Lorik Cana” “Goli im për shqiptarët!”

470
Sigal

 Kapiteni i Shqipërisë realizoi në minutën e 95-të kundër Sampdorias në Serinë A

Lorik Cana shënoi në gol “in extremis”, pikërisht në minutën e 95-të, duke i dhuruar një pikë shumë të çmuar Lacios së tij në barazimin 1-1 në transfertën kundër Sampdorias. Një gol klasi, fryt i këmbënguljes së gjatë të kapitenit të Shqipërisë. Në minutën e fundit shtesë, Loriku kontrolloi mirë topin në zonë, gjuajti saktë, duke barazuar rezultatin. Lorik Cana u shpreh i pakënaqur për mënyrën sesi ekipi i tij luajti, por shumë i lumtur për golin e shënuar. “Sampdoria e dëshironte fitoren më shumë se ne. Nuk është mënyra më e mirë për të luajtur një ndeshje futbolli. E vendosëm vetë veten në vështirësi. Thjesht nuk mund të bëjmë një ndeshje kaq të dobët pas asaj ndeshjeje aq të mirë kundër Parmës. Duhet të provojmë të rritemi, dhe jam i bindur që pa dëmtime të tjera do të kthehemi si më përpara”. Në fund Cana flet për pozicionin e tij dhe ka një dedikim special për golin. “Kam luajtur në fillim si mesfushor dhe në Itali kam shënuar dy gola jo nga goditjet e këndit. Unë përpiqem të kënaqem duke luajtur në mbrojtje te kjo skuadër. Më pas e di që i gjithë publiku shqiptar ishte duke më ndjekur dhe ishte me mua. Goli im është për ata”. Ky ishte goli i tretë i Lorik Canës me fanellën e Lacio që pas transferimit nga Gallatasaraji. Sampdoria luajti të gjithë pjesën e dytë me një lojtar më pak. Mesfushori i Kombëtares, Migjen Basha, ishte titullar në fitoren 4-1 të Torinos ndaj Katanias. Në Serinë B, Karpi i Edgar Çanit dhe Ledian Memushajt humbi 1-0 me Sienën. Në Azerbajxhan, Karabaku i Admir Telit dhe Ansi Agollit barazoi pa gola me Rëvanin.

 Gashi dhe Sadiku, gola fitoresh në Zvicër

Dy sulmuesit e Kombëtares shqiptaere, Shkëlzen Gashi i Grashopersit në Superligën zvicerane dhe Armando Sadiku i Luganos në Challenge League shënuan gola të rëndësishëm dje në Zvicër, duke u dhuruar fitoren skuadrave të tyre. Në Superligë, Grasshopersi humbiste 1-2 në fushën e Aaraut, kur sulmuesi kuqezi Shkëlzen Gashi shënoi dy gola (të dytin dhe të tretin), duke përmbysur shifrat me ndeshje në që përfundoi 4-2. Grashopersi siguroi një fitore të çmuar  mos iu ndarë Bazelit, që ka dy pikë më tepër në krye të renditjes. Në ligën e dytë, sulmuesi në largim, Armando Sadiku, i dha kryesimin Luganos në fushën e Kiasos, në minutën e 12-të, duke hapur rrugën e fitores 3-1. Këto janë ndeshjet e fundit të tij para kalimit te Zyrihu, duke i treguar klubit të ri se nuk ka gabuar me zgjedhjen e bërë.

Vlonjatët shkatërruan 3-1 Vllazninë, duke u ngjitur në mesin e artë të renditjes

 Katër fitore rresht,Flamurtari në ashensor

 Flamurtari shkatërroi 3-1 Vllazninë, duke regjistruar fitoren e katërt rresht dhe realizuar ngjitjen e madhe në klasifikim, duke iu larguar tashmë zonës së ftohtë të renditjes. Kjo ishte fitorja e dytë sezonale e vlonjatëve ndaj Vllaznisë, që u merr gjashtë pikë të plota kuqebluve. Kuqezinjtë e Gjokës dëshmuan karaktet dhe grintë ndaj Vllaznisë, dhe tashmë e shohin veten me pikë të barabarta me shkodranët, nga 17 të tilla. Protagonisti i ndeshjes është mesfushori potent Hair Zeqiri (ish-kontigjent i Kombëtares) me dopjetën e tij, ndërsa te goli shkoi edhe Arbër Abilaliaj, që përkundrejt barazimit të përkohshëm të Arsen Hajdarit në fund të pjesës së parë, ka shtuar tri pikë të tjera tepër të cmuara në llogarinë e bregdetarëve. Interesante është ngjitja e kuqezinjve në javët e fundit, teksa kanë marrë 4 fitore radhazi, si asnjë skuadër tjetër e Superiores. Ndalet kësisoj Vllaznia e Agim Canajt, që tashmë po dëshmon njëfarë ngërçi dhe po humbet terren në krahasim me startin pozitiv të kampionatit. Kujtojmë se Kategoria Superiore e startoi të shtunën fazën e dytë të saj me tri ndeshje dhe 7 gola të shënuar. Një fitore minimale e Kukësit në “Zeqir Ymeri” dhe dy barazime në Kavajë e Ballsh. Dy kryesuesit ecin kësisoji me të njëjtin hap, duke marrë nga një pikë në këtë “stacion” të garës dhe ruajtur distancën prej 3 pikësh mes tyre. Me Skënderbeun të parin, në kuotën e 23 pikëve, ndërsa Teuta vjen e dyta dhe 20 pikë. “Festival” golash ka dhuruar pjesa e parë në Ballsh. Vetë rezultati 2-2, i cili u mbijetoi edhe 45 minutave të dyta, tregon spektaklin e lojës sulmuese të të dyja palëve, që ndaluan njëra-tjetrën. Durrsakët kishin udhëtuar drejt Ballshit me një trajner të ri në krye, italianin Sorrentino, i cili debutonte në stolin e Teutës në një transfertë sa delikate, aq edhe të vështirë. Me fat mund të konsiderohet kësaj here Kukësi me fitoren ndaj Lushnjës, që vazhdoi ecurinë e mirë pozitive të fundfazës së parë, duke rikthyer optimizmin në grupin e lojtarëve, qetësinë e nevojshme në stafin drejtues, por edhe rigjetur oreksin e madh për t’iu bashkuar sa më parë kreut e luftuar për titullin kampion.

Kjo Tiranë nuk njihet më!

 Laçi fitoi 1-0 me Tiranën, me 24 herë kampionët që pësuan humbjen e katërt rresht dhe mbeten të “salduar” në vendin e fundit. Goli i Kastratit i shënuar qysh në minutën e 15-të vendosi fatin e sfidës së luajtur në Laç, pa praninë e tifozëve, ku Tirana mori ndëshkimin e radhës. Tri pikët shkojnë në llogarinë e kurbinasve të Stavri Nicës, që pas javës së 12-të pozicionohen afër kreut, me 19 pikë. Nuk ka derman për bardheblutë e Gallos, që mbeten të fundit në renditje dhe konfirmohen në një krizë të madhe e të gjithanshme. Pavarësisht lojës së gjallë dhe përpjekjeve të shumta të skuadrës kryeqytetase në këtë transfertë, humbja e radhës, e katërta nën drejtimin e Alpin Gallos, nuk është evituar dot. Prania ne tre donatorëve të Tiranës në stadiumin e Lacit tregon mbështetjen e tyre për skuadrën, por me “brumin” e lojtarëve që ka, skuadra 24 herë kampione e vendit e ka tepër të vështirë të dalë nga “tuneli” ku është futur që në kohën e drejtimit nga Nevil Dede. Mesa duket do të jetë merkatoja e dimrit, “operacioni” i nevojshëm te bardheblutë që të ndryshojnë situatë dhe të nisin e të marrin pikët e duhura, në të kundërt rënien nga Superiorja s’e kanë fare larg. Dicka e tillë do t’u ndodhte për herë të parë bardhebluve, duke përsëritur eksperiencat e hidhura të dy skuadrave të tjera kryeytetase, Partizani dhe Dinamo.