Islanda dëbon familjen shqiptare. Argumenti “jemi komunistë” nuk bind

541
Në Islandë, një familje shqiptare së cilës iu mohua e drejta e azilit, është bërë çështja e ditës. Sipas kryefamiljarit, Hasan Telati, arsyeja e kërkesës për azil është prejardhja e tij komuniste dhe problemet që i lindën nga ky fakt në jetesën e tyre në vendlindje.
“Babai im ishte kryetari i Partisë Komuniste. Ne jemi të përjashtuar nga shoqëria. Kemi mosmarrëveshje në lidhje me shtëpinë tonë. Papritur, erdhi letra e një njeriu tjetër, një njeri me pushtet në vend, që na kërkoi shtëpinë. Dhe ne kishim mundësi vetëm të largoheshim. Na kërcënuan me vdekje nëse e shpiem çështjen më tej. Unë kam frikë për të ardhmen e fëmijëve të mi”, thotë Hasani.
Sipas mediave islandeze, tre javë më parë familja mori përgjigje negative në lidhje me qëndrimin e tyre në vendin nordik, një ngjarje që i hidhëroi, sidomos fëmijët, të cilët tanimë kanë krijuar një jetë të qetë dhe kanë zënë shoqëri në shkollat që frekuentojnë. 
Laura është vajza e madhe e Hasanit dhe Alekës: “Unë nuk do të kthehem kurrë më në Shqipëri. Ndjehem shumë mirë këtu dhe shkolla më pëlqen. Unë dua të jetoj në Islandë sepse këtu kam edhe shumë miq”. Departamenti i Emigracionit ka deklaruar se familjes nuk mund t’i jepet azil, pasi Shqipëria nuk konsiderohet më si vend i rrezikshëm.
Sigal