Zekthi: Rama nuk e lëshon kurrë Dvoranin, është investimi i tij në drejtësi

377
Sigal

Edi Rama nuk mund të lëshojë kurrë Ardian Dvoranin. Kështu shprehet analisti dhe politologu Fitim Zekthi në një postim të tijin në Facebook pas vendimit të sotëm të KLGJ për mandatin e kreut të saj.

Sipas analistit, thuajse gjysma e gjithë mekanizmit gjigand që ka vendosur në punë Rama për të marrë nën kontroll reformën në drejtësi gjendet tek Dvorani.

Postimi i plotë i Fitim Zekthit në Facebook: 

“Të gjithë ata që mendojnë se çështja është thjesht Ardian Dvorani janë shumë gabim. Prej gati katër vjetësh Rama në mënyrë kirurgjikale dhe me mjaft kujdes ka arritur të fitojë centimetra pas centimetri në procesin e reformës në drejtësi në mënyrë që Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, SPAK, Prokuroria e Përgjithshme dhe gjykatat e niveleve të parë dhe të dytë, të bien nën kontrollin e tij teë plotë. Kur thuhet kontroll i plotë do të thotë që këto institucione jo vetëm të mos i bëjnë asnjë gjë atij dhe grupit te tij politik por këto institucione të ndihmojnë axhendën e tij dhe të bëjnë të mundur ruajtjen dhe konsolidimin e pushtetit për Ramën.

Kurrë nuk mund ta lëshojë Rama, Dvoranin. Dvorani është pjesë e këtij investimi të egër kirurgjikal, pjesë e makinacioneve të pandalshme me vonesa, me shitje dhe blerje, me ndryshime ligji, me vonesa në publikimin e ligjit apo të vendimeve të tjera në fletoren zyrtare, me intriga të vogla dhe të ngadalta, me intriga edhe mizore dhe të shpejta.

Në qoftë se bie Dvorani është shumë e vështirë të arrihet në pikën ku jemi tani me Dvoranin. Thuajse gjysma e gjithë mekanizmit gjigand që ka vendosur në punë Rama për të marrë nën kontroll reformën në drejtësi gjendet tek Dvorani, një jurist mediokër, hetues i djeshëm i regjimit komunist dhe burokrat tipik sovjetik. Dvorani nuk bie. Në qoftë se bie do të thotë se Rama ia ka dalë me mekanizmin e tij ta zeëvendësojë me dikë si Dvorani. Reforma në drejtësi ka si synim të vetëm instalimin e plotë pushtetit të plotë të Ramës dhe të grupit të tij. Rama vetëm me këtë synim hyri në këtë rrugë. Të tjerat janë vetëm justifikime”.