Inaugurimi i Bazës së Kuçovës, Vjosa Osmani: Hap i rëndësishëm për forcimin e pranisë së NATO-s në Ballkanin Perëndimor

17
Sigal

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar në lidhje me hapjen e Bazës Taktike Ajrore të NATO-s në Kuçovë, ku shkruan se shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e pranisë së Aleancës në Ballkanin Perëndimor.

Osmani gjithashtu shkruan se do të kontribuojë në rritjen e sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë.

“Hapja e Bazës Taktike Ajrore të NATO-s në Kuçovë, Shqipëri, shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e pranisë së Aleancës në Ballkanin Perëndimor, duke kontribuar në rritjen e sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë. Ku ka NATO, ka paqe dhe stabilitet!”, shkruan Osmani.

Kujtojmë se punimet për rikonstruksionin e saj nisën në janar të vitit 2022. Prej asaj kohe është punuar për sistemin e rrethimit dhe të sigurisë e po ashtu të mbrojtjes në perimetrin ku shtrihet kjo bazë.

Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë investuar nga qeveria shqiptare. Autoritetet shqiptare kanë marrë përsipër ndërtimin e perimetrit të sigurisë dhe rrugëve lidhëse, ndriçimit, vendosjen e kamerave të sigurisë së bazës si dhe të sensorëve të zbulimit të ndërhyrjeve përgjatë rrethimit të bazës

Në ceremoninë për përurimin e bazës ajrore do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të SHBA-së.

Baza ajrore e Kuçovës është ndërtuar në vitet 1950, por doli jashtë përdorimit në vitet ’90.