Eksperti i ekonomisë Pano Soko e konsideroi dosjen e AKSHI-t një “batërdi të madhe”, duke theksuar se s’kemi të bëjmë thjesht me vjedhje si te inceneratori e 5D, por është dëmtuar siguria kombëtare. “Batërdi e madhe. Këtu s’kemi të bëjmë thjesht me vjedhje si 5D dhe inceneratori. Këtu është përtej vjedhjes. Edhe pse vlerat shkojnë 500 e ca milionë euro, por përsëri vjedhja në vetvete është në plan të dytë. Problemi më i madh është rrezikimi, pse jo dhe dëmtimi i sigurisë kombëtare. Te AKSHI s’kemi krim me kollare si te inceneratorët. Kemi krimin që futet në vet të parë sepse problemi më i madh janë të dhënat. Ky është dimensioni i ri i marrëdhënies shtet-krim, ku shteti arkitekton gjithë veprat kriminale, të marrjes peng të njerëzve, ndërhyrjes me dhunë, duke përdorur institucionet shtetërore. Si aferë është atipike, dosja është atipike. Kemi për herë të parë kërcënimin e një ministri”.
Pas zbulimit të skandalit të tenderave drejtoresha Mirlinda Karçanaj ka deleguar kompetencat drejtuese. Mësohet se drejtimi i AKSHI-t do të bëhet nga Romina Kostani, e cila aktualisht mban postin edhe si Drejtoreshë e Drejtorisë së Koordinimit të Agjendës Digjitale dhe Projekteve e-Gov me fonde të huaja. Ndërkohë, vendimmarrjet, që lidhen me çështjet e sigurisë kibernetike do të ushtrohen nga Enis Ylli, Drejtor i Drejtorisë së Monitorimit dhe Mbrojtjes Kibernetike për Sistemet dhe Infrastrukturat e-Gov dhe Marko Cela, Drejtor i Drejtorisë së Infrastrukturës e-Gov.





















