Transportimi i lëndëve drusore në mes të ditës, para syve të drejtuesve lokalë

475
Aksioni për parandalimin e prerjes së sipërfaqeve pyjore duket se nuk po shkon ashtu siç duhet apo siç thuhet çdo ditë nga Ministria e Mjedisit, pavarësisht aksioneve që janë ndërmarrë ditët e fundit në disa rrethe të vendit. Përsëri transporti i lëndëve drusore në disa qytete ndodh të bëhet hapur në mes të ditës, pa pasur asnjë problem nga ana e kontrolleve si nga ana e Policisë Pyjore ashtu dhe mungesa e kontrolleve të ushtruara nga Krimi Ekonomik dhe nga Inspektorati i Mjedisit dhe Pyjeve për bllokimin e këtyre kamionëve, të cilët bëjnë transportimin e lëndës drusore. Një gjë e tillë ndodh hapur në Mirakë të rrethit të Elbasanit, ku kamionë me lëndë drusore nuk e kanë aspak problem të qarkullojnë lirshëm në mes të ditës, pa pasur frikën e ndalimit nga ana e Policisë pyjore, apo ushtrimit të kontrolleve nga pushteti lokal për pajisjen me leje të posaçme për ushtrimin e këtij aktiviteti. Aksioni i transportimit të lëndëve drusore nga pyjet e Librazhdit, për t’u shitur më pas në brendësi të qyteteve, bëhet pa u ndaluar nga askush. Edhe pse Ministria e Mjedisit ka bërë thirrje për kontrollin e tregtimit të lëndës drusore, përsëri ky fenomen vazhdon të jetë problem në shumë rrethe të vendit, duke treguar qartë se si Policia Pyjore dhe Krimi Ekonomik nuk reagon për të bërë të mundur bllokimin e këtyre kamionëve të cilët lëvizin lirshëm pa asnjë problem, duke shkatërruar qindra hektar sipërfaqe pyjore në vend. 
Mungesë kontrolli nga Pushteti lokal, Policia Pyjore, Inspektorati i Mjedisit dhe Krimi Ekonomik 
Edhe pse alarmi për rrezikimin e sipërfaqeve të hapësirave të gjelbra në vend është dhënë disa herë nga Ministria e Mjedisit, përsëri fenomeni i prerjes dhe transportimit të lëndëve drusore ndodh hapur. Mjafton të hedhësh një sy të lirë dhe do të kuptosh se si vetëm gjatë verës së këtij viti janë rrafshuar mbi 40 hektarë pyje dushku në rrethin e Librazhdit. Dhe kjo nuk është vepër e fshatarëve të cilët ngarkojnë mushka e gomerë, por aktivitet i një rrjeti, i cili duket qartë që është i lidhur me Policinë pyjore dhe pushtetin lokal, të cilët nuk ushtrojnë asnjë kontroll për mjetet të cilat ushtrojnë këtë aktivitet në lirshmëri të plotë. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër për qarkullimin në normalitet të këtyre kamionëve, të cilët shkatërrojnë çdo ditë pyjet e këtij rrethi pa u ndaluar nga askush. Pre e këtij rrjeti kanë rënë dhe banorët e këtyre zonave të thella ku veprohet çdo ditë, banorë të cilët janë të nënshtruar nga presioni që u bëhet nga “bosët” e këtyre rrjeteve për të mos folur me askënd nëse pyeten në lidhje me këtë çështje. Duke vënë gjithçka në dispozicionin e tyre, “bosët” e këtij rrjeti nuk e kanë problem të qarkullojnë në mes të ditës kamionët me lëndë drusore përmes qyteteve pa pasur frikën e ndonjë penalizmi nga Sektori Për Krimin Ekonomik e Financiar, duke treguar qartë se si Ministria e Mjedisit ka humbur kontrollin përballë këtij fenomeni shkatërrues. 
Sigal