Lulzim Basha: Pesë kërkesat e turizmit që duhen zbatuar

359
Sigal

Ditën e sotme kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka pritur në një takim drejtuesit e Shoqatës Shqiptare të Turizmit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i demokratëve thotë se Presidenti i shoqatës, Enver Mehmeti, kryetari i sektorit të hoteleve, Zak Topuzi dhe kryetari i Sektorit të Agjencive Turistike, Sokol Hoxha, i shprehën shqetësimin për krizën dhe mungesën e mbështetjes nga qeveria për sektorin e turizmit.

“Sektori i turizmit ka aktualisht të punësuar 93 000 persona dhe në rrjetin zinxhir të tij pothuajse 200 000 të tjerë, çka e bën edhe më jetike ndërhyrjen e menjëhershme të qeverisë në mbështetje të turizmit”, shkruan Basha.

Sipas Bashës deri më tani, asnjë prej operatorëve nuk ka përfituar mbështetje për pagën e punonjësve dhe nuk kanë përfituar as nga garancitë sovrane. Prandaj Basha thotë se është në mbështetje të kërkesave të Shoqatës së Turizmit dhe i kërkon qeverisë të marrë në konsideratë sa më parë ndihmën financiare, subvencionimin e plotë, likuiditetin, anulimin e detyrimeve tatimore dhe bashkëpunimin me vendet e rajonit për të ndihmuar këtë sektor.

“Ne i mbështesim kërkesat e tyre të drejta dhe i kërkojmë qeverisë ti marrë ato në konsideratë sa më parë:

1.Të garantohet ndihma financiare me qëllim mbajtjen në punë të punëtorëve.

2.Të jepet subvencionim i plotë dhe në kohë për kontributet shoqërore dhe shëndetësore.

3.Të sigurohet likuiditeti përmes skemave të garancisë shtetërore pa kosto për biznesin.

4.Të anulohen/shtyhen detyrimet tatimore qendrore dhe lokale, të cilat vazhdojnë të vijnë rregullisht si në kohë “normale”.

5.Të bashkëpunohet ngushtë me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera fqinje, për të garantuar flukse të ndërsjellta turistësh dhe shtuar mundësitë për turizmin shqiptar”, thotë Basha