Ilmi Qazimi: Paradoksi, Auditorë mbyllur, kafenetë hapur!

271
Sigal

Pandemia na ka detyruar të ndërtojmë marrëdhënie, sjellje dhe komunikime të reja. Dhe qeveria jonë, ndonëse rrota e punës së saj  lëviz me ngadalë dhe me jopak batakçillëqe, po mundohet ta menaxhojë këtë situatë. Për  të  ndjekur idenë më të  mirë që “shëndeti është i pari”, janë nxjerrë edhe akte normative, dispozita nënligjore e ligjore etj.Ka shkuar puna deri atje sa tani ushtrimi dhe mbledhja e gjobave prej policisë,për  ata që nuk vënë maskën ka kaluar në qëllim përfitimi(del vetë llogaria e një dite), në vend që të jetë mjet edukimi, shtrëngimi dhe besimi.E kështu ka edhe sektorë të tjerë që po dëmtohen,që padyshim do ta marrin veten.

Por arsimi është sektori që po pëson dëmin më të madh dhe me pasoja katastrofike për të ardhmen e vendit.Në historinë e zhvillimit njerëzor  nuk njihen raste që të quhet ‘ mësimdhënie dhe shkollim e ca më pak edukim” pa pasur  mësuesin përballë,pa qenë ulur nxënësi në një mjedis të quajtur klasë apo auditor,pa një program të miratuar e të afishuar, pa një plan mësimor dhe një bazë materiale mësimore  didaktike fizikisht të prekshme. Kuptohet që teknologjia  po  sjell zhvillim, por shkolla mbetet institucion me brendësi të qëndrueshme.Ndryshe  gjendja do të quhej çatrafilim i plotë i mendjeve të shumë individëve prej brezit të ri të ditëve tona.

Konkretisht: për të mbrojtur shëndetin e  nxënësve, studentëve dhe  mësuesve,shkollat auditoret janë mbyllur! Por njëherazi kafenetë,klubet, pijetoret,lokat sportive etj. janë lënë hapur dhe lirisht të frekuentueshme nga gjithkush. Janë po ata sudentë dhe nxënës që tashmë nuk venë më në klasa, e që kohën e kalojnë  nëpër kafenera. Madje para ca ditësh një gazetare televizive dha një lajm  ku tregohej një nismë e re: zonjushja me merakun për të mos i lënë mbrapa  në program, me shtatë nxënësit e saj e bënte mësimin  në një tavolinë të një kafeneje” duke ruajtur distancën (!)dhe me maska!?” Disa mjekë pneumologë dhe të tjerë  punonjës të arsimit e të kulturës kanë folur e  debatojnë  nëpër ekrane, e sa të tjerë diskutojnë  anekënd, se ministria e arsimit nuk është aspak në krye të masave  që duhen marrë rreptësisht për të mos e shkatërruar arsimin, edukimin(aq sa bëhet ky,në ditët e  sotme  kapitaliste), për të mbajtur  në gjendje sa më të mirë shkollën  tonë.”Nuk ka sens”,-thosh njeri syresh,-” që klasat dhe auditorët mbyllen, ndërkohë,  kafenetë  hapen!”

Si qenka rruga më e mirë mbyllja e klasave dhe auditoreve ku presupozohet se atje ka kontroll, disiplinë, mësues e administratë që ndjekin zbatimin e ligjeve dhe rregullave  dhe lënia hapur e kafeneve ku po ata studentë aty venë jashtë çdo lloj kontrolli!?Virusi,siç dihet farë mirë tashmë, merret më shumë në kontaktet nëpër mjedise të tilla publike, ku realisht nuk ruhet asnjëherë distanca, ku nuk të detyron e kontrollon kush të zbatosh ligjin; ku maska praktikisht hiqet sepse do të vihet goja në punë. Se kush duhet të mbyllet le ta shohin specialistët përkatës, por auditoret e univeristeteve dhe klasat e shkollës së mesme nuk duhet të mbyllen.Atje duhet forcuar dispilina e gjithanshme së pari që nga ministria përkatëse e deri tek mësuesi e pedagogu  më i fundit.

Kur gjendja  është  në zgrip të  braktisjes dhe mos realizmit të minimumit të mësimit të alfabetit shqip, e lere më tej,a nuk tingëllon hipokrite thirrja e ministres së arsimit  dhe edukimit  që qytetarët “t’i kushtojnë përparsi arsimit të fëmijëve dhe edukimit të tyre” të cilën e dëgjuam  ditën botërore të edukimit? Nuk dua që ta nxij aspak gjendjen, por shtroj pyetjen: dalëngadalë po mbushen 24 muaj që virusi është ulur këmbëkryq midis nesh  dhe me gjasa nuk do të largohet më, sepse po pjell këlyshë të tjerë nëpër glob që do të vijnë edhe tek ne.I atillë është skenari botëror i kësaj flame.Ne duhet që të përshtasim jetesën dhe tërë punën tonë që ai të  na  dëmtojë sa më pak.

Si nuk i shkon në mendje ministrisë së arsimit, që të bëhen studime dhe organizime në vijimësi dhe të ndiqet situata zinxhir,hap pas hapi?Të delet  pastaj,në përfundime afatshkurta e afatgjata  me masa konkrete duke synuar që të shkojë nxënësi në klasë e jo të bredhë  sa andej këndej on-line e ku di unë!?Studime nga grupe me pedagogë, specialistë, psikologë, juristë etj.,nën drejtimin e kësaj  ministrie të  arsim-edukimit duhen bërë çdo javë, për të parë se si ecën njëra formë apo tjetra, që të ulen sa më parë dhe detyrimisht studentët dhe nxënësit në banka.  A nuk e shihni sa emër të fuqishëm  mban ky dikaster, “ministri e arsimit, sportit dhe rinisë”, që ka një lukuni me rrogëtarë (12 drejtori e 31 sektorë,veç anekseve, me nga më e pakta katër vetë në secilin), të cilët përgjigjen për  drejtimin sa më “shkencor” të arsimit e tërë sistemit shkollor të republikës!?

Po nga bota në tërësi dhe vendet  që kanë të njëjtin nivel zhvillimi e teknologjie si ne, përse  nuk maerret përvojë? Përse  nuk punon kjo ministri  në këtë drejtim? Deshën me të drejtë ngritjen e pagës për mësuesit, qeveria ua ngriti;po ministria e arsimit  a i përgjigjet kësaj situate , kur paga meret e puna s’bëhet ashtu siç duhet ?Na krijohet përshtypja se edhe kryetari i  qeverisë, nga që ka probleme të mëdha  me botën, koncesionet, ndërtimet, vaksinat etj. po mban qëndrim shpërfillës ndaj  dukurisë së nënvleftësimit të mësimdhenies nëpër auditore.

Mendoj se është  domosdoshmëri që qeveria dhe tërë organet përkatëse vartëse duhet të vërë dorë për të rivazhduar shkolla rregullisht,sa nuk është vonë. Po u dëmtua më tej arsimi dhe rinia, vendi, gjuha, territori shqiptar kanë për të shkuar drejt rrënimit të tyre.Kush i vë kazmën arsimit, ka shkatërruar kombin.