Mirënjohja e mjekut hebre, Ludovik Kalmari për shqiptarët

315
Sigal

Në vitin 1944 Gestapo e liroi pasi shëroi gruan e një oficeri të lartë gjerman

MIRËNJOHJA E MJEKUT HEBRE LUDOVIK KALMARI PËR SHQIPËTARËT

Në vitin 1838, Tirana i ngjau si fshat, por njerëzit ishin shumë dashamirës dhe i nderonin pa masë të huajt

Shpendi Topollaj

Si kreu studimet universitare në Vjenë, edhe pse kishte filluar punë në një spital me emër, pas vitit 1938, kur trupat e Hitlerit ia bashkangjitën Austrinë Rajhut të Tretë, për doktorin e ri Ludovik Kalmari, qëndrimi në atë vend u bë i pamundur. Fakti që ishte me origjinë çifute, qe mëse i mjaftueshëm që ai të mendohej pa humbur kohë dhe të merrte gruan serbe e të vendosej diku larg trazirave që kishin nisur dhe ku gjermanët nuk mund ta ngacmonin. Nuk dihet se kush e bindi se më mirë do të qe të shkonte në Shqipëri, ku thuhej se çifutët nuk i trazonte kush, por edhe se kishte flori me shumicë. Ai me një shqisë të çuditëshme (e vetmja gjë që trashëgonte nga të parët e tij) e nuhaste se në kohë turbullirash, fitimet mund të ishin shumë të mëdha. U nis drejt Gracit, doli në kufi me Slloveninë dhe e mbajti vrapin në Beograd. Ky qytet, i ngritur atje ku bashkohen lumenjtë Danub dhe Sava, i la përshtypje mjaft të mirë. Ndofta ndikonte dhe fakti që e shoqja, Dushanka kishte njerëzit e saj dhe ata ishin mjaft mikpritësa. Si qëndruan nja një javë, u nisën drejt Tiranës me një kamion që e bënte rregullisht gjatë verës atë rrugë, duke transportuar prodhime bujqësore. Shqipëria, me atë natyrën e saj të egër, plot male e pyje, dhe me lumenj që gjarpëronin luginave, nuk e çuditi shumë, pasi në Austri gati tre të katërtat e vendit me male ishin. Njerëzit që ndeshnin rrugës, kuptohej me një herë se ishin të varfër, por ama ai që i kishte thënë se atje ka shumë flori, nuk e kishte gënjyer aspak. Kur ndeshte në ndonjë grup fashatrësh, do vinte re se gratë, e sidomos nuset e reja, e kishin gjoksin të rënduar me varëse plot monedha floriri të kohëve dhe vendeve të ndryshme.

Tirana më shumë i ngjau si fshat, por edhe këtu njerëzit ishin shumë dashamirës dhe i nderonin pa masë të huajt. Fillimisht u vendos në një hotel e pastaj bleu një shtëpi që kishte dhe një oborr të madh përpara. Rruga nga dera e jashtme, deri kur hyje në sallon ishte e shtruar me pllaka dhe në të dy anët, kishte lule gjithfarëshe, ku më shumë binin në sy trandafilat e karafilat që lëshonin një erë marramendëse. Në katin e parë, me kohë ai instaloi një aparat rontgeni që e kishte blerë në Itali, dhe kishte filluar nga vizitat. Sëmundjet e mushkërive, këtu ishin sheshit, ndaj ai kishte punë sa të duash.

Ndërkohë edhe miq kishte zënë boll dhe darkave i kalonte me ta. Kishte një rregull që nuk bënte më shumë se tridhjetë e pesë vizita në ditë, radioskopi e radiografi, nga të cilat kuptohet se fitimi ishte i madh. Por e kishte zakon që atyre që i shkonin me rekomandime miqsh e të njohurish, nuk u merrte shpërblim. Kjo ishte dhe pasuria më e madhe e tij që e kishte bërë mjaft të njohur dhe të respektuar nga të gjithë. Mes miqve të ngushtë qe edhe Enver Bali, një rrobaqepës nga Shëngjergji i cili kishte vite që kishte zbritur në Tiranë dhe që ai i kishte mjekuar e shëruar babanë. Aq u lidh me të, sa shumë shpesh, rast e pa rast, e sidomos të shtunave, merrte Dushankën, i hipte një pajtoni dhe e mbante vrapin në shtëpinë e prindërve të tij në fshat. Atje jetonin mirë dhe ai kënaqej e shlodhej mes pemëve, përrenjve dhe arave të begata.

Mirëpo kjo gjendje nuk zgjati shumë, pasi edhe këtu nisën trazirat. Italia e pushtoi Shqipërinë edhe pse u organizua një rezistencë e dëshpëruar. Fillimisht, atë nuk e ngacmoi kush, gjersa Musolini u bashkua hapur me Hitlerin në përndjekjen ndaj hebrenjve. Për të thënë të vërtetën, italianët ishin disi liberalë ndaj tyre dhe nuk treguan ndonjë urrejtje të madhe. Ata ishin më shumë të angazhuar me luftën kundër forcave antifashiste që kishin filluar të organizoheshin dhe që ftiziatri nuk ua kursente ndihmën sa herë ata kishin nevojë. Doktor Kalmari, se kështu i thërrisnin të gjithë, kishte simpati për ta dhe miratonte gjithë përpjekjet e sakrificat e tyre për liri. Këtu e solli rasti të njihte edhe Enver Hoxhën të cilin e kishte takuar së pari te dyqani “Flora”, ku ai shkonte dhe blinte cigaret. Por shqetësimet serioze për të, nisën kur kapitulloi Italia dhe vendin e tyre e zunë gjermanët. Me ata nuk bëhej shaka. Sa të mësonin se diku ndodhej një çifut dhe nuk e zgjasnin shumë. I vinin hekurat dhe e degdisnin në Gjermani nëpër kampet e përqëndrimit, ku vështirë të mbeteshe gjallë. Flori kishte doktor Kalmari, por këto nuk vlenin për të shpëtuar lëkurën ai. Ndaj më shumë i besoi faktit se njerëzit ishin besnikë dhe me çdo mënyrë i mbronin dhe i fshihnin të gjithë çifutët që qenë strehuar këtu. Vazhdonte të punonte dhe nuk ia përtonte të vente kudo që e thërrisnin. Një ditë erdhi dikush me një veturë dhe iu lut të shkonte në sanatoriumin e Korçës, pasi ishte një rast ku duhej aftësia dhe përvoja e tij për t`i bërë një prematoraks një djali të ri i cili rrezikonte të vdiste. Si shkoi dhe kreu detyrën në atë qytet, i bindur se jeta e djalit kishte shpëtuar, u kthye po me atë veturë për Tiranë. Por duke kaluar nga Kavaja, tek Ura e Leshniqes, ku kishin ngritur një postbllok, makinën e ndaloi një patrullë gjermane. Me ata nuk bëhej fjalë dhe si i kontrolluan dokumentet, i vunë hekurat dhe e çuan drejt e në komandë. As vetë doktor Kalmari nuk e mori vesh se nga e dinin ata që ishte çifut. Një gjë ama e kuptoi mirë: se atij i kishte ardhur fundi. I erdhi keq për veten, por më shumë akoma për Dushankën e tij të mirë e cila ishte e vetme atje në një qytet të huaj. E paraqitën te një Hauptshturmfyhrer i cili si e pa me indiferencë, urdhëroi ta mbyllnin në dhomën ngjitur. Me hekura në duar, doktori çfarë nuk mendonte. Por njëkohësisht edhe dëgjonte. Dëgjonte bisedën e oficerit gjerman me vartësit e tij të cilëve u tregonte hallin që e kishte zënë. Edhe ai nuk e di pse e kishte marrë të shoqen në Kavajë, por ajo ishte sëmurur dhe nuk i binte në asnjë mënyrë temperatura.

– Çfarë nuk po i bëjmë, – shpjegonte oficeri gjerman, – por më duket se po mbaron. Jam aq i pikëlluar për të sa nuk di si ta them. Jam unë ai që u bëra shkak dhe e mora këtu dhe ja tani. Se po të ishte në Munih, atje patjetër që do t`i bëhej dermani.

Sapo dëgjoi këto fjalë, doktor Kalmarit i lindi një mendim. I ra fort derës me hekurat që i kishin qarkuar fort duart dhe kur atë e hapi një nënoficer, i tha t`a shpinin sa më shpejt te hauptshturmfyhreri, pasi kishte diçka shumë të rëndësishme. Ashtu si me përtesë, ai e çoi para komandantit dhe doktori pa humbur kohë nisi të sqarojë me një gjermanishte të kulluar:

– E dëgjova problemin tuaj me gruan dhe u garantoj se brenda një kohe shumë të shkurtër do t`ia normalizoj unë temperaturën.

– E si e bën ti këtë? – e pyeti oficeri që ende nuk e dinte se ai ishte mjek e ca më shumë i këtij specialiteti.

Brofi në këmbë oficeri që u çel në fytyrë nga një shpresë e beftë që i lindi dhe të shoqëruar e çoi Kalmarin në shtëpi ku dergjej gruaja e tij e re, një bjonde me faqet flakë të kuqe. Doktori i vuri dorën në ballë, dhe si vuri re se ajo po përvëlohej nga të nxehtit, nxorri një recetë, e mbushi dhe ia zgjati oficerit.

– Të shkojë shpej dikush e të marrë këto ilaçe. Ne po presim pak bashkë dhe s`ke pse mërzitesh. Gjithçka do shkojë mirë.

Dhe ashtu ngjau me të vërtetë.

Kur gruas së re i ra temperatura, hauptmanshturmfyhreri gati po fluturonte nga gëzimi. Nuk dinte si ta falenderonte doktor Kalmarin. Nga gëzimi u tregua i përzemërt me të:

– Ku keni studiuar doktor?

– Në Austri. Në Vjenë zoti…

– Shumë mirë – qeshi ai dhe si u sigurua se e shoqja ia hodhi të keqes, e shoqëroi doktorin në zyrë, ku mbushi dhe ai një dokument që të mos e ndalonin gjatë rrugës së kthimit për Tiranë.

Por pas disa muajve, ajo letra e hauptshturmfyhrerit të Kavajës, nuk piu më ujë dhe doktorin e prangosën përsëri.

– Çifut i djallit! Kërkon të na e hedhësh ne, por do na shohësh kush jemi.

U tremb me të drejtë doktori i gjorë dhe e kuptoi se kësaj radhe pisk e kishte punën, pasi mund ta vrisnin qysh këtu, pa e çuar fare nëpër kampet e përqëndrimit, pasi lufta kishte marrë një kthesë tjetër kundër Gjermanisë. Kështu që atje nuk para kishin më nevojë për punën e skllevërve.

– Hej ç`më gjeti – tha me vete dhe mendja përsëri te Dushanka i shkoi.

Ndërkohë që arsyetonte dhe hamendësonte jo pse nuk shkova këtu e jo pse nuk shkova atje, se mund të kishim shpëtuar, e njoftojnë se do dilte nga burgu. Kjo qe ç`qe. Kurrë nuk e priste. Ca më shumë, as e shkonte dot ndër mend se nga i kishte ardhur kjo e mirë.

Kishte kaluar disa ditë në burg dhe qe dobësuar aq shumë doktori sa kur hyri në shtëpi e shoqja gati nuk e njohu. Iu hodh në qafë dhe pa arritur t`a sqaronte në derë u dha miku i tij Enver Bali.

– Na ngrive gjakun or burrë. Po shyqyr më vajti mendja te koloneli që i kisha qepur kostumin dhe nuk i pata marrë lekët. Iu luta për ty dhe ai ma dëgjoi fjalën. I thashë se prej doktorit vetëm të mira kemi parë të gjithë. Mua më ka shpëtuar babanë. Dikujt djalin, dikujt vajzën, dikujt… Ne kemi shumë nevojë për të se është specialist i mbaruar dhe ka ardhur këtu si njeri human, pasi e dinte se mjekët te ne mungonin. Jemi edhe ne një racë si ju dhe ai ka shpëtuar kaq jetë arianësh. Për atë Zot, më dëgjoi.

E falenderoi me gjithë zemër doktori mikun e tij rrobaqepës dhe bëri si i tha ai: mori gruan dhe derisa të mbaronte lufta shkoi në fshatin e tij në Shëngjergj, që ishte zonë partizanësh. Këtu u njoh me njerëz të lëvizjes të cilët kishin nderim të veçantë për gruan e tij serbe, dhe pas çlirimit të vendit, ata nuk e burgosën si shumë intelektualë të tjerë, por u mjaftuan vetëm duke i marrë florinjtë. Tani që ai shpëtoi kokën e tij as që deshi t`ia dinte për florinjtë, por e ndau mendjen që ta niste gjithçka nga e para. E caktuan në spital dhe pasditeve vazhdonte vizitat privatisht në shtëpi. E mori veten përsëri, gjersa miqësia me jugosllavët në vitin 1948, u shkërrmoq, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë.

Ai vazhdonte punën pa u interesuar shumë për politikën dhe ata të ministrisë së Shëndetësisë, herë pas here, doktor Kalmarin e aktivizonin me ekipet që shkonin nëpër qytete të ndryshme. Një ditë i thanë se do shkonte në Shkodër dhe duhej të takonte kryetarin e ekipit për të marrë më hollësisht detyrat. Vajti ku i thanë, trokiti në derën e një drejtori të drejtorisë dhe u habit kur pa se ai ishte infermieri S.M. Nuk e dha veten, por bisedoi për detyrat që kishin dhe vendin e orën kur do niseshin. Në Shkodër qëndruan tri ditë dhe kur do bëheshin gati për t`u kthyer, ai hyri në një dyqan dhe bleu tre kilogram çokollata për t`ia çuar Dushankës.