Klodian Braho, Kreu i ri i SPAK

 

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjodhi Klodian Brahon në krye të SPAK për 3 vitet e ardhshme. Si votuan 11 anëtarët e KLP-së, dosjet e ‘nxehta’ që mbajnë ‘vulën’ e Brahos dhe prioriteti te trafiku ndërkombëtar. Ja profili dhe figura e njërit prej personaliteteve më të shquar të drejtësisë, Klodian Braho si dhe platforma e tij në krye të SPAK.

Ja si votuan 11 anëtarët e KLP-së,  dosjet e ‘nxehta’ që mbajnë ‘vulën’ e tij dhe prioriteti te trafiku ndërkombëtar

Sigal

Klodian Braho është kreu i ri i SPAK! Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi me votim të hapur për drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme për 3 vitet e ardhshme. Pas 6 orësh mbledhje, KLP votoi me 7 vota pro Klodian Brahon si drejtues të SPAK, ndërsa Adnan Xholi mori 3 vota dhe Elvin Gokaj 1. Doloreza Musabelliu nuk mori asnjë votë.

Votimi:Sokol Stojani- Adnan Xholi

Moisi Duda – Klodian Braho

Olger Eminaj- Klodian Braho

Erind Merkuri- Adnan Xholi

Mirela P. Bogdani – Klodian Braho

Vatë Staka- Adnan Xholi

Ledina Riza – Klodian Braho

Erind Gërmenji – Klodian Braho

Zeqir Hoda – Klodian Braho

Arta Mandro – Klodian Braho

Erion Fejzulla – Elvin Gokaj

Klodian Braho do të marrë detyrën nga Altin Dumani më 19 dhjetor për të nisur më pas zyrtarisht ushtrimin e funksionit si drejtues i Prokurorisë së Posaçme.

Procesin e ndoqën nga afër përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri, mes tyre e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së, Nancy Van Horn, dhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.

Platformat që prezantoi para KLP

Klodian Braho

Braho e nisi prezantimin me profilin e tij dhe karrierën në sistemin e drejtësisë, ndërsa ka listuar edhe disa nga çështjet më të bujshme që ai ka hetuar ndër vite.“Kam rreth 18 vite në sistemin e Prokurorisë. Kam ushtruar funksionin e Prokurorit në disa zyra të ndryshme të vendit. Në Prokurorinë Vlorë kam qenë pjesë e njësisë Task Forcë në këtë prokurori. Prej ditës së parë të Funksionimit të Prokurorisë së Posaçme jam pjesë e kësaj strukture. Së bashku me platformën time kam paraqitur çështje penale së bashku me zyrtarë të lartë. Në çështjet penale që kam prezantuar lidhur me zyrtarë të lartë kam kërkuar konfiskim e pasurive që shkojnë miliona euro.

Disa nga çështjet janë zhvilluar para se të krijohej SPAK. Ju kam paraqitur çështje penale me zyrtarë të lartë shtetërore dhe funksionarë të drejtësisë, për të cilët jo gjithmonë gjykata ka pranuar kërkesat për masë dënimi. Në këto raste kam paraqitur ankim dhe Apeli ka vendosur sipas kërkesës së prokurorit.

Lidhur me zyrtarë të  lartë apo të krimit të organizuar kam kërkuar konfiskimin e pasurive. Dua të sjell në vëmendje vetë një rast në 2023 është konfiskuar një shumë prej 18.4 mln euro, me origjinë nga veprimtaria kriminale, të cilat i përkisnin një organizatë kriminale. Sjell në vëmendjen tuaj se kjo shumë është sa dyfishi i buxhetit të SPAK në atë vit që ka qenë 8.9 mln euro”,- tha Braho ndër të tjera.

Ai deklaroi se është ekspert i veprave që lidhen me korrupsionin dhe teksa foli për pikat e tij më të dobëta, ai tha se duhet të përmirësonte komunikimin në publik.

“S’mendoj se jam perfekt. Si pikë të fortë, do të thoja se jam marrë gjatë me vepra penale që lidhen me korrupsionin. Kam pasur maturinë dhe qetësinë për çështje të tilla. Sa i përket pikës time të dobët, do të tregohem i sinqertë, prokuroria nuk ka qenë siç është sot, as ne nuk kemi qenë të përgatitur për këtë komunikim publik. Kjo është një nga pikat e mia do të thoja të dobëta, që duhet ta përmirësojë. Ne si trupë prokurorësh ndoshta s’kemi qenë të mësuar. Drejtuesi është ai që përfaqëson, por prokurorët se kanë pasur këtë mundësi, ndaj këtu ka vend për përmirësim!”– tha ai.I pyetur për punën e parardhësve, ai tregoi çfarë do merrte nga Dumani dhe kraja, teksa shtoi me kritikë se ky i fundit duket të kishte qenë më aktiv teksa mbante atë detyrë.

“Nga zoti Dumani do të merrja vendosmërinë dhe nga zoti Kraja qetësinë në kryerjen e detyrës. Kur të dy ushtronin detyrën, institucioni nuk ka qenë i njëjti. Në rastin e zotit Kraja, institucioni duhet të ishte më aktiv. Por ishte një periudhë as 3 vite. Në krahasim me zotin Dumani, do i merrja anën e mirë të produktivitetit. Se kam problem që të përballem me ankesa dhe akuza. Madje akuzat ia kam treguar vetë të pandehurve. Jo të gjithë duhet të shkojnë në burg, por qëllimi është që të fitojë drejtësia.”, tha Braho.Klodian Braho do të jetë drejtuesi i ri i SPAK për tre vitet e ardhshme. Braho do ta marrë detyrën me 19 dhjetor, një ditë pas përfundimit të mandatit të Altin Dumanit në krye të Prokurorisë së Posaçme. Braho është emëruar Prokurori në vitin 2007 dhe pjesë e SPAK që prej krijimit të tij.

 

 Dosjet e ‘nxehta’ që mbajnë ‘vulën’ e tij

Ai ka patur një rrugëtim të gjatë në sistemin e drejtësisë, duke mbajtur pozicione të rëndësishme në hetimin e rasteve të korrupsionit. Braho mban mbi supe edhe drejtimin e shumë çështjeve të “nxehta” që lidhen me politikën.Ai ka hetuar inceneratorin e Elbasanit, duke nxjerrë urdhër arresti për shumë persona mes të cilëve Mirel Mërtiri, Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe duke ndarë hetimin për ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati.Braho ka hetuar gjithashtu dosjen 5D ,duke dërguar në gjyq ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës. Po ashtu, një tjetër dosje e hetuar nga Braho është edhe ajo e njohur si “Toyota Auris” ku janë të përfshirë edhe shumë njerëz të drejtësisë. Kjo dosje është e ndarë në disa fraksione dhe janë duke u hetuar edhe pjesë të tjera të saj.Gjithashtu Klodian Braho është pjesë edhe e grupit të prokurorëve që firmosën dosjen për ish-ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu, tashmë në proces gjyqësor, nën akuzën për “shpërdorim detyre” në lidhje me rolin e tij si ministër në masakrën e Gërdecit.