Ismail Xhaferri: Jam një zemër e plagosur…

902
Jam një zemër e plagosur,
Qenie e zhuritur,
Jam si trungu i një lisi
Nga rrufetë goditur!
Jam një zemër e plagosur,
Dhimbje kam nën brinjë
Për të shtrenjtët që na ikën,
E s’iu dhamë dot frymë!
Jam një zemër e plagosur
Si dje edhe sot,
Nëpër acarin e jetës
Rrjedh si një pikë lot!
Jam një zemër e plagosur
Që s’gjej dot një fjalë,
Për një nënë që në varreza
Qan të vetmin djalë!
Jam një zemër e plagosur
Jam një lot i ngrirë,
Për ata që natën gdhijnë
Nëpër errësirë!
Jam një zemër e plagosur
Njomur shpesh qerpiku,
Për një plak që nga kjo jetë
i pangopur iku!
Jam një zemër e plagosur
Kurrë s’gjej qetësi,
Dhe për lulet që janë tharë
Nëpër Lunxhëri!
Jam një zemër e plagosur
Eh, ç’trishtim më zë!
Për gjithë miqtë që i kam dashur
Dhe s’i takoj më!
Jam një zemër e plagosur
Shtegtar si retë,
Për atdheun që e plakëm,
Që e thinjëm krejt!
Jam një zemër e plagosur
Se një faqenxirë,
Gruas zonjë, buzëqeshjen
Në buzë ja ka ngrirë!
Jam një zemër e plagosur
Që s’shërohet kurrë,
Sepse në dhe vetë zotin
Goditëm me gurë!
Jam një zemër e plagosur
Brenga shpejt më kapi,
Ndryshe janë dëshirat tona
Ndryshe na vjen fati!
Jam një zemër e plagosur
Që po heq e vuaj,
Për dikë që edhe emrin
Nuk mundem t’ia shkruaj!
Jam një zemër e plagosur
Që gjithmonë mbaj vlagë
Eh, kjo jetë që na lodhi!
S’ka njëri pa plagë!


Sigal