Baret, në presion nga çmimet e larta të kafesë, kosto nga shumica u rrit me 20% në 6-mujor

137
Sigal

Kafeja, pija më e konsumuar nga shqiptarët, e cila gjithashtu është biznesi më popullor në vendin tonë është në presion e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Kryetari i Shoqatës së Bar-Restoranteve, Enri Jahaj, tha se këtë vit, baret dhe restorantet po e blejnë kafenë nga grosistet 10 deri në 20 për qind më shumë në varësi të llojit të kafes.

Nga ana tjetër shumica e bareve në Tiranë dhe në bregdet e kanë rritur çmimin me pakicë të një filxhani kafe, duke e çuar drejt standardit rreth 100 lekë, por në varësi të vendit dhe llojit një kafe ekspres kushton nga 60 deri në 120 lekë.

Ashtu si edhe shumë produkte të tjera ushqimore edhe prodhimi i kafesë po preket nga ndryshimet e klimës.

Banka Botërore në indeksin e çmimeve globale të pijeve në 6-mujorin e parë të vitit 2022 përllogariti se, kafeja ishte produkti kryesor që ndikoi në rritjen e përgjithshme të pijeve me rreth 8%.

Çmimet e kafesë, të cilat janë ndikuar negativisht nga mungesa e furnizimeve të shkaktuara nga moti, pritet të lehtësohen vitin e ardhshëm. Edhe pse çmimet e Arabica dhe Robusta kanë qenë relativisht të qëndrueshme në gjashtë muajt e fundit, ato janë përkatësisht 17% dhe 5% më të larta se në gjysmën e dytë të 2021.

Çmimet e Arabica tejkaluan 6 dollarë për kilogram në shkurt dhe qershor, më e larta që nga maji 2011.

Banka Botërore analizon se, rritja e çmimeve është nxitur nga një mungesë prodhimi e lidhur me motin në Brazil. Megjithatë, prodhimi global i kafesë pritet të rritet me rreth 4.5% në sezonin 2022-2023, kryesisht nga rimëkëmbja e prodhimit në Brazil. Edhe pse konsumi global i kafesë pritet të arrijë nivelet para pandemisë, oferta në prodhim ka të ngjarë të shkaktojë një lehtësim të çmimeve në vitin 2023.

Në të kundërt çmimet e kakaos pritet të mbeten të qëndrueshme në 2022 dhe 2023, pasi tregu global po furnizohet normalisht, ndërsa kufizimet e lidhura me pandeminë po lehtësohen në mënyrë të qëndrueshme.

Kafeja është produkt mjaft popullor në Shqipëri dhe rrija e kostove të saj i ka vënë në vështirësi bizneset e bareve dhe restoranteve, pasi nuk mund të reflektohen tërësisht për shkak të konkurrencës së madhe në sektor.

Sipas INSTAT, Indeksi vjetor i Çmimeve të Konsumit, që mat ndryshimin e çmimeve në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, për grupin “Kafe e restorante” arriti në 5.9% në qershor. Kjo është rritja më e lartë në 15 vjet, të paktën që nga viti 2007, kur INSTAT raporton të dhënat.

Shtrenjtimi ka nisur që në gjysmën e dytë të vitit 2021, por u përshpejtua në pjesën e parë të këtij viti, për të kulmuar në qershor.

Aktorët e tregut paralajmërojnë se rritja e çmimeve pritet të vazhdojë, e ndikuar nga shtimi i kostove dhe mungesa e fuqisë punëtore, që po detyron rritjen e pagave, ndërsa pranojnë që kjo situatë po e ndikon negativisht konsumin.