Presidenti Meta vlerëson Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”

309
Sigal

Presidenti i Republikës,  Ilir Meta, i akordoi sot Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të gjithanshëm  në  ruajtjen dhe promovimin e frymës së harmonisë, mirëkuptimit e bashkëjetesës midis feve në Shqipëri.  Për mesazhet e qarta drejtuar besimtarëve e politikës shqiptare që të synojnë paqen, bashkimin, përparimin e orientimin drejt vlerave atdhetare për një jetë të përbashkët e optimiste; si dhe për rolin e rëndësishëm në lartësimin modelit shqiptar të dialogut ndërfetar në arenën ndërkombëtare”.

Në fjalën e tij përshëndetëse të mbajtur gjatë ceremonisë solemne të organizuar me këtë rast, Kreu i Shtetit u shpreh:

I nderuar Kryetar i Radhës të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj,

I nderuar Kryetar i Komuniteti Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Bujar Spahiu,

I nderuar Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia Juaj  Anastas Janullatos,

I nderuar President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Shkëlqesia e tij Mons. George Frendo,

I nderuar Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Pastor Ylli Doçi,

Të nderuar autoritete fetare, miq e të ftuar,

Sot, në ditën e parë të pranverës kam kënaqësinë e veçantë të vlerësoj me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, Institucionin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, për kontributin e çmuar në ruajtjen, promovimin dhe përçimin tek të gjithë qytetarët tanë e sidomos tek brezat e rinj, të frymës së dialogut, tolerancës, bashkëjetesës, harmonisë dhe mirëkuptimit ndërfetar. Veçanërisht sot, është shumë i rëndësishëm ky rol i pazëvendësueshëm i juaji, sepse vendi ka më shumë nevojë se kurrë për kontributin dhe përkushtimin e të gjithëve dhe veçanërisht të më të rinjve tanë për të mos u larguar, por për ta kërkuar dhe gjetur të ardhmen në Atdheun e tyre, në paqe dhe harmoni me njëri-tjetrin. Për të krijuar familje të shëndosha dhe të qëndrueshme, për të krijuar mirëqënie dhe ndërtuar Shqipërinë tonë të përbashkët, në frymën e bashkëpunimit, harmonisë dhe të mirëkuptimit që ju përçoni çdo ditë me anë të misionit tuaj fisnik.  Pas ringritjes së besimit fetar në vitin 1990, krijimi i Këshillit Ndërfetar është një nga aktet më të shquara  për forcimin e paqes shoqërore dhe harmonisë fetare në vendin tonë. Ndaj ne sot përulemi me nderimin më të thellë ndaj themeluesve të këtij Këshilli, katër krerëve të komuniteteve tradicionale fetare në Shqipëri, Haxhi Selim Muça, Fortlumturia e Tij Anastas Janullatos, Mons. Rrok Mirdita dhe Haxhi Dede Reshat Bardhi.

Të nderuar miq,

Harmonia shpirtërore, kulturore e fetare e popullit tonë është e lidhur me tiparet më të mira të Tij, me besimin ndaj Zotit, si dhe dashurinë për lirinë e fjalës, të besimit dhe të mendimit.  Përgjatë gjithë historisë së tyre besimtarët shqiptarë, kanë bashkëjetuar jo vetëm në festa e trishtime, por edhe në të gjitha betejat për liri, për pavarësi si dhe në momentet më të shënuara  të kombit tonë. Shpata e diktaturës do të binte njëlloj e pamëshirshme mbi të gjithë prijësit e institucioneve të besimeve, duke vendosur njëkohësisht kazmët edhe mbi xhamitë, kishat e teqetë. Ndaj ringritja e objekteve të kultit, 30 vite më parë pas ndalimit brutal e të pashembullt 23 vjeçar të besimit, i parapriu edhe Lëvizjes së Dhjetorit ‘90 dhe i bashkoi sërish shqiptarët e të gjitha besimeve për rrëzimin e diktaturës.

Të nderuar anëtarë të lartë të presidencës të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë,

Pas ringritjes e konsolidimit të besimit në të gjithë vendin, merita juaj e jashtëzakonshme ka qenë, se ju arritët në vitin 2007 ta shndërroni në Institucion traditën tonë të shkëlqyer të bashkëjetesës fetare. Këshilli juaj tashmë është shndërruar në një forum të qëndrueshëm dhe tepër aktiv për promovimin e dialogut ndërfetar, duke i dhënë mesazhe të qarta bashkëpunimi dhe optimizim shoqërisë tonë, si dhe mesazhe të përgjegjshme drejtuar politikës shqiptare, apo faktorit ndërkombëtar për të mirën e përbashkët. Modelin shqiptar të dialogut dhe tolerancës ndërfetare ju e keni lartësuar dhe përçuar në të gjithë botën. Ju jeni tashmë një faktor shumë i rëndësishëm edhe për integrimin e Atdheut tonë në familjen europiane, duke argumentuar gjithmonë se shqiptarët janë pjesë e vlerave dhe identitetit euroatlantik.

Të nderuar miq të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë,

Ne jemi të ndërgjegjshëm se do të duhet ende edhe shumë punë në përsosjen dhe konsolidimin e demokracisë dhe për rritjen e qëndrueshme dhe për mirëqenien e të gjithë shqiptarëve. Me këtë rast theksoj edhe njëherë rëndësinë, që merr kthimi i plotë dhe pa vonesë i pronave të të gjithë komuniteteve fetare, si premisë e konsolidimit dhe e vazhdimit të misionit tuaj të pazëvendësueshëm. Koha ka treguar se shoqëria jonë është bërë më e mirë falë punës tuaj të palodhur, sepse morali dhe parimet tuaja qëndrojnë në themel të demokracisë, drejtësisë, por edhe të familjes dhe komunitetit.

Të nderuar klerikë të Presidencës të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë,

Shoqëria jonë ju është mirënjohëse për angazhimin tuaj të palodhur në edukimin dhe arsimimin e brezit të ri me dije, me filozofi fetare dhe mbi të gjitha me dashuri njerëzore.  Bashkësitë fetare, që ju përfaqësoni janë faktorë shumë të rëndësishëm edhe në ndihmën ndaj shtresave të pambrojtura dhe atyre në nevojë. Prandaj sot, ju gëzoni respektin e shqiptarëve dhe objektet tona të kultit janë shndërruar në vatra përkrahje, përfshirje sociale por edhe shprese për ta në të gjitha fatkeqësitë natyrore, përmbytjet, tërmetet, apo edhe së fundi në përballimin e pandemisë. Për gjithçka ju keni bërë për ringjalljen e besimit, forcimin e dialogut, moralit dhe ndriçimin e shpirtit të qytetarëve tanë dhe të shoqërisë sonë, ne ju jemi mirënjohës. Ndaj nëpërmjet këtij vlerësimi të lartë dua t’ju inkurajoj të vazhdoni të qëndroni në këtë traditë të ndritur dhe të jeni pjesë udhëheqëse e përpjekjeve të shoqërisë shqiptare për një botë të pasur me virtyte, vlera shoqërore dhe kultura besimi, që respektojnë njëra-tjetrën.

Urimet më të mira Këshillit Ndërfetar,
Shëndet, paqe, mbarësi e gëzime në familjet tuaja.
Zoti i bekoftë shqiptarët dhe Shqipërinë!
Ju faleminderit!