Ja si abuzohet nga farmacitë me çmimet e tregtimit të barnave

150
Sigal

Autoriteti i Konkurrencës mbyll hetimin në tregun e barnave, rekomandime qeverisë për rritjen e konkurrencës

Autoriteti i Konkurrencës ka mbyllur këtë muaj hetimin paraprak në tregun e barnave dhe pajisjeve mjekësore. Në përfundim të procedurave hetimore, u konstatua se në këto tregje nuk u evidentuan shenja të një sjellje të mundshme antikonkurruese nga ndërmarrjet.

Megjithatë, Komisioni i Konkurrencës ka adresuar disa rekomandime për qeverinë shqiptare, që synojnë rritjen e shkallës së transparencës dhe konkurrencës në tregtimin e barnave.

Autoriteti i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që të propozojë ndryshime në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 143, datë 18.2.2015, “Për përcaktimin e marzheve të tregtimit dhe fabrikimit të barnave”, pika 1,2 dhe 3, duke përcaktuar marzhe maksimale të tregtimit të barnave.

Në fakt, vendimi në fjalë përcakton marzhet dhe çmimin maksimal të shitjes për secilën hallkë të tregtimit të barnave.

-Për barnat e importit, çmimi final përcaktohet si çmimi i blerjes CIF (kosto, sigurim, transport), i konvertuar me kursin e këmbimit të Bankës së Shqipërisë, plus marzhet e tregtimit me shumicë prej 11% (8% për importuesit, 3% për shpërndarësit) dhe marzhi i tregtimit me pakicë prej 25% për farmacitë.

-Sipas vendimit, marzhet shërbejnë për të përcaktuar çmimin maksimal në secilën hallkë të tregtimit, çka nënkupton se tregtarët mund të konkurrojnë me njëri-tjetrin brenda këtyre marzheve maksimale. Megjithatë, të paktën në tregtimin me pakicë, barnat shiten pothuajse në të gjitha rastet me çmimin maksimal të vendosur në pullën e produktit.

-Gjithashtu, Autoriteti i Konkurrencës propozon ngritjen e një sistemi elektronik të regjistrimit të barnave apo aplikimi i “bar code” në regjistrimin fillestar të barit në territorin e Republikës së Shqipërisë, mekanizma që do të bëjnë të mundur që ndërmarrjet të konkurrojnë, nëpërmjet çmimit, në të gjitha nivelet e tregtimit.

Rekomandimi i tretë lidhet me përcaktimin e mekanizmave kontrollues për regjistrimin, emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullës së kontrollit të barnave nga momenti i regjistrimit në doganë deri tek pacienti final.

Hetimi i përgjithshëm në tregun e barnave dhe pajisjeve mjekësore u hap në shtator të vitit 2020, i nxitur edhe nga rezultat e Kuvendit të Shqipërisë për vlerësimin e punës së këtij autoriteti, që kërkonte mbikëqyrjen me prioritet, mes të tjerash, edhe të tregut faramaceutik. Mbështetur në këtë rekomandim, Autoriteti i Konkurrencës hapi një hetim paraprak për periudhën 1 janar 2019 – 30 nëntor 2020.

Autoriteti i Konkurrencës vlerësoi se çmimi i barnave në tregun farmaceutik nuk është element konkurrues pasi fiksimi i tij për të paktën një periudhe 6-mujore dhe përcaktimi i tij në pullën e kontrollit e bën atë të pandryshueshëm, duke sjellë kufizim të konkurrencës me çmimet e produkteve në tregun farmaceutik nga aktorët e këtij tregu.

Oferta për barna në treg është e kufizuar për shkak të shkallës së lartë të fuqisë së tregut nga mbajtësit e patentave apo të drejtave ekskluzive, ndërkohë që, nga ana tjetër, kërkesa për barna në shumicën e rasteve nuk përcaktohet drejtpërsëdrejti nga konsumatori, por nga mjekët.

Sipas argumentimit të vendimit për hapjen e hetimit, konsumatori nuk ka mundësi të bëjë zgjedhjen e tij bazuar në çmime më të lira dhe cilësi më të mirë, por si rregull ndjek udhëzimet e mjekut.

Gjithashtu, tregu paraqet asimetri në informacion për shkak të marrëdhënieve mes doktorit dhe pacientëve, mjekëve dhe tregtarëve, i cili mund të jetë një nga shkaqet kryesore të mosfunksionimit të tregut mbi bazën e kërkesës dhe ofertës.

Ndërkohë, sipas AK, tregu i pajisjeve mjekësorë është një treg i ri dhe në dinamikë për shkak të zhvillimit teknologjik në fushën e ekzaminimeve shëndetësore. Parë në këtë këndvështrim, është i nevojshëm vlerësimi i kufizimeve që sjellin në treg ekskluzivitetet e dhëna në lidhje me markat e pajisjeve apo shërbimet e mirëmbajtjes së tyre.