetëm thellimi i censurës mbi lirinë nëpërmjet ligjit

– Faleminderit!

 Jakup B. Gjoça