KATEGORIA E PARË/ Specialisti i futbollit Fatmir Sala, tregon ecurinë e garës në gjysmën e parë të kampionatit

Ndeshjet janë të luftuara, por kërkojnë pikët e më pak lojën

NOA

Agron KAJA

 

Pasi luajti 17 javët e gjysmës së sezonit 2025-2026, të martën me ndeshjen Korabi-Burreli 0-1, Kategoria e Parë e mbylli këtë pjesë me 16 gola të shënuar në 6 ndeshje. Për specialistin e futbollit Fatmir Sala, në 17 javët e luajtura, ka patur ndeshje të mira dhe të luftuara, por sipas tij, më shumë skuadrat kanë qënë të orientuara te marrja e pikëve, se sa tek loja. “Që në nisjen e tij e deri tek java e 17-të, kampionati i Kategorisë së Parë është luajtur me një garë të luftuar. Të gjitha skuadrat kanë marrë atë që kanë dhënë në fushën e lojës, por mendoj se ka munguar loja e bukur. Kjo edhe për faktin se skuadrat në ndeshje kanë si synim final marrjen e pikës, dhe më pak lojën e bukur”, kështu e nisi dje bisedën krutani Fatmir Sala, i cili duke ju referuar tabelës së renditjes në 17 javë, nuk shikon ndonjë befasi. “Edhe pse nesër (sot) luhet ndeshja e prapambetur e javës së 17-të, Korabi-Burreli, skuadrat janë në pozicionet e palëvizshme në renditje. Më sipër u shpreha se çfarë kanë dhënë në fushë kanë vlera në renditje, por do të shtoja se përjashtoj Kastriotin e Besën, që ka bërë një ngjitje të madhe, kryesisht në 3-4 ndeshjet e fundit. Sepse fitorja 3-1 e Besës ndaj Ilirisë edhe nuk pritej, e po kështu humbja e Apolonisë me Laçin”. Por për Fatmir Salën ka edhe ndeshje që u veçuan në javën e 17-të, duke vendosur njërën prej tyre edhe si kryendeshje e kësaj jave. “Java e 17-të kishte ndeshje të luftuara, por kishte edhe mes tyre rezultate që nuk mendoheshin sikundër edhe dolën. Së pari, sfida Besa-Iliria nuk mendohej që të fitonin kavajasit thellë 3-1, e po kështu fitorja e vështirë dhe minimale 0-1 e Skënderbeut në Kukës, e cila për nga pozicionet e skuadrave në tabelën e renditjes, pritej të ishte shumë e lehtë dhe e thellë për korçarët. Ndërsa fitoren e Kastriotit 2-1 me Lushnjen, do ta veçoja si kryendeshjen e kësaj jave të fundit për muajin dhjetor, sepse u luajt mes dy skuadrave që kërkojnë ringritjen dhe ngjitjen në tabelë”. Por çfarë treguesi veçon Sala në këtë rrugëtim të skuadrave? “Thuajse në pjesën më të madhe të ndeshjeve në këto 17 javë, skuadrat janë shfaqur më të interesuara të marrin pikët, se sa të japin vlera në nivelin e lojës. Ky tregues negativ duhet përmirësuar në pjesën tjetër të sezonit”, ishte kjo biseda me specialistin e futbollit Fatmir Sala, në analizën e tij për pjesën e parë të sezonit 2025-2026 në Kategorinë e Parë..

Dje u mbyll java 17, Burreli fiton në transfertë mes tensionit

Java e 17-të e Kategorisë së Parë, dje i dha dorën e fundit mbylljes së vitit 2025. Ndeshja e luajtur në Peshkopi, Korabi-Burreli u mbyll 0-1 në favorin e matjanëve. Mjaftoi goli i Erblin Kokës për të vendosur fatet e takimit në minutën e 84-të, ndërkohë që edhe incidentet nuk munguan, pasi në minutën e 70-të u përplasën stafi i Burrelit me tifozët vendas. Madje për këtë ishte e nevojshme edhe ndërhyrja e policisë, kur arbitri Enis Dishani tregoi kartonin e kuq Arjan Lleshajt nga stafi i Burrelit. Të dyja skuadrat e mbyllën me nga 10 lojtarë.

 

 

KATEGORIA E PARË

Ndeshjet-Java e 17-të  

E shtunë, 20 dhjetor 2025

AF Luftëtari-Pogradeci            2-3

Apolonia-Laçi                        0-2

Kastrioti-Lushnja                    2-1

E dielë, 21 dhjetor 2025

Besa-Iliria                                3-1

Kukësi-Skënderbeu                  0-1

Sot, 23 dhjetor 2025

Korabi-Burreli                       0-1

RENDITJA    

Skuadrat                    Nd       P

1.Skënderbeu               17        40

2.Laçi                          17        33

3.Pogradeci                 17        32

4.Kastrioti                   17        24

5.Besa                        17        23

6.Burreli                      17        23

7.Apolonia                  17        22

8.Iliria                         17        22

9.Korabi                      17        20

10.Lushnja                  17        16

11.AF Luftëtari            17        11

12.Kukësi                    17        9

Skënderbeu “kampion dimri”, Kukësi “ngujohet” në fundin e tabelës

Me ndeshjen Korabi-Burreli 0-1 u mbyll pjesa e parë e kampionatit të Kategorisë së Parë. Me një gol, me 2 kartonë të kuq dhe tension mes tifozerisë vëndase e stafit matjan, këto ishin dukuritë e kësaj sfide, e cila i dha ngjitje Burrelit në renditje. Kështu, Skënderbeu e mbyll si “kampion dimri” me 40 pikë, 7 më shumë se Laçi i vendit të dytë. Ndërsa Pogradeci është në kuotën e 32 pikëve në vendin e 3-të. Të sigurtë në mesin e renditjes janë Kastrioti, Besa dhe Burreli, ndërkohë që Apolonia me Ilirinë duken të sigurta me 20 pikë. Mbyllin tabelën Korabi, Lushnja, Luftëtari dhe Kukësi, të cilat në këto 18 javë mbetën në zonën e mbijetesës.  Kategoria e Parë rinis më 18 janar 2026.

 

 

 

Mesfushori kuqezi Medon Berisha, rrit kuotat financiare në treg

 

Dje pasdite, mesfushori kuqezi Medon Berisha është njohur me vlerën e tij të re në tregun e “transfermarkt”. Ai tashmë vlerësohet 6 milionë euro, nga 1.5 milionë euro që ishte më parë. Një rritje e jashtëzakonshme për 22-vjeçarin, i cili ka spikatur në pjesën e parë të sezonit te Leçe, e kështu bëhet lojtari i tretë më i vlerësuar. Vlera e tij nga lojtarët që përfaqësojnë Shqipërinë është e barabartë me Ardian Ismajlin, që mban vendin e gjashtë. Aktualisht, Berisha po kalon një dëmtim, i cili pritet ta mbajë edhe për rreth 3 javë jashtë fushave të blerta. Sa i përket vlerës së tij, mund të thuhet se nga fundi i vitit 2024 ku vlente 1 milion euro, rritja është e dukshme. Me Kombëtaren, Berisha ka luajtur në 4 ndeshje, ndërsa në sfidat për kualifikueset e fundit të Botërorit 2026, nga trajneri Silvinjo nuk u aktivizua asnjë minutë.

 

 

 

Broja prishi “agjerimin” e golit, e vlerësojnë mediat në Angli

Në ndeshjen e javës së kundër Bournemouth, Bërnli barazoi 1-1, falë golit të Armando Brojës në minutën e 90-të. Një pikë në transfertë kjo për skuadrën ku legjionari ynë gjeti golin e parë pas dy viteve “agjerim. Nga mediat britanike, festa e Brojës pas këtij goli u quajt si e “çmëndur”, si një “mrrekulli e munguar”, por edhe një “sinjal rikthimi” të tij në formën e duhur. Në “Sky Sports”, goli i Brojës është vlerësuar edhe si moment kthese për sulmuesin shqiptar, pas dëmtimeve të njëpasnjëshme në dy vitet e fundit. Ndërkohë që “Sport Neës” shkruan se Broja u rikthye me këtë gol, duke e quajtur një moment kthese. Nga ana e saj, BBC Sports kërkon që të presim, sepse sipas tyre, rikthimi i Brojës në formën e viteve më parë do edhe pak kohë. “Me 25 minuta në fushë, Broja shpëtoi Bërlnin nga humbja”.