Hasan Lika: “Gjyqtari gaboi në çaste vendimtare”

477
Sigal

Trajneri i Partizanit flet pas fitores me Kastriotin: “Skuadra po funksion. Tri pikë të merituara”

Trajneri i Partizanit, Hasan Lika, u shpreh për “Telegraf” i kënaqur për fitoren e çmuar ndaj Kastriotit, e dyta sezonale ndaj krutanëve përfshirë dhe atë të fazës së parë. “Mendoj se bëmë një lojë të mirë dhe se duhet ta kishim mbyllur ndeshjen më shpejt. Krijuam shumë raste për të realizuar dhe ta menaxhonim lojën më mirë, pasi filluam ta mbronim rezultatin shumë më herët sesa duhej”. Gjithsesi, tekniku i kuq nuk i kurseu kritikat ndaj gjyqtarëve me kryesor Sinon. “Për mendimin tim, gjyqtari duhet ta kishte menaxhuar më mirë takimin. Mund të them se, ai ka gabuar në disa raste mjaft decizive të ndeshjes. U ndëshkuam në pjesën e parë me kartonë, çka na bëri edhe të humbisnim disi qetësinë gjatë takimit”.

 – Z.Lika, një fitore me shumë vlera ndaj Kastriotit, duke përsëritur suksesin e fazës së parë. Cili është komenti juaj?

– Mendoj se bëmë një lojë të mirë dhe se duhet ta kishim mbyllur ndeshjen më shpejt. Krijuam shumë raste për të realizuar dhe ta menaxhonim lojën më mirë, pasi filluam ta mbronim rezultatin shumë më herët sesa duhej. Kjo ishte një e metë në lojën tonë, por sigurisht duke e përgëzuar edhe kundërshtarin që na izoloi disi.

– Protestuat disa herë ndaj gjykimit të Sinos. Sa i kënaqur jeni me arbitrat?

– Të gjithë ata që ishin të pranishëm në “Qemal Stafa”, e kanë krijuar opinionin e tyre. Për mendimin tim, gjyqtari duhet ta kishte menaxhuar më mirë takimin. Mund të them se, ai ka gabuar në disa raste mjaft decizive të ndeshjes. U ndëshkuam në pjesën e parë me kartonë, çka na bëri edhe të kumbisnim disi qetësinë gjatë takimit.

– Partizani i pati mundësitë për ta mbyllur më herët ndeshjen, pasi u shpërdoruan shumë raste.

– Po, është e vërtetë. Krijuam dhe shpërdoruam shumë raste. Pozitive është që po krijojmë më shumë raste sesa në ndeshjet e mëparshme, por nuk po gjejmë sërish cilësinë e duhur për të finalizuar përpara portës. Kjo, jo vetëm për mungesën e vëmendjes së lojtarëve tanë, por dhe për meritë të portierit kundërshtar, i cili në dy-tri raste e shpëtoi ekipin e tij nga gola të sigurt.

– Dy fitore rresht, me Teutën e Kastriotin, dhe tashmë në vendin dytë me pikë të barabarta me durrsakët…

– Mendoj se jemi në vazhdimësinë e ndeshjeve të mira. Sigurisht, që do të merrnim edhe rezultate. Duhet ta pranoj se, ishte një fitore disi e vuajtur kjo e sotmja (e djeshmja). Sigurisht, që duhet të jemi më të kujdesshëm dhe ta menaxhojmë më mirë situatat, në organizimin dhe në administrimin e lojës pasi i kemi lënë shumë terren kundërshtarit. Duhet të kemi më shumë besim në lojën tonë.

– Ndeshja e radhës është ajo me Laçin, sërish në “Qemal Stafa”. Në fazën e parë, Partizani humbi 1-0. A është koha për revansh dhe firmosur fitoren e tretë radhazi?

– Parashikoj një ndeshje shumë të fortë, pasi dhe Laçi po bën një sezon të mirë (dje fitoi me Tiranën). Të gjitha ndeshjet tani bëhen edhe më të vështira. Laçi është një skuadër me lojtarë cilësorë. Të gjitha skuadrat do të luftojnë fort kundër nesh. Shpresoj të ruajmë vazhdimësinë dhe të fitojmë për të realizuar objektivat që kemi.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA 12

Dje,

PARTIZANI-KASTRIOTI  1-0

Shënues: Malo 13′ (pen)

FLAMURTARI-VLLAZNIA  3-1

Shënuesë: Zeqiri 13′ (pen), 78′, Abilaliaj 73′ / Hajdari 45′

LAÇI-TIRANA  1-0

Shënues: Kastrati 15′

Të shtunën,

BYLISI-TEUTA   2-2

Shënuesë: Kuli 20, 38′ / D.Xhafaj 15′, Dosti 34′

KUKËSI-LUSHNJA    1-0

Shënues: Smajli 70′

BESA-SKËNDERBEU   1-1

Shënuesë: Sefa 45′, Shkëmbi 86′

RENDITJA

1    Skënderbeu      12   +8   23

2    Teuta           12   +2   20

3    Partizani       12   +2   20

4    Laçi            12   +0   19

5    Kukësi          12   +0   18

6    Flamurtari      12   +3   17

7    Vllaznia        12   +3   17

8    Lushnja         12   -2   15

9    Bylis           12   +2   15

10   Besa            12   -4   12

11   Kastrioti       12   -5   12

12   Tirana          12   -9   10

Heroi i takimit flet për “Telegraf”: “Synimi unë është Europa. Goli për të fejuarën time”

 Julian Malo: “Titulli, jo një ‘mollë e ndaluar’ për Partizanin”

 Julian Malo është sërish heroi i të kuqve. Nëse para dy javësh shënoi atë tripletë të paharrueshme ndaj Teutës, kësaj radhe ka fituar dhe realizuar nga pika e bardhë e penalltisë, duke siguruar fitoren minimale për të tijtë. Një triumf tepër i çmuar, që vlen vendin e dytë. “Sigurisht që, të shënosh dhe për më tepër golin e vetëm e që i jep fitoren skuadrës tënde është një kënaqësi e madhe. Çdo fitore ka tri pikë dhe ne aritëm t’i marrim ato. Kjo fitore na jep më shumë motivim për ndeshjet e ardhshme”, – tha Malo, autori i golit të vetëm të ndeshjes Partizani-Teuta.  Edhe Malo tha se, ishte disi i pakënaqur në lidhje me gjykimin: “Gjithsesi, për atë mund të flasin trajnerët dhe stafi teknik, jo unë si lojtar”. Juliani e festoi golin e shënuar duke formuar me gishta formën e zemrës. “Po, golin ia dedikoj të fejuarës sime. Ishte në tribunë. Ajo më jep shumë shtysë”. Ndeshja e radhës është ajo kundër Laçit, skuadër me të cilën Malo ka luajtur përpara se te vishte fanellën e kuqe. “Sigurisht, do të më pëlqente të shënoja. Kam luajtur me Laçin, por tani jam lojtar i Partizanit dhe dua të fitoj skuadra ime. Laçi ka një ekip të mirë, por mendoj se Partizani ka kontingjentin e duhur për ta fituar takimin”, – tha Malo. Sulmi i Partizanit tashmë po funksionon. “Po, është e vërtetë që sulmi po funksionon më mirë, pavarësisht se po krijojmë raste. Edhe sot (dje) krijuam disa raste, dhe mund ta kishim mbyllyr më shpejt takimin. Partizani nuk do t’i ndahet objektivit për të qenë në Europë, por dhe titullin nuk e konsideroj një “mollë të ndaluar” për ne!”,  shtoi Malo, i cili është dhe golashënuesi më i mirë sezonal i Partizanit. Një lojë e fortë, me dyluftime të ashpra, ku secila palë kërkonte t’i merrte iniciativën tjetrës, ka përshkruar 90 minutat e kësaj sfide. Me një prapavijë tepër solide, që s’ka gabuar në asnjë moment, Partizani ka arritur ta mbajë të paprekur rrjetën e Alban Hoxhës  . Në kahun tjetër, të kuqtë kanë krijuar mundësi të tjera shënimi, ku ai i Hyshmerit në pjesën e dytë ishte ideal. Gjithsesi, reagimi i krutanëve ka qenë optimal, teksa lojtarët cilësorë që kanë në përbërje, si Turdiu, Jetmir Sefa, Ferraj etj., kanë tentuar me të gjitha mënyrat për t’i barazuar shifrat. Më afër këtij objektivi ka qenë braziliani Fonseka, teksa me një gjuajtje me kokë ka drithëruar portierin Hoxha. Reshjet e shiut janë bërë më të dendura në 15 minutat e fundit të takimit, kur zëvendësimet e të dyja palëve kanë tentuar rifreskimin e formacioneve, por topi mezi lëvizte në terrenin e “Qemal Stafës”, të mbushur me ujë tashmë. Topat e gjatë e në lartësi nuk janë shfrytëzuar si duhet nga sulmuesit respektivë, që e kanë pasur të pamundur të superojnë mbrojtjet solide e në vijë të drejtë, që aplikuan të dyja skuadrat. Për krutanët ka evituar golin e dytë Ilion Lika në fund, në rastin e goditjes potente të dënimit nga Ibrahimi. Me fitoren minimale 1-0 të Partizanit përfundoi ndeshja përmbyllëse e javës së 12-të të Superiores, që e ngjesh akoma më shumë kreun e renditjes.