I dënuar me 20 vite burg në Tajlandë, Gjykata e Tiranës rrëzon pretendimet për lirim

150
Sigal

Gjykata e Tiranës ka refuzuar kërkesën për lirim nga qelia të një 43-vjeçari nga Tajvani, i arrestuar në Shqipëri për llogari të drejtësisë së Tajlandës. Tzu Yoan Kuo u prangos nga Interpol Tirana në shtator të vitit të kaluar, në zbatim të një urdhërarresti ndërkombëtar. Në qershor të vitit 2018 një gjykatë tajlandeze kishte dhënë një vendim penal me 20 vite burg ndaj tij. Për drejtësinë e Mbretërisë së Tajlandës 43-vjeçari ishte fajtor për veprat penale të “mashtrimit”, “pjesëmarrjes në organizatë kriminale”, “pastrimit të parave” dhe “mashtrim kompjuterik”.
Fillimisht tajvanezi Yan Kuo u la në “arrest në burg”, ndërsa në nëntor 2021 Gjykata e Tiranës miratoi kërkesën për ekstradimin e tij në Tajlandë. Vendimi është kundërshtuar nga Yan Kuo, por në shkurt 2022 Apeli la në fuqi ekstradimin.
Teksa priste të dërgohej në Tajlandë 43-vjeçari kërkoi lirim nga qelia, me pretendimin se i ishin shkelur afatet kohore që parashikon ligji në rastet e ekstradimit. Përmes avokatit, ai kërkoi lirim të menjëhershëm, pasi po i privohej liria. Por gjykata e Tiranës ka arsyetuar se sipas shënimit të kryesekretarisë vendimi i Apelit i datës 22 shkurt kishte marrë formë të prerë në 12 maj. Në këtë mënyrë, sipas Gjykatës së Tiranës, afati që mund të çonte në lirimin e 43-vjeçarit nuk kishte skaduar.