Kërkohet KLSH të bëjë kontrollin e shpenzimeve reale

691
Pavarësisht se janë harxhuar miliona dollarë, dhe janë investuar projekte të hartuara nga një grup i mirë specialistësh të Bashkisë, duket se cilësia e rrugëve të këtij qyteti mbetet për të dëshiruar. Fakti se edhe Bashkia e qytetit e ka kontestuar procesin e punimeve dhe përfundimin e tyre, vlen shumë për të kuptuar se vlera e investimit nuk e justifikon cilësinë e ndërtimit dhe rikonstruksionit të rrugëve, disa prej të cilave ende të pa marra në dorëzim. Në nisje të punimeve për ndërtimin dhe rikonstruksionin, premtohen rrugë me parametra europiane por projektet deformohen rrugës. Në shumicën e rrugëve të reja (të përfunduara me vonesa të pajustifikuara) mungon sinjalistika duke përbërë rrezik për jetën e banorëve dhe poseduesve të mjeteve motorike. Odiseja për zgjerimin e rrugëve nga hyrja e qytetit deri tek Pedagogjikja, aksi rrugor nga stadiumi deri tek unaza, apo edhe akseve rrugore dytësore, treguan se me gjithë investimet e kryera ato vazhdojnë të jenë problematike. Gjatë katër viteve të fundit janë ndërtuar disa rrugë të reja në Elbasan si dhe janë rikosntruktuar rrugë kryesore apo dytësore ndërkohë që ka edhe rrugë që janë në gjendje të mjerueshme. Bashkia e Elbasanit gjatë kësaj kohe ka kontraktuar kompanitë ndërtuese për të rikonstruktuar rrugë me gjatësi nga 250 metra deri në 1 kilometër apo edhe më shumë. Plani i investimit i Bashkisë së Elbasanit gjatë periudhës kohore 2014-2015 kap vlerën e miliona dollarëve, çka tregon se fondet e dhëna për rregullimin e rrugëve nuk kanë qenë të pakta, kurse fituesit e tenderëve vareshin direkt nga dikasteret qendrore. Nga vëzhgimet e bëra në akset rrugore me sipërfaqen më të madhe territoriale, në qendër dhe lagjet ku ndodhen rrugë dytësore apo edhe rrugë kryesore duket se situata nuk është e mirë. Rrugë të sapondërtuara apo të sapo rikonstruktuara në pak muaj rikthehen në gjendjen e mëparshme, ku nuk mungojnë gropat dhe balta gjatë ditëve me shi. Banorët e kanë të pamundur të kalojnë në trotuaret e ngushta, gjë që i detyron të ecin edhe në rrugën e makinave. Nga vëzhgimi në terren konstatohet se në shumicën e rrugëve të reja mungon komplet sinjalistika, madje edhe vetë emrat e rrugëve ku kalon e ke vështirë t’i gjesh. Në disa raste trotuaret janë prishur vende-vende, madje edhe janë bastisur nga ndonjë banor i papërgjegjshëm. Duke pyetur eksperti për infrastrukturën rrugore në Elbasan V. Mullaj thotë se “cilësia e rrugëve të reja vlen për të dëshiruar, po ashtu edhe sinjalistika e përhershme nuk është e besueshme, koherente dhe e përshtatshme në funksion të sigurisë në qarkullim dhe në shumë vende mungon“. Gjatë rikonstruktimit të rrugëve ekzistuese apo dhe gjatë ndërtimit të rrugëve të reja urbane ndeshemi me mungesën e plotë të sinjalistikës së përkohshme dhe të përhershme. Në shumë raste ajo nuk është në përputhje me V.K.M nr.277 të vitit 2010 sipas “Manualit të Sinjalistikës”, ç’ka sjell anomali në trafik dhe një mungesë totale të sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës. Qytetarët shpesh ndeshen me fenomenin e rëndomtë të prerjes së shiritave të rrugëve për efekte elektorale dhe politike pa marrë parasysh elementët e sigurisë rrugore dhe sigurinë në qarkullim për poseduesit e mjeteve motorike duke sjell aksidente të cilat në kushtet normale nuk ndodhin. Gjithashtu çdo rrugë e projektuar apo e rinkonstruktuar duhet të plotësojë nivelin e shërbimit në funksion të klasifikimit dhe standardeve përkatëse teknike për të cilën është ndërtuar- thotë eksperti Mullaj. Sipas tij “pothuajse në gjithë rrugët urbane të qytetit të Elbasanit konstatojmë faktin se një pjesë e mirë e tyre nuk ofron nivelin e shërbimit për të cilën ajo është projektuar dhe ndërtuar apo dhe rikonstruktuar në përgjithësi projektimet apo rikonstruksioni i rrugëve nuk bëhen në funksion të matjeve të trafikut por në mënyrë spontane, duke sjellë në vazhdim pasigurinë e qarkullimit të kalimtarëve”. Sipas ligjit dhe VKM, një pjesë e kryqëzimeve apo rrethrrotullimeve nuk studiohen një herë në 5 vjet në funksion të matjeve të trafikut, në mënyrë që të kryhen artificat e nevojshme teknike për sigurinë në qarkullim dhe të zvogëlohet potenciali i rrezikut për përdoruesit e rrugës. Në qytetin e Elbasanit janë dhjetëra km rrugë urbane dhe numri i mjeteve që lëvizin është i madh duke llogaritur numrin e mjeteve të këtij qyteti si edhe të mjeteve që hyjnë në territorin e tij gjatë 24 orëve, por edhe gjatë sezonit veror veçanërisht. Në buletinet e Prokurimit Publik gjenden emrat e fituesve për procedurat e tenderimeve për rikonstruksionet apo ndërtimet e rrugëve të Elbasanit. Disa nga kompanitë kanë fituar më shumë se 2 apo 3 projekte, ndërkohë që ka të tjera që kryejnë studime dhe projektime (por që nuk kanë pasur mbështetje politike) dhe që mbeten me shpresën se një ditë do të shpallen “fitues” me ndërhyrjen e ndonjë ministri.
Sigal