Tragjedia në Potam/ Shtyhet sërish seanca për tetë policët, gjyshi i Jonadës: Skenar që të jepet dënim minimal për autorët

35
Sigal

Është shtyrë sërish seanca nga Gjykata e Vlorës për 8 punonjësit e policisë së Himarës, pas tragjedisë në Potam, ku 7-vjeçarja Jonada Avdiaj, humbi jetën gushtin e vitit të kaluar, pasi u përplas me skaf nga efektivi i policisë Arjan Tase.

Shkak për shtyrjen e seancës u bë mungesa e avokatëve të të pandehurve, ndërsa seanca e radhës u caktua më 17 janari 2024.

Gjyshi i të miturës, Ismet Avdia, në një deklaratë për mediat, tha se ka besim tek drejtësia, por ai shtoi se shtyrja e seancave po bëhet qëllimisht që të akuzuarve t’u jepet dënim minimal.

“Kjo është seanca e tetë, e një gjyqi paraprak që zgjat pothuajse 6 muaj, në një kohë që për 8 muaj prokurorja e nderuar ka arritur të mbyllë dosjen. Ajo u shty sërish sot. Ne jemi shumë të shqetësuar, dua të deklaroj përmes ekraneve tuaja. Ky është një skenar, unë këtë skenar e kam dyshuar, por ai u bë realitet.

Ky skenar që krijoi një lodhje për të bind publikun dhe udhëzuesit e lartë të gjykatës se kjo çështje duhet të gjykohet bashkërisht ashtu siç është hetuar. Ata e ndanë dhe kjo ndarje krijon hapësira për gjykim të shkurtuar dhe në fund skenari do jetë një dënim simbolik pas dy vitesh.

Ne i besojmë ende drejtësisë, por u bëjmë thirrje organeve të larta të drejtësisë që ta shohin. Tragjedia e Himarës është një pjesë dhimbshme jo vetëm e familjes sonë, por  e gjithë popullit shqiptar. Ky është një skenar për ta zbutur dënimin ndaj atyre që e vranë Jonadën”, tha Ismet Avdia.

Kujtojmë që më 1 dhjetor, Gjykata e Vlorës ndau dosjen e ngjarjes së gushtit të vitit 2022 në Himarë. Ish-punonjës i policisë, do të gjykohet më vete, pa 8 punonjësit e tjerë të policisë së Himarës, nën akuzë për shpërdorim detyre.