Hazis Çeço dhe Agron Hysi djemtë që do rikthenin besimin në futbollin “pesështatoras”

926
Sigal

Nga Ilir J. Hoxha

Pak herë sa kampionati i vitit 1977-1978, ka qenë qenë kaq të denjë për kategorinë e parë. Nuk arritëm të plotësonim pikët për të qenë kampion, por kampion ishim me lojë me gola spektakolarë, ishim kampionët e mohuar të një kampionati që fuqinë ja lamë ta provonte që në nisje “Partizani” me atë miqësore spektakolare dhe më tej “Besa” me “Beslidhjen” e ditëve më të mira të tyre. Ky kampionat kishte për identikt dy djemtë tanë të talentuar sulmuesin Hazis Çeço dhe mesfushorin Agron Hysi, njëri inteligjent dhe tjetri potent dhe profesionist. Të dy djem të origjinës vendase do të rrëmbenin simpatinë e një rrethi, ndërsa kundërshtarët makthin. Padyshim për të gjithë ata që janë në moshë, kujtojnë se prurjet e Hazizit dhe Agronit  kanë qenë nga  më cilësoret e gjithë jetës futbollsitike  të “ 5 Shtatorit”. E vërteta ishtë se “brumi” aty ishte se pranvera nuk mund të vinte me dy “lule”, por këta sollën tharmin që “erdhi” ky brumë. Për ne tifozat e kohës, Çeço dhe Agroni nuk tregonin ndonjë gjë nga e zakonshmja, ku vinin ca djem të radhës që do luanin dhe aq më keq koha kishte treguar se ishte “5 Shtatori” i kishte rritur si lojtar dhe jo e kundërta, ndërsa Agroni me Çeçon na treguan të kundërtën që në startin e aktivizimit.

 

Haziz Çeço

Faroni i golave

I rritur në shtegëtim Hazis Çeços do t’i mungonte fëmijëria e rrugicave dhe shokëve të saj, aty ku historikisht ka qenë “shtëpia” e talenteve, por ky “devijacion” nuk e pengoi që ti bashkohej kësaj bashkësie talentesh. Maratonën futbollistike do ta niste në Konispol, për ta vazhduar në Leskovik dhe Peshkopia do të ishte destinacioni fundor që do t’i vilte frytet  një fëmije të lindur për futboll. Nuk ishtë rastësore që mardhënia me topin ka nisur aq herët sa ende nuk i kishte mbushur  5 vjeç. Kjo mardhënie do të ishte simbiozike për më shumë se 35 vjet. Ashtu sikur topi nuk mund të kuptohej pa Çeçon, po kaq, edhe e kundërta nuk mund të “mbijetonte” e vetëme. Aktivizimet e para me uniform dhe I organizuar do t’i kishte me pionerët e shkollave të Peshkopisë, ndërsa në Shtatorin e vitit 1973, krahas fitimit të shkollës Skënderbej në mes të më shumë se 3000 kadetëve do të përzgjidhej edhe si një nga futbollistët e ekipit të kësaj shkolle. Mjeshtri Refik Resmja me legjendën Panajot Pano do shikonin diçka përtej të qenit një futbollist i “specave” të kuq (beksave) dhe që në krye të herës do t’i jepnin kartabiankën për të kaluar me të rinjtë e Partizanit.

 

Të luante një fëmijë 15 vjeç në krahë të gjigandëve 18 vjeçarë të të rinjëve të Partizanit, patjetër kishe diçka më shumë se moshatërt dhe koha nuk vonoj për të treguar Hazis Çeçon. Së bashku me Perlat Mustën, Arjan Ahmetajn, Agron Hysin, Feta Gurin, Artur Lekbellon  do të përbënin atë plejadë kampionësh të të rinjëve  që do të kalonin direkt me të rinjtë, pa kaluar “stazhin” e të  qenit futbollist të ekipit të shkollës “Skënderbej” Peshën e fanellës së Partizanit të “vogël” do ta ndiente në atë ndeshje premierë, të javës së parë, ku fati e vendosi me “senjorët”e  rivalëve dinamovit. Fati nuk vjenë rastësht, por ai ndjek më të mirin… Interesant është se në këtë takim kanë luajtur 5 futbollistë skraparas, Hazis Çeço, Agron.Hysi, Fetah Guri, Luftar Guri dhe në krahun tjetër Aleko Bregu, ndërsa golat kanë qenë 100% skraparas. Golit të Bregut i është përgjigjur Çeço në atë gol premier të karrierës zyrtare, por edhe me “Partizanin”. Për 4 vjet do të shënonte dhe “lidëronte”, ndërsa cilësitë e një talenti në ngjitje, ku zgjuarësia dhe  teknika  individuale e ndërthurur me nuhatjen e jashtëzakonëshme për të shënuar, jo pak herë e kanë nominuar Çeçon si kandidat potencial të Partizanit. Në miqësoren me Parizanin, Loro do të shprehej: “Vazhdoni të luani kështu se e meritoni”. Në këtë vit mbyllet edhe trajnimi i Boriçit me Partizanin…

Çeço me “5 Shtatorin”

Mbërritja e Hazizit me Agronin fillimisht pati një jehonë skeptike, shkaku ishte se djemtë ishin minorë, vetëm 18 vjeç, nuk ju njihej karriera dhe në përgjithësi afrimet  që nga koha e P. Brahjes, kanë qenë posht nivelit të futbollistave tanë, por ky opinion do të “jetonte” pa lindur sepse që në stërvitjet e para gjithçka do përmbysej dhe çunat do të merrnin  statusin e idhujve. Ishte kjo paraqitje që në atë fillim shtatori do ta mbushte “stadiumin” me shpresë dhe me një numër tifozash ekuivalent me ndeshjet zyrtare.

 

Fillimi i epokës “Xuxi”

Një javë pas Partizanit në 18 Shtator 1977, forcën e ekipit dhe  veçmas të Hazizit do ta përjetonte Besa e Azem Mullaliut. Talenti dhe intuita e Çeços i transformuar nga tifozeria  “Xuxi”, do dilte përtej njerëzores, teksa spektaklit do ti shtonte atë gol manual që do të befasonte gjigandin e portës kavajase. Këtu fillon edhe “epoka”  Hazis Çeço.  Kreshendo e Xuxit nuk do kishte të ndalur. Në fitoret e njëpasnjëshme të atij “5 Shtatori” të vitit 1977-’78, golat e tij nuk do kishin vetëm vlerën e fitoreve, por edhe atë të spektaklit.  Kukësianet, matjanët, librazhdasit, fierakët  dhe të gjithë ato qytete që  patën “fatin” negative

 

1980-’81, golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave

Shpërthimi do të arrinte zenitin në kampionatin 1980-’81 , atëher kur Çeço do të thyente rekordin e golavë të shënuar brenda një kampionati të  kësaj kategorie, por jo vetëm. 23 golat e“markës”  Çeço, nuk ishin gola rutinë që kishin vetëm vlerën e golit, por më shumë se kaq edhe atë të spektaklit. Ishin këto gola që do ta bënin “5 Shtatorin” pretendentin kryesor për kategorinë e parë në atë kampionat të viti 1981.

1981-’84 Çeço sulmuesi i “Labinotit”

“Vesi” del me shpirtin, thotë një fjalë e urtë, nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe me Xuxin, ku në atë vit të parë me fanellën e “Labinotit”, 10 gola elbasanës do të ishin të markës “Çeço”. Për tre vjet elbasanasit do shijonin talentin e një sulmuesi si Haziz Çeço

1984- Çeço, kthehet në origjinë

Pas viteve 1984, Xuxi do të rikthehej në Skrapar, aty ku  me statusin e “heroit”do të luante për ekipin e origjinës. Karrierra e Çeços nuk do ndalte tek ajo e sulmuesit, por për disa vite ai do të bënte edhe trajnerin ekipit të “5 Shtatorit” .

 

Agron Hysi

Identikiti i karakerit skraparlli

Skraparasi “24 karatsh” do të bëhej pjesë e “5 Shtatorit”  në Gushtin e vitit 1977, pas një karrierre kampionësh me të rinjtë e “Partizanit” ku në krah do të kishte të famshmit Perlat Musta, Arjan Ahmetaj, Artur Lekbello, Kristaq Ciko, Fetah Guri të trajnerit Refik Resmja. Agroni do të ishte një nga ato përforcimet që “5 Shtatori” pak herë i ka patur. Së bashku me Haziz Çeçon do të bënin një pjesë e atij “5 Shtatori” që do të shkonte deri në vendin e tretë të klasifikimit, ku për rival do të kishte “Besën”, “Beslidhjen” por jo më pak të forta ishin Burreli, “Dajti”, “Erzeni” deri tek “Sopoti”. Edhe pse opinioni ende nuk kishte mbrritur mirë në Skrapar, Agroni  këtë do ta fitonte që në nisje të stërvitjes teksa do të binte në sy për disiplinë dhe profesionalizëm. “Bankoprovë” do të shërbente ajo ndeshje e paharruarr e miqësores me “Partizanin”. Djemtë  ish “partizanas” kanë shkëlqyer dhe pse jo e kanë vënë në mendime trajnerin e famshëm Loro Boriçi që i kishte lëshuar. Ndeshja përpos spektaklit ka treguar edhe vlerat e një ekipi që i kishte të gjitha mundësitë  të ngjitej më lartë. Superlativat e legjendës Loro Boriçi pas ndeshjes nuk ishin fjalë kortëzie të  një banketi mikëpritës të pasur me mish helli dhe raki Skrapari, por fjalët e një profesionisti që u vërtetuan jo më larg se 1 javë më pas, atëher kur më shumë se askush tjetër këtë do ta përjetonin mysafirët kavajas, në atë javë të parë të atij kampionati..

Agroni tregon : “Kur shkova në Çorovodë rashë në një ambient të çuditshëm. Ç’është e drejta mikëpritja na vuri nën presion, gjithsesi  ishim në vendin tonë. Stërvitjet kishin të njëjtin interesim si edhe ndeshjet zyrtare. Aty gjetëm një ekip të “pjekur” me djem të talentuar, por edhe shumë dashamirës. U kuptuam dhe u integruam menjeher me atë grup, kjo falë edhe dashamirësisë. Mendoj se atë vit nuk na deshi fati, që na shortoi me ato ekipe. Grupi ishte aty, ne, me Hazizin i shtuam besimin. Edhe për mua kjo “jetë” e shkurtër në Skrapar është nga më nostalgjiket e futbollit, por  jo vetem. Kemi qenë të vlerësuar dhe kjo na obligoj që të jepnim mundësitë maksimale. Shumë emocione kam përjetuar në atë eksperiencë të papërsëritëshme.  Ishim grup shumë harmonik jo vetëm në lojë, por më shumë se kaq edhe jashtë saj. Nuk më harrohet “estrada” në Kukës, ku një gol nuk e bëri ekipi vendas, por Skënder Sallaku, po të paharrueshme ishin edhe takimet me Burrelin , apo me Librazhdin. Respekte për atë popull dhe ata drejtues që sakrifikonin gjithçka për futbollin por edhe për ne futbollistët.”

 

NDESHJA HISTORIKE

11 Shtator 1977, “Partizani” në festën e çlirimit

Miqtë në fushën e “tyre”

Ironia do të rezervonte rastësin brilante  për djemtë plangprishës  teksa në ndeshen e parë premier me “5 Shtatorin”  do të kishin përballë në atë miqësore historike, Partizanin e Loro Boriçit. Përtej butaforisë mikëpritëse, nën mantelin e pakënaqësisë latente  çunave u kishte ardhur rasti për t’i treguar Loros se kishte gabuar.  Xuxi  me Gonen e kanë bërë të mendohet thellë Loron atë pasdite të  11 Shtatorit, “pesështatoras”.  Jashtë çdo ndikimi të avujve të  tradicionales tonë, superlativat e Boriçit për ekipin dhe veçmas për Hazizin do të ishin të sinqerta dhe inkarojuese për  ekipin.

Festa e çlirimit ka qenë një nga ditët e shënuara në Skrapar. Pothuaj që nga vitet 1950 ajo ka qenë nga festat tradicionale më të vlerësuara dhe të festuara në Çorrovodë. Këtë shtator të  vitit 1977 kjo festë nuk erdhi vetëm, por me një nga ikonat e futbollit shqiptar, ekipin e  “Partizanit”. Rrallë herë ka qenë Çorovoda aq e populluar sa ky 11 Shtator  i konvertuar në “5 Shtator”. Më shumë se festë e çlirimit ajo ishte festa e futbollit. “Partizani” i Loro Boriçit kishte ardhur në Çorrovodë…në atë Çorrovodë ku  “Partizani” ishte më “vendas” se vendasit.

 

11 Shtator, “5 Shtatori”-“Partizani” Çorovodë

Nuk ishte “Partizani” informal, por ai zyrtar, ishte “Partizani” i vërtetë, “Partizan” i Perlat Mustës, Arjan Ahmetajt, Kastriot Hysit, Ferdinant Lleshit, Agim Muratit, Safet Berishës, etj etj.  “Stadiumi” jonë ka qenë i “projektuar” që mbante pa limit, por atë të dielë është “dorëzuar” …!  Në këtë atmosferë do të fillonte kjo ndeshje historike për “5 Shtatorin” . Për vetë specifikën  e tij, Skrapari atë të dielë kishte dy ekipet e saj në fushën e tij !

“5 Shtatori”-“Partizani” 1-1 ( Fatos Hasko/ Ferdinant Lleshi)

Formacionet: “5 Shtatori”: M.Bregu, Gj Gega, R.Idërshaji, A.Guri, Nj.Bregu, F.Hasko, P.Kuçi,  A. Hysi,E Lito. S.Dyli, H.Çeço. Tr M.Baze

A.Murati tr L.Shllaku K..Hysi, P.Musta, I.Bushati Tr Loro.Boriçi, S.Berisha, A.Londo, F.Lleshi. (gjyq Dervish Cërri, K. Kaloçi, I. Kapxhiu) Ulur: A..Ahmetaj, P.Sava, A.Ziu dhe S.Starova.

“Partizani” : P. Musta, A Londo, S.Berisha, A.Ahmetaj, A Ziu, K.Hysi, F. Lleshi, I.Bushati, P.Sava, A Murati, S.Starova.Tr.Loro Boriçi

Shënues: Fatos Hasko/ Ferdinant Lleshi

Gjyqtar : Dervish Cërri, Ilijaz Kapxhiu, Kujtim Kaloçi

Nuk kishte ndodhur ndonjëher që në Çorrovodë të kishte “bujtur” ndonjë ekip kaq i “rëndë”. I ardhur në një vend ku e gjithë tifozeria ishte “partizanase”, të kuqtë do të befasoheshin jo vetëm me interesimin dhe mikpritjen, por po kaq, edhe me reagimin e atij ekipi që do të shpaloste maksimumin për t’i treguar Loros, se më shumë se na kishte bërë “nder” ne me afrimin e Astritit, Hazizit apo Agronit, kishte bërë “qeder” me largimin e tyre nga  “Partizani”.  Ndeshja ka dalë barazim, por trajneri Boriçi do të fliste me superlative për atë ekip. “Ishte një barazim aspak i toleruar, ju e merituat atë dhe keni një ekip që do të eci”- kështu do shprehej trajneri legjend për atë ndeshje dhe atë ekip të “5 Shtatorit”.

Haziz Çeço në dekorimin e Xhevahir Spahiut